Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023 - pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se vendi nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.
Të mërkurën në Kosovë ka qendruar Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke zhvilluar takim me Presidenten Vjosa Osmani.
Costa ka thënë në Prishtinë se nevojitet ulja e tensioneve në veri të Kosovës, në mënyrë që Bashkimi Evropian t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Siç e dini këto masa lidhen me nevojën për t’i ulur tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Uroj që sa më shpejt do të ndodhë ky shtensionim. Pas shtensionimit mund të ecim përpara dhe t’i heqim masat”, tha Costa duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Costa shtoi se shpreson se “ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë trend të ri, por të jenë përjashtim që konfirmon se jeni të angazhuar për të shtensionim të situatës dhe për të ecur përpara në rrugën evropiane dhe për t’u angazhuar në dialogun e Brukselit”.
E duke u bazuar në deklaratat që Costa bëri, a janë një sinjal presioni apo një mundësi për rifillim të dialogut?
Shabani: Presion duhet bërë Serbisë
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori për çështje ndërkombëtare, Amir Shabani.
Ai thotë se Kosova ka përmbushur kushtet për të u larguar masat ndëshkuese nga BE mirëpo është Serbia ajo e cila në vazhdimsi ka vështirësuar procesin e dialogut.

“Deklarata e Presidentit të KE-së, Antonio Costa rreth heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës duket të jetë diçka pa rezultat pozitiv, për faktin se Kosova ka përmbushur shumë më parë kushtet e heqjes së masat ndëshkuese dhe çdoherë ka qenë paqebërëse në tryezën e dialogut, përkundër Serbisë e cila ka ngritur tensione dhe ka vështirësuar procesin e dialogut”, u shpreh ai.
Më tej, njohësi, deklaratat e Costa-s i sheh sinjal presioni mirëpo që të njejtin presion duhet BE ta bëjë edhe ndaj Serbisë.
“Më shumë e konsideroj si një sinjal presioni sesa mundësi për rifillim të dialogut, e që i njejti presion duhet bërë Serbisë e cila së fundmi haptas tregoi pozicionimin e saj në turbulencat gjeopolitike, kur presidenti Vuçiq ishte në vizitë zyrtare tek presidenti Putin në Rusi”, foli Shabani për “Bota sot”.
Hertica: Të forcohet sundimi i ligjit në veri
Ndërsa profesori Ali Hertica në një bashkëbisedim me “Bota sot”, vlerëson që vizita e Costa-s mund të jetë një hapë drejt heqjes së masave ndaj Kosovës.
Duke vazhduar ai thotë që Kosova duhet të vazhdojë të jetë e angazhuar në bashkëpunimin e saj me SHBA-të dhe BE-në në mënyrë që edhe largimi i masave të jetë më i shpejtë.

"Vizita e Kryetarit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, vlerësohet si një hap drejt heqjes së masave ndaj Kosovës. Në këtë kuadër, theksohet se ulja e tensioneve në veri të vendit është e domosdoshme. Edhe pse aktualisht në atë pjesë të Kosovës nuk ka tensione serioze, është e nevojshme të rritet siguria dhe të shtrihet sundimi i ligjit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pasi kjo do të ishte e shëndetshme për demokracinë dhe funksionimin e shtetit.
Kosova ka qenë gjithmonë e angazhuar për shtensionimin e situatës dhe për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në të gjitha institucionet e familjes evropiane. Ajo duhet të bashkëpunojë në frymën demokratike dhe miqësore me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në çdo hap dhe kohë, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, i cili është në dobi të të dyja palëve. Marrja e këtij rrugëtimi së bashku drejt Bashkimit Evropian do të kontribuojë në një përparim të qartë në dialog dhe në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, shpjegon profesori.
Në fund, ai thotë që Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e vendosura nga BE dhe largimi i tyre duhet të jetë çështje kohe.
“Deri më tani, Kosova ka përmbushur kërkesat e vendosura nga Bashkimi Evropian për heqjen e masave ndëshkuese, të cilat përfshinin rikthimin në tryezën e dialogut dhe krijimin e një baze të re ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në komunat veriore, gjë që tashmë ka ndodhur, si dhe organizimin e vetë zgjedhjeve në atë pjesë të vendit.
Vizita e z. Costa në Kosovë vjen në një kohë kur udhëheqësit e Republikës së Kosovës kanë shtuar thirrjet ndaj Bashkimit Evropian për heqjen sa më të shpejtë të masave ndëshkuese, të vendosura në vitin 2023 pas tensioneve që ndodhën në veri. Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të vizitojë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor përpara fillimit të samitit të Bashkësisë Politike Evropiane, i cili do të mbahet në fund të javës së ardhshme në Tiranë”, përfundoi profesori Ali Hertica për “Bota sot”.