Tentimi i tetë/ PDK përsërit qëndrimin, “zbulojnë” arsyet pse nuk e votojnë Albulena Haxhiun për kryparlamentare

Politika

Tentimi i tetë/ PDK përsërit qëndrimin, “zbulojnë” arsyet pse nuk e votojnë Albulena Haxhiun për kryparlamentare

Nga: N.E Më: 30 prill 2025 Në ora: 14:11
Albulena Haxhiu

Nesër do të mbahet seanca e tetë me radhë për konstituimin e kuvendit.

Albulena Haxhiu, emër ky i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentare, nuk kishte arritur t’i sigurojë votat e mjaftueshme as në seancën e shtatë e cila ishte mbajtur të martën.

Kandidatja Albulena Haxhiu e pyetur pse nuk tërhiqet që t’i lëshojë rrugë ndonjë emri tjetër, ka thënë se veprimet e tyre janë në përputhje me kushtetutën.

Sipas saj, ajo nuk është vetëpropozuar dhe ky është qëndrim i subjektit.

“Së pari, ne veprimet tona i kemi ndërmarrë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Aktgjykimi i vitit 2014 i jep të drejtën vetëm subjektit që ka fituar më së shumti mandate që ta bëjë propozimin për kryetar kuvendi. Në këtë rast, askush tjetër s’ka të drejtë t’ua përcaktojë emrat. Unë nuk jam vetpropozuar dhe ky është qëndrimi i subjektit politik. Lëvizja Vetëvendosje e ka vendosur këtë dhe vetëm Vetëvendosja e ka të drejtë ta ndryshojë dhe ta thotë një emër tjetër. Nuk ka të bëjë kjo me emra të përveçëm. Unë jam e bindur që kjo po bëhet për inate politike, sepse këdo tjetër që ne do ta vendosnim si emër më herët, unë jam e bindur që do të gjenin ndonjë arsye opozita për të mos e votuar. Kjo është e qartë, është luftë speciale kundrejt Lëvizjes Vetëvendosje. Ka një mungesë të hapur të vullnetit për të konstituar Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ndoshta kjo është më e lehta prej situatave që kemi kaluar gjatë gjithë kësaj kohe”, ka thënë Haxhiu në një intervistë për median e Shqipërisë.

Në anën tjetër, partitë opozitare vazhdojnë të mos pranojnë votimin.

Partia Demokratike e Kosovës, parti e dytë në zgjedhjet e 9 shkurtit, thotë se qëndrimi i saj nuk ka ndryshuar.

Nait Hasani, deputet i PDK-së, ka folur për “Bota sot”, duke treguar se pse ata nuk e votojnë Albulena Haxhiu.

Sipas tij, Haxhiu nuk ka pasur qasjen e duhur rreth atyre që gjenden në Hagë.

“Nuk presim asgjë nga seanca e nesërme, qëndrimi jonë nuk ka ndryshuar rreth emrit të LVV. Albulena Haxhiu sa ka qenë ministre e drejtësisë nuk ka pasur qasjen e duhur rreth atyre që sollën lirinë dhe gjenden në Hagë. Ministrja nuk ka shkuar në vizita, nuk i ka shkruar ndonjë letër PE-së, KE-së, ministrave të drejtësisë se atje po bëhen shkeljet e të drejtave të njeriut, atje nuk po gjykohet Hashimi, po gjykohet presidenti i vendit, gjykimi i tij është gjykimi i luftës, duke e mbrojtur atë po mbrohet lufta dhe këtë Haxhiu nuk e ka bërë”, deklaron Hasani.

Image
Nait Hasani, deputet i PDK-së

Kujtojmë se kundër kandidates së LVV, janë shprehur edhe partitë tjera opozitare, të cilët e quajnë Haxhiun përçarëse.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat