Takimi pa marrëveshje në Presidencë, analisti tregon cila mbetet zgjidhja e vetme

Politika

Takimi pa marrëveshje në Presidencë, analisti tregon cila mbetet zgjidhja e vetme

Nga: P. R. Më: 16 maj 2025 Në ora: 08:00
Foto ilustrim

Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit, çka e ka futur vendin në një krizë të thellë politike.

Sot presidentja Vjosa Osmani ka mbledhur në një takim të përbashkët krerët e partive politike në vend, por ky takim përfundoi pa ndonjë rezultat.

Pas dështimit të takimit në Presidencë, analisti politik Nexhat Haziri thotë se e vetmja zgjidhje mbetet shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Image
Nexhat Haziri

“Nuk ka pasur pritje nga takimi i liderëve të partive politike kryesore parlamentare me presidenten Osmani, çka edhe rezultoi i tillë për faktin se palët, apo partitë, tashmë i kanë betonuar qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën. Dhe e vetmja zgjidhje është që partitë të merren vesh për konstituimin e Kuvendit dhe më pas të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme për ta ndërprerë ngërçin politik dhe krizën institucionale në të cilën tashmë ka hyrë vendi,” shprehet Haziri.

Ai thotë se edhe një takim tjetër eventual nuk do t’i japë zgjidhje krizës politike në vend.

“As ndonjë takim tjetër eventual që mund ta thërrasë presidentja Osmani nuk do të japë rezultat, pasi as partia e parë që ka dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja, e as partitë e opozitës së kaluar, nuk i kanë numrat e nevojshëm për të formuar institucionet e reja. Dhe në bazë të kësaj, nuk duhet të humbet më shumë kohë – zgjedhjet janë zgjidhja,” përfundon analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat