Kosova ende pa institucione, ambasadori bën thirrjen: Mblidhuni, shteti në rend të parë

Politika

Kosova ende pa institucione, ambasadori bën thirrjen: Mblidhuni, shteti në rend të parë

Hava Orana -Xhukolli Nga Hava Orana -Xhukolli Më 5 maj 2025 Në ora: 08:07
Kuvendi i Kosovës.

Pas dhjetë tentimesh për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, deputetët e zgjedhur sërish dështuan në këtë drejtim. Albulena Haxhiu nuk mori votat e mjaftueshme disa herë për tu zgjedhur si kryeparlamentare e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e disa herë të tjera, mungesa e deputetëve bëri që seanca të dështonte.

Derisa, deputetët po vazhdojnë të njëjtat qëndrime, formimi i institucioneve të reja, po shihet si një rrugë e gjatë dhe e vështirë.

Duke qenë në këtë situatë, a duhet të kërkojë ndihmë Kosova nga vendet aleate? SHBA dhe BE e kanë përkrahur shumë herë Kosovën për të zgjidhur problemet e saj politike. Por a është koha që vendi të kërkojë ndihmë?

Ish ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se, kjo është ҫështje e Kosovës, që duhet të tregojë përgjegjësi dhe partitë duhet të bëjnë kompromise.

Bosch: Kosova duhet të tregojë përgjegjësi dhe partitë duhet të jenë të hapura për kompromis

Image
Ish ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch

“Jo, varet nga vetë Kosova. Si vend i pavarur, ajo duhet të tregojë përgjegjësi dhe partitë duhet të jenë të hapura për kompromis, që do të thotë të përpiqen të formojnë një qeveri të qëndrueshme, por mos e teproni me kërkesat”, thekson ambasadori Bosch.

Ai ju bën thirrje partive politike që interesin e vendit të vendosin të parin.

“Bëjeni interesin e vendit numër një dhe atë të partisë dytësore. Mësoni të mblidheni dhe të merrni. Rezultatet e zgjedhjeve ishin të tilla që nuk kishte mundësi tjetër”, vlerëson ai.

Sa i përket kësaj situate në të cilën ndodhet Kosova, profesori universitar, prof.dr. Eshref Ymeri fajëson opozitën, duke thënë se është rreshtuar në krahë të Serbisë. Ai thotë se, opozita antikombëtare në Dardani është rreshtuar tradhtisht në krah të Serbisë fashiste.

Prof.dr. Ymeri: Tradhtia ka qenë ajo, e cila ka pasë shërbyer si farë përçarjeje në radhët e etnisë shqiptare

“ Jam shumë i dëshpëruar dhe i zhgënjyer, por megjithatë jam i detyruar ta them diçka që më bluan përbrenda: “Shqiptarit, para se të lindte në këtë botë, siç ia kam thënë edhe një mikut tim dardan, naconalist i njohur në Diasporë, i ka lindur në fillim tradhtia”. Ne mburremi me Legjendën  e Rozafës, sipas së cilës  vëllai i vogël tradhtohet nga dy vëllezërit e tij. Kjo legjendë na turpëron në mbarë botën. Mbretëresha Teuta e Ilirisë, që luftonte kundër legjioneve romake, tradhtohet nga princa të tjerë ilirë që bashkëpunonin me romakët. Skënderbeun e tradhtoi i nipi, Hamza Kastrioti, Moisi Golemi, Ballaban Pasha. Ilirët, të parët në Gadishullin e Ilirisë, përqafuan katolicizmin në vitin 313, pas Ediktit të Milanos të Perandorit Konstantin (272-337), dhe në Dardani patën  ngritur një sërë objektesh të kultit katolik, por, pas ardhjes së tribuve sllave, për shkak të përçarjes tagjike, nuk qenë të aftë t’i mbronin nga ata barbarë, të cilët ato objekte i kthyen në kulte ortodokse.

Image
Eshref Ymeri

Pas dyndjes së errësirës otomane dhe largimit të Skënderbeut për në botën e amshuar, shqiptarët, në masën 90%, e tradhtuan katolicizmin dhe përqafuan fenë e pushtuesve, çka nuk ia lejuan vetes as grekët, as bullgarët, të cilët again e Stambollit e kishin në prag të derës. Por agai i Stambollit, në vend që shqiptarët t’i trajtonte me kimet, përkundrazi, na ndaloi shkollat dhe gjuhën shqipe. Domosdo, se servilët nuk i respekton kush. Sepse përçarja dhe servilizmi ndaj të huajve janë shtrati i tradhtisë, çka i pati rënë në sy edhe ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu gjatë mandatit të tij në vitet 2014-2018. Në një mesazh, drejtuar popullit shqiptar, ai shkruante:

“Të dashur qytetarë shqiptarë!...

Unë kam pak kohë që rri në vendin tuaj. Në fillim më bëri përshtypje që çdo gjë që thonin ambasadorët, ju e merrnit për flori safi. Nuk kisha parë njerëz më të verbër në besimin ndaj të huajve. Por pastaj, kur pashë se ata që ju drejtojnë apo merren me politikë tek ju, janë më të pashpirtë se çdo i huaj dashakeq, ndaj jush, e kuptova pse na shikoni në dritë të syrit. Kisha lexuar për ju që jeni popull i besës. Mbase kjo ka ndodhur në historinë e largët. Apo e kanë shqiptarë që unë ende nuk i kam njohur. Pasi politikanët tuaj nuk ka si bëhen më të pabesë…” (Citohet sipas: “Mesazhi i ambasadorit Donald Lu: Shqiptarët popull shumë i çuditshëm”. Faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 01 qershor 2016). Kryetradhtari i kombit shqiptar dhe argati i regjur i serbosllavizmit ka qenë Enver Hoxha, njeriu pa shtyllë kurrizore, njeriu hiç, siç e pati demaskuar Mustafa Kaçaçi në Konferencën e Labinotit të vitit 1943. Kopjen e krye-tradhtarit Enver Hoxha, tradhtarin Rama, armikun e Republikës së Dardanisë, e kemi 12 vjet në pushtet në Tiranë. Pasojat e tradhtisë së krye-tradhtarit Hashim Thaçi, me bandën e tij, vazhdojnë të jenë të pranishme në Republikën e Dardanisë”, vlerëson profesor Ymeri.

Ai ndër të tjera thotë se, tradhtia ka qenë ajo, e cila ka pas shërbyer si farë përçarjeje në radhët e etnisë shqiptare.

“Ajo tradhti-përçarje e mallkuar solli si pasojë që, megjithëse kemi qenë etnia më e madhe e Gadishullit të Ilirisë, për pazotësinë tonë, ujqit evropianë, me në krye kryeujkun rus, si askund në mbarë botën, na i bënë kashtë e koqe trojet tona etnike, duke na i hallakatur në gjashtë shtete. Prandaj edhe jemi duke u shpërbërë si komb, me rrezik shuarjen e plotë”, thotë ai.

“Kryeministri Albin Kurti le t’i vërë para provës: le të propozojë një kandidaturë tjetër për kreun e Kuvendit dhe të shikojmë nëse opozitarët do ta votojnë ose jo”

Sipas tij, deputetët opozitarë në Prishtinë janë duke luajtur rolin tradicional të tradhtarëve të lartpërmendur. Ata ecin në shinat e tradhtisë së Enver Hoxhës, i cili kërkonte që Dardania të mbetej koloni e Serbisë fashiste.

“Në Konferencën e Paqes në Paris të vitin 1946, shefi i misionit amerikan, Jakobsi, duke e ditur që Enver Hoxha ishte agjent i  Titos, preku një çështje delikate. Ai i drejtoi Enmver Hoxhës një pyetje-kurth, se cili do të ishte reagimi i tij, në qoftë se Shqipëria do të kërkonte futjen në agjendën e Konferencës së Paqes të kërkesës për rajonin e Kosovës, dhe në rast se Delegacioni i SHBA do të votonte kundër së drejtës së Shqipërisë për ta diskutuar këtë kërkesë në Konferencë. “A nuk mendoni ju se, të paktën, kërkesa juaj duhet të diskutohet dhe të studiohet?” - kishte pyetur Jakobsi. Kësaj pyetjeje Enver Hoxha iu përgjigj në një mënyrë të turbullt dhe mohuese. Ai i tha përfaqësuesit amerikan se “kjo nuk përbën një rast analog, sepse ne nuk jemi duke shtruar kërkesën për rajonin e Kosovës nga aleatja jonë, Jugosllavia” (Citohet sipas: Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”. GEER. Tiranë 2002, f. 515-516). Pra, ashtu si krye tradhtari Enver Hoxha, edhe deputetët opozitarë në Kuvendin e Dardanisë, si njerëz të pamoralshëm, si tradhtarë në shërbim te Beogradit, nuk lejojnë konstituimin e Kuvendit, se synojnë rikthimin e Republikës së Dardanisë në koloni të Serbisë fashiste”, thotë profesori.

Profesori vlerëson poashtu se, në kushtet e kësaj krize politike, të imponuar nga krahu opozitar, treshja e nderuar udhëheqëse - Kryeministri, Presidentja dhe Kryetari i Kuvendit -  para se të marrë vendimin për zgjedhje të parakohshme, duhet t’i drejtohen popullit dardan me Thirrjen-Pyetje: Me kë janë shumica e votuesve në Republikën e Dardanisë, me opozitën tradhtare apo me qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti?

“Partitë opozitare pretenduakan se kandidatura e Zonjës Albulena Haxhiu qenka e papërshtatshme. Atëherë Kryeministri Albin Kurti le t’i vërë para provës: le të propozojë një kandidaturë tjetër për kreun e Kuvendit dhe të shikojmë nëse opozitarët do ta votojnë ose jo. Me siguri që opozitarët e paturpshëm serbomanë do të nxjerrin ndonjë yçkël tjetër për të sabotuar konstituimin  e Kuvendit. Përfundimisht, krizën politike në Kuvendin e Dardanisë nuk e zgjidhin dot as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as Bashkimi Evropian. Sepse, sipas asaj fjalës së urtë të Shqipes sonë Hyjnore, vetëm i zoti e nxjerr gomarin nga balta”, thotë profesor Ymeri për ‘Bota sot’.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat