Ndonëse ka dështuar edhe seanca e 16-të e Kuvendit të Kosovës, liderët partiak më pas janë pritur nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Edhe ky takim rezultoi pa sukses. Nuk pati ndonjë dakordim lidhur me konsistuimin dhe formimin e institucioneve të reja.
Pas këtij takimi, Presidentja Vjosa Osmani tha se nuk e ka problem që bllokadën në Kuvend ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Nëse kjo zvarritet shumë, janë disa opsione që vetë deputetët ta shfrytëzojnë. Deri tani AAK ka kontestuar një vendim, por që lidhet me formën e votimit jo domosdo me proceset tjera. Të shfrytëzoj prerogativat kushtetuese dhe t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Sot ajo çfarë kam shprehur para liderëve, që nëse do të kishte pajtim edhe nga ana e tyre, unë nuk kam ndonjë problem që ta dërgoj këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, nuk pat ndonjë kundërshtim nga asnjëri prej tyre. Megjithatë, ne do të presim nëse ditët në vijim do të rezultojnë me marrëveshje politike apo arritje të një marrëveshje më të gjerë për konstituimin e Kuvendit para se të procedojmë me diçka e tillë”, ka thënë Presidentja Osmani.
Profesori dhe juristi Blerim Burjani ka sqaruar se ҫfarë veprime do të ndërmarrë Gjykata Kushtetuese nëse i kalohet asaj kjo ҫështje. Ai thotë se gjykata duhet të ketë një kërkesë të qartë nga Presidentja ose nga AAK-ja, e cila po ashtu ka dërguar një kërkesë për shqyrtimin e ligjshmërisë. Gjykata duhet të ketë një akt, qoftë ligjor apo kushtetues, për t’u marrë me këtë çështje.

“Problemi aktual lidhet me afatin 48-orësh të seancave të pandërprera, gjë që nuk qëndron, sepse çdo akt ka pasojën e vet. Ky akt nuk sjell pasoja të reja, por vetëm përsërit pasojën ekzistuese, e cila nuk zgjidh asgjë. Nëse çështja shkon në Gjykatë, interpretimi i saj mund të jetë ky: bazuar në Kushtetutën e shtetit dhe në ligjet në fuqi, duke përdorur për sqarim interpretimin sistematik, logjik dhe interpretimin evolucionar, përgjigjja e Gjykatës do të jetë se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit është 30 ditë nga dita e thirrjes së seancës nga Presidentja”, thekson profesori.
Ai citon edhe nenin 66 të Kushetutës lidhur me mandatin dhe zgjedhjen.
“Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”, thotë ai.
Tutje, Burjani tha se pas vendimit të Gjykatës, Presidentja do të thërrasë liderët partiakë dhe duhet të kërkojë që deputetët t’i dorëzojnë mandatet në KQZ, nga organi certifikues i rezultateve.
“Partitë politike duhet të heqin dorë nga zëvendësimi i deputetëve me të tjerë. Pastaj Presidentja, në bashkëpunim me partitë politike, shpall datën e re të zgjedhjeve. Gjykata nuk mund të ndryshojë mënyrën e votimit, sepse ajo nuk vendos në vend të deputetëve për mënyrën si ata votojnë. Pra, Gjykata mund të sqarojë një element që mungon, ose që nuk ka kuptim të qartë në një normë të caktuar”, vlerëson ai.