Më 24 shtator 2023, Kosova u godit nga një sulm terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Nga ky sulm mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kjo ngjarje tronditi vendin dhe ngriti tensione të forta në veri, duke shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare kundër aktit të orkestruar nga grupet kriminale të mbështetura nga Serbia.
Së fundi ka nisur edhe procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve për rastin Banjska.
Gjatë ditës së djeshme, Gazetari serb Branislav Kërstiq ka shokuar opinionin publik me një deklaratë të dhënë në një nga televizionet tona.
Ai ka thënë se rreshteri policor Afrim Bunjaku “nuk është vrarë” në sulmin terrorist të grupit me në krye të kërkuarin nga Interpoli Milan Radoiçiq, në Banjska më 24 shtator 2023.
“Me Banjskën shteti ynë ka përfituar plot sovranitet në veri të vendit. Me Banjskën qeveria jonë e ka përfituar lejen për ta mbushur me 10 mijë policë veriun e vendit”.
“Jam i sigurt qe qeveria jonë nuk ka bërë asnjë lëvizje pa koordinim me disa partnerë ndërkombëtarë, siç është zyra britanike ose gjermane, dhe jam I sigurt që asnjë lëvizje në katër vjetët e kaluara që e ka bërë shteti ynë, s’e ka bërë pa koordinim pa aleatët e vetë”.
“Polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, nuk është i vrarë. Është një mënyrë si një dëm kolateral. Askush s’e ka pushkatuar zotëri Bunjakun. Secili polic që ka kryer trajnime vetëm 15 ditë dhe që e ka veshur uniformën, është i informuar nga shefat e vetë që barrikadat janë të minuara”, ka thënë mes tjerash Kërstiq.
Kjo deklaratë ka nxitur reagime të ashpra në opinion.
Deklaratë skandaloze dhe e papërgjegjshme
Alma Lama, ish-ambasadore e Kosovës në Itali e ka quajtur “skandaloze dhe të papërgjegjshme” deklaratën që mohon vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
Ajo thekson se Bunjaku u vra në krye të detyrës nga grupi terrorist serb i udhëhequr nga Milan Radoiçiq, ndërsa po përgjigjej ndaj një situate emergjente.
Lama shprehet se kjo ngjarje e rëndë është përgatitur dhe mbështetur drejtpërdrejt nga shteti serb.
“Mendoj se është deklaratë skandaloze dhe e papërgjegjshme. Rreshteri Afrim Bunjaku është vrarë në pritë të grupit terrorist serb të drejtuar nga Milan Radoiçiç dhe është vrarë në krye të detyrës.
Ai është vrarë sepse si polic ka shkuar në vendin e ngjarjes kur kanë marrë informatën se është bllokuar rruga. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur me përgatitjen dhe mbështetjen e shtetit serb”, deklaron ajo.
Dashevci: Rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku është Hero i Kosovës
Kurse, njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, ka thënë se rreshteri Afrim Bunjaku është vrarë në një akt të qëllimshëm terrorizmi të orkestruar nga shteti serb më 24 shtator në Banjska.
Ai thekson se grupet e përfshira janë shpallur terroriste nga institucionet e Kosovës, ndërsa Milan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
“Rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku është Hero i Kosovës.
Ai është vrarë nga një akt i qëllimshëm i terrorit shtetëror serb gjithashtu i orkestruar mu prej Serbisë, nga grupet terroriste më 24 shtator 2023 në Banjska, grupe këto të shpallura terroriste nga organet tona të sigurisë dhe nga Qeveria e Kosovës.
Ato grupe diversante e kanë sulmuar Republikën e Kosovës, dhe kryekrimineli Milan Radoiçiç i kërkuar edhe nga Interpoli i sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit e ka pranuar përgjegjësinë”, ka thënë ai.
Dashevci dënon çdo përpjekje për relativizim të aktit, duke e cilësuar si manipulim të fakteve dhe nënvizon se Kosova ka mbrojtur rendin e saj kushtetues.
“Çdo deklaratë tjetër për ta relativizuar këtë akt terrorist unë mendoj që nuk qëndron assesi dhe është dezinformatë ose manipulim i fakteve, dhe çdokush që e demanton ose bën përpjekje për një gjë të tillë unë mendoj që i shërbejnë politikës propagandistike të Serbisë, dhe institucioneve të saj.
Republika e Kosovës e ka mbrojtur rendin e saj kushtetues dhe askush nuk mund ta tjetërsojë të vërtetën e pa tjetërsueshme dhe të pa kontestueshme që Kosova ka mbrojtur rendin kushtetues”, shprehet Dashevci për “Bota sot”.