Deputetët dështuan edhe në përpjekjen e pestë ta konstituonin Kuvendin e Kosovës.
Kandidatja e Lëvizjës Vetëvendosje, partisë fituese të zgjedhjeve, Albulena Haxhiu, dështoi të zgjidhej kryetare.
Opozita e kundërshtoi përsëri emërimin e Haxhiut.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se seanca e ndërprerë do të vazhdojë të premten në orën 11:00.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.
Ai thotë se seanca e sotme e dëshmoi edhe njëhere që Kosova po ndodhet në një ngërç politik dhe mosbashkëpunimi i partive politike po dëmton shtetin tonë.
Gjithashtu ai shton që në vend të përpjekjes për unitet në kohë sfidash, shohim përçarje që i ngjasojnë më shumë logjikës së klaneve sesa një demokracie moderne
“Kosova sot ndodhet në një ngërç politik që nuk ka të bëjë vetëm me aritmetikën parlamentare apo dallimet ideologjike. Ky është një ngërç më i thellë, një krizë e mendësisë dhe kulturës sonë politike. Refuzimi për të bashkëpunuar ndërmjet partive, qasja përjashtuese dhe mosgatishmëria për dialog e kompromis, janë simptoma të një sëmundjeje që po e dëmton themelin e shtetit tonë.
Të gjitha partitë, pa përjashtim, mbajnë pjesë të fajit për këtë gjendje. Në vend të përgjegjësisë kolektive për ndërtimin e institucioneve funksionale, po shohim interesat partiake duke zënë vendin e interesit shtetëror. Në vend të përpjekjes për unitet në kohë sfidash, shohim përçarje që i ngjasojnë më shumë logjikës së klaneve sesa një demokracie modern”, u shpreh ai.

Voca duke vazhduar bashkëbisedimin thotë që votuesi kësaj radhe nuk kërkoi triumfin e një pale por një bashkëpunim të thellë mes partive politike.
“Kjo situatë është pasojë e një mentaliteti të rrënjosur thellë: ai që i jep përparësi fisit para shtetit, klanit para së drejtës, partisë para shoqërisë. Si individë, kemi treguar gatishmëri për të dhënë gjithçka për grupin tonë të ngushtë por shumë pak për ndërtimin e një shteti të përbashkët, të qëndrueshëm, të drejtë.
Votuesi këtë herë nuk kërkoi triumfin e një pale, por dha një mesazh të qartë për bashkëpunim. Shpërndarja e votës ishte një thirrje për maturi politike, për ndërtimin e urave mes dallimeve, jo për thellimin e hendekëve. Fatkeqësisht, ky mesazh ende nuk po përkthehet në veprim konkret”, shpjegoi Voca.
Tutje, ligjëruesi thotë që kryeneçësia politike e dërgon shtetin në dështim kolektiv, e kjo gjë nuk është rruga e duhur për Kosovën pasi shteti ka nevojë për një elitë politike që e kupton se shteti është më shumë sesa një instrument për pushtet.
“Po të kishte një kryeneçësi për Shtetin, ashtu siç ka për partitë dhe klanet, atëherë Shteti do të katapultohej drejt një konsolidimi që të gjithë e ëndërrojmë – një rend institucional që i shërben qytetarit dhe jo interesit të ngushtë të pushtetit. Por kryeneçësia politike në formën aktuale nuk është virtyt; është rruga më e shkurtër drejt dështimit kolektiv.
Në këtë kohë të sfidave të brendshme dhe presioneve të jashtme, Kosova ka nevojë për një elitë politike që e kupton se shteti është më shumë sesa një instrument për pushtet – është një projekt i përbashkët, që kërkon mendje të hapura, kompromis dhe maturi”, shpjegoi ligjëruesi.
Ai në fund thotë që duhet sa më shpejt të e tejkalojmë këtë fazë sepse mund të mbetemi peng i hisotrisë që vetëm përsërit veten.
“Shoqëria jonë meriton më shumë: meriton institucione që funksionojnë, shkolla që edukojnë, spitale që shërojnë dhe drejtësi që ndëshkon padrejtësinë. Por mbi të gjitha, meriton politikë që bashkon dhe jo që përjashton. Nëse nuk e tejkalojmë këtë fazë të “alfabetit politik”, do të mbetemi peng i historisë që vetëm përsërit veten, pa ecje përpara”, përfundoi për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.