Deputetët opozitarë i drejtohen Kushtetuese/ Njohësit: Çështja më shumë i takon Presidentes sesa Gjykatës!

Politika

Deputetët opozitarë i drejtohen Kushtetuese/ Njohësit: Çështja më shumë i takon Presidentes sesa Gjykatës!

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 12 maj 2025 Në ora: 20:03
Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

 

Kriza institucionale në Kosovë ka hyrë në muajin e katërt, ndërsa Kuvendi vazhdon të mos konstituohet edhe pas 14 tentativave radhazi. Në këtë situatë të pazakontë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vendosur të ndjekë rrugën juridike, duke e çuar çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese.

Ky hap, i ndërmarrë të hënën, është mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke sinjalizuar një bashkërendim të opozitës përballë situatës së bllokuar. Në thelb të kërkesës është kontestimi i mënyrës së votimit për krye-parlamentarin – nëse duhet të jetë i hapur apo i fshehtë – çështje që tashmë është kthyer në nyje të pazgjidhur politike.

“Si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, me nënshkrimet e deputetëve të Aleancës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe të Partisë Demokratike të Kosovës, e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese për interpretim ndryshimin e votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit”, tha deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, para gazetarëve.

“Kërkuam nga Gjykata Kushtetuese që kjo të trajtohet me prioritet... Duke konsideruar që është shkelje ligjore, po mendojmë që po zhvleftësohet vlera e Kuvendit të Kosovës, duke mbajtur seanca plenare çdo 48 orë, dhe seanca [me të cilat] konsiderojmë që po shkelet Kushtetuta e Kosovës”, u shpreh ajo.

Nëse gjykata pranon kërkesën dhe vendos në favor të votimit të fshehtë, kjo do të detyronte partitë të rikthehen në sallën e Kuvendit me një dinamikë krejtësisht të re. Por nëse kërkesa refuzohet, opozita mund të mbetet pa kartën e saj të fundit për të ndikuar në këtë proces.

Bajraktari: Deputetët tashmë janë certifikuar dhe kanë dhënë betimin, nuk kanë asnjë pengesë për t’u cilësuar si palë e autorizuar në Gjykatë

Për gazetën “Bota sot”, avokati Ardian Bajrakatari, ka theksuar se deputetët e Kuvendit, pasi janë certifikuar dhe kanë dhënë betimin, kanë të drejtën kushtetuese të kontestojnë çdo vendim apo procedurë të ndjekur në Kuvend – përfshirë edhe çështjen e votimit për kryetarin.

Sipas tij, ata janë palë të autorizuara dhe mund të drejtohen në Gjykatën Kushtetuese brenda afatit ligjor prej tetë ditësh, duke e përdorur këtë si një mjet legjitim demokratik.

Image
Ardian Bajraktari

Fillimisht duhet theksuar se sipas Kushtetutës, dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, janë palë e autorizuar dhe si të tillë kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur, dhe atë mund dhe duhet ta bëjnë brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit.

Duke qenë se deputetët tashmë janë certifikuar dhe kanë dhënë betimin, nuk kanë asnjë pengesë për t’u cilësuar si palë e autorizuar në Gjykatë dhe për të ushtruar këtë mjet demokratik parlamentare”, thekson ai.

Në fund, avokati thotë se për çështjen në Kushtetuese, mbetet të shihet si është ndërtuar dhe argumentuar rasti, sidomos lidhur me interpretimin e termit "vendim" në nenin 113.5 të Kushtetutës – nëse ai përfshin çdo veprim të Kuvendit.

Kjo është thelbësore për të vlerësuar nëse ndryshimi i skenarit nga kryesuesi teknik më 8 prill ishte apo jo në përputhje me Kushtetutën dhe rolin e tij të kufizuar.

“Mbetet të shihet se si është ndërtuar rasti, dhe si është argumentuar i njëjti, e mbi të gjitha si do ta trajtoj Gjykata Kushtetuese, çështjen e termi ‘vendim’ i paraparë në nenin 113, paragrafi 5 të Kushtetutës, dhe se a i referohet dhe a nënkupton kjo çdo veprimi të Kuvendit.

Kjo është shumë e rëndësishme për të vlerësuar nëse tentimi i Kryesuesit teknik të seancës për ndryshim të skenarit të dakorduar me datë 8 prill, është ose jo në pajtim me Kushtetutën si dhe rolin që ka një kryesues teknik” - përfundon ai.

Burjani: Gjykata Kushtetuese nuk ka lëndë për të trajtuar në këtë rast

Image
Blerim Burjani

Kurse, sipas juristit, Blerim Burjani, Gjykata Kushtetuese nuk ka lëndë për të trajtuar në këtë rast, pasi Kuvendi s’ka nxjerrë asnjë vendim për votimin e fshehtë – pra mungon akti konkret për ta kontestuar si antikushtetues.

Ai thekson se kjo çështje më shumë i takon Presidentes sesa Gjykatës dhe nënvizon nevojën për ndryshim të sistemit elektoral, pasi aktuali prodhon ngërçe e bllokada.

Kurse, sa i përket afatit 48-orësh, sipas tij, duhet qartësuar dhe mund të vlejë brenda një muaji nga thirrja e seancës së parë.

“Për t’u bërë një lëndë e vlefshme për Gjykatën Kushtetuese, duhet të ketë një vendim – në këtë rast të nxjerrë nga Kuvendi. Deri më tani, Kuvendi nuk ka një vendim për votim të fshehtë. Gjykata merret me shkeljet kushtetuese dhe kur një vendim është antikushtetues. Këtu nuk ka vendim, sepse ka dështuar Kuvendi të nxjerrë një vendim të tillë. Pra, nuk ka akt për të vendosur kjo Gjykatë.

Nuk ka temë për Gjykatën që ajo të trajtojë, por mund të jetë rast që Presidentja të merret me këtë çështje.

Ne duhet të mendojmë për ndryshimin e sistemit elektoral në sistem mazhoritar. Ky sistem aktual sjell shumë probleme, obstruksione, pengesa dhe ngërçe.

Pra, varet nga kërkesa me pyetje që bëhet për Gjykatën, për shembull rreth “48 orëshit”. A është i qartë kur përfundon ky afat dhe sa zgjat? Sipas mendimit tim, 48-orëshi vlen një muaj nga dita e thirrjes së seancës së parë nga Presidentja”, përmbyll ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat