Ngrihet alarmi për Ballkanin pas deklaratës së eurodeputetit kroat: Të ndalohet Serbia, pasi rrezikojmë të…!

Politika

Ngrihet alarmi për Ballkanin pas deklaratës së eurodeputetit kroat: Të ndalohet Serbia, pasi rrezikojmë të…!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 prill 2025 Në ora: 17:27
Eurodeputeti kroat, Tonino Picula.

Politika që Vuçiq po ndjekë tash e një kohë është parë edhe nga ndërkombëtarët pengesë për stabilitet në Ballkan.

Provokimet dhe deklaratat nga Vuçiq së fundmi u kritikuan nga eurodeputeti kroat, Tonino Picula.

Ai ka adresuar me tone të forta mënyrën se si udhëheqja serbe po e trajton marrëdhënien me Bashkimin Evropian dhe ndikimin e politikës së brendshme serbe në këtë proces.

“Vuçiç po përdor BE-në si bankomat. Qytetarët serbë janë të ekspozuar ndaj një narrative që favorizon lidhjet vëllazërore dhe miqësore me Pekinin dhe Moskën, ndërsa Perëndimi dhe BE-ja janë demonizuar. Nëse nesër organizohet një referendum për hyrjen e Serbisë në BE, s’duhet pritur rezultat spektakolar”, tha Picula.

Picula theksoi se strategjia aktuale e Vuçiçit është e fokusuara në destabilizim, por pa përdorimin e drejtpërdrejtë të forcës.

Eurodeputeti kroat tha se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së derisa të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të heqë dorë nga politika e “botës serbe”.

Ai vlerëson se çdo destabilizim i mundshëm në Kosovë tani do t’i kushtonte shtrenjtë Vuçiçit dhe për këtë arsye ai është më i fokusuar në tensionet e brendshme politike dhe në provokimet ndaj Kroacisë.

E duke u nisur nga kjo deklaratë dhe provokimet e shumta që Vuçiq po vazhdon të bëjë, a duhet të ketë në vazhdimësi trysni nga ndërkombëtarët që Serbia të e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik?

Shabani: Kroacia ka pasur një të kaluar të hidhur me Serbinë ku janë shkaktuar luftëra të ndryshme, prandaj edhe aleancën ushtarake e kanë parë të përshtatshme me Kosovën

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi për çështje ndërkombëtare, Amir Shabani.

Ai thotë se Kroacia nuk ka pasur raporte të mira me Serbinë, në këtë mënyrë ka qenë gjithmonë krah Kosovës.

Image
Amir Shabani.

Sipas tij, anëtarësimi në BE i Serbisë me këtë udhëheqje mbetwt e pasigurt pasi politika e Vuçiqit e ndërlikon atë.

“Kroacia ka pasur një të kaluar të hidhur me Serbinë ku janë shkaktuar luftëra të ndryshme, prandaj edhe aleancën ushtarake e kanë parë të përshtatshme me Kosovën, si vende që ndajnë fatin e njejtë të konfliktit nga agresori dhe armiku i përbashkët, Serbia.

Rruga e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet e pasigurt nën udhëheqjen e saj aktuale, e cila ulet në katër karrige (BE, SHBA, Rusi dhe Kinë), duke tentuar t'i balancojë lidhjet me to, akoma më shumë po e ndërlikon përpjekien e saj për rrugëtimin eurointegrues. Eurodeputeti Picula ka detajuar mirë gjendjen aktuale dhe deklarata e tij është e saktë sa u përket metodave dhe ecurisë së gabueshme që ka qeveria serbe”, u shpreh ai.

Më tej, njohësi thotë që duke parë qëndrimet e Vuçiqit atëhere mund të kuptojmë që Serbia nuk ka qëllime të anëtarësohet në BE dhe se në vend të kësaj po luan lojën e tij politike.

“Qëllimet dhe vlerat aktuale gjeopolitike të BE-së për momentin nuk janë në të njejtën vijë  me Kinën dhe Rusinë, madje tani në fund as edhe me SHBA-në. Ndonëse Serbia është një ndër kandidatën më të ranguar të rajonit për anëtarësim në BE, shqyrtimi i standardeve të politikës së jashtme dhe qeverisjes ka qenë dhe mbetet një pikë e vazhdueshme pengese.

Kështu që, mendimi im rreth kësaj çështjeje është se Presidenti Vuçiq nuk ka ambicie të anëtarësimit në BE, duke e ditur se kjo nënkupton respektimin e plotë të demokracisë, lirisë së shprehjes, shtetit të së drejtës, liria e mediave dhe pakicave etj, por se në vend të kësaj ai po luan lojën e tij politike, e që nuk demonstron një angazhim serioz për integrimin në BE”, shpjegoi njohësi.

Ndër të tjera, ai shton që Vuçiq pretendon ta krijojë “Botën Serbe” mirëpo që e njejta nuk mund të realizohet dhe se herët apo vonë Serbia do ta njoh Kosovën.

“Nuk mund të shqyrtohen kapitujt e anëtarësimit në BE pa pasur ndryshim rrënjësor të lidershipit serb i cili akoma ëndërron "Botën Serbe", një ideologji e tillë nuk zë vend në një shoqëri me diversitet kulturor, etnik e politik. Më e rëndësishmja – nuk mund të anëtarësohet në BE pa zgjidhur konfliktin fqinjësor me Kosovën dhe ta njohin Pavarësinë e Kosovës. Kjo nëse nuk bëhet me qeverinë aktuale edhe për kundër presionit të faktorit ndërkombëtar, do bëhet në momentin e ndryshimit të garniturës së vjetër qeverisëse”, përfundoi njohësi për çështje ndëkombëtare, Amir Shabani.

Gashi: Serbia duhet të përballet me pasoja të qarta politike dhe ekonomike

Ndërsa analisti politik, Eduard Gashi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që deklarata e Picula është një sinjal që strategjia e Vuçiqit është e përqëndruar në destabilizim të rajonit.

Image
Eduard Gashi

Gjithashtu, Gashi e sheh mjaft të guximshme deklaratën e Piculas duke vlerësuar qëndrimin e tij që Serbia nuk mund të anëtarësohet pa njohje të Kosovës në BE

“Deklarata e eurodeputetit kroat Tonino Picula, në intervistën e tij për portalin Jutarnji list, është një sinjal i qartë: strategjia e Aleksandar Vuçiqit është e përqendruar në destabilizimin e rajonit dhe në sabotimin sistematik të shtetësisë së Kosovës, pa përdorur për momentin mjete të hapura ushtarake. Kjo qasje e rrezikshme, e përpunuar me kujdes, synon të mbajë nën tension jo vetëm Kosovën, por tërë Ballkanin Perëndimor.

Në mënyrë të drejtë dhe të guximshme, Picula thekson se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe pa hequr dorë nga politika e rrezikshme e “botës serbe” – një doktrinë ekspansioniste që ka shkaktuar gjakderdhje dhe shkatërrim në të kaluarën dhe që sot përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në rajon”, shpjegon analisti.

Në bisedë e sipër, analisti tregon disa nga faktet që Serbia ka në mendje destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.

“Faktet janë të pamohueshme:

• Serbia financon, kontrollon dhe instrumentalizon strukturat paralele ilegale në veri të Kosovës.

• Serbia pengon çdo përpjekje për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

• Serbia vazhdon retorikën agresive nacionaliste përmes institucioneve fetare dhe mediave shtetërore.

• Serbia refuzon sistematikisht të implementojë marrëveshjet e nënshkruara nën ndërmjetësimin e BE-së.

Në këtë situatë, çdo politikë e butë, çdo përkëdhelje diplomatike dhe çdo “mirëkuptim” ndaj Beogradit është thjesht një ftesë për më shumë destabilizim”, thotë ai.

Duke vazhduar bisedën Gashi thotë që duhet të ketë presion të vazhdueshëm ndaj Serbisë dhe njoha e Kosovës të bëhet kusht për të.

“Prandaj, analiza është e qartë dhe e prerë:

1.       Presioni ndërkombëtar duhet të intensifikohet ndjeshëm.

Serba duhet të përballet me pasoja të qarta politike dhe ekonomike për çdo akt sabotimi ndaj Kosovës dhe stabilitetit të rajonit.

2.       Njohja e Kosovës duhet të jetë kushti absolut për çdo hap të mëtejshëm në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Pa njohje të qartë dhe formale të Kosovës, Serbia duhet të mbetet jashtë dyerve të Evropës

3.       Politika e “botës serbe” duhet të shpallet publikisht e papranueshme nga BE dhe SHBA.

Një Serbi që ndjek doktrina destabilizuese nuk mund të trajtohet si partnere e besueshme.

4.       Ndihmat dhe fondet evropiane për Serbinë duhet të kushtëzohen drejtpërdrejt me përparimin real në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Çdo euro që Serbia merr nga BE pa respektuar këto parime, është një tradhti ndaj taksapaguesve evropianë dhe një inkurajim për destabilitet të mëtejshëm.

5.       Duhet të ndërtohet një front politik i përbashkët evropian dhe transatlantik që mbështet fuqimisht Kosovën”, renditi arsyet analisti.

Në fund, ai nënvizon bisedën duke thënë që Serbia është shtet problematic dhe nëse nuk merren masa ndaj saj ajo rrezikon që të përsëritet historia tragjike në Ballkan.

“Është koha që Perëndimi të veprojë në mënyrë të unifikuar dhe të japë mesazhe të qarta: Kosova është një realitet i pakthyeshëm, dhe Serbia duhet ta pranojë këtë realitet nëse dëshiron të jetë pjesë e familjes evropiane.

Serbia nuk është pjesë e zgjidhjes; Serbia është pjesë e problemit

Nëse nuk ndalet menjëherë kjo lojë me zjarrin, rrezikojmë që historia tragjike e Ballkanit të përsëritet.

Vetëm me vendime të forta, presion të koordinuar dhe kushte të panegociueshme mund të mbrohet paqja, stabiliteti dhe e ardhmja evropiane e Kosovës dhe e gjithë rajonit”, përfundoi analisti Gashi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat