“Paradite” në Moskë, “pasdite” në Tiranë, pse Vuçiq “përkëdhelet” nga BE?

Politika

“Paradite” në Moskë, “pasdite” në Tiranë, pse Vuçiq “përkëdhelet” nga BE?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 maj 2025 Në ora: 13:52
Samiti në Tiranë

E kishin paralajmëruar, por edhe kërcënuar, megjithatë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nuk i kishte përfillur dhe kishte marrë pjesë në festimet për Ditën e Fitores në Moskë.

Vizita e tij ishte kritikuar nga kryeministri polak Donald Tusk, si dhe nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, e cila ka thënë se kjo nuk kishte kaluar pa rënë në sy.

“Nga një këndvështrim, është pozitive që ushtria serbe nuk merr pjesë në paradë. Kjo do të kishte qenë edhe më problematike. Megjithatë, të shkosh atje, përkrah Putinit, ndërkohë që ai është i përfshirë në një luftë aktuale – lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – mbetet një çështje që prek ndërgjegjen e secilit”, u shpreh Kallas.

Gjersa u mendua për sanksione ndaj Serbisë e Vuçiqit për vizitën e tij në Moskë, një gjë e tillë as nuk u bë, por edhe u ftua pothuajse pas një jave dhe mori pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Madje, në një fotografi që u bë pas një darke joformale në Tiranë mes liderëve të BE-së dhe krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor në prag të samitit, Vuçiqi shihet në mes të fotografisë, i buzëqeshur.

Gazetari i medias gjermane, Bahri Cani, duke komentuar fotografinë madje thotë se Vuçiqi shihet pa fije pendimi e ndëshkimi

”Von der Leyen ka publikuar edhe këtë foto ku Vuçiqi "zgjerohet" pothuajse mu në mes të fotografisë dhe bie në sy kënaqësia e tij pa fije pendimi e ndëshkimi për shkeljen e rregullave dhe kërkesave të krerëve të BE që të mos shkojë në Moskë”, kishte shkruar Cani.

Vuçiq me një mburje u pa edhe gjatë pritjes nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe gjatë samiti, duke lënë të kuptohet se Serbia po përkëdhelet ende.

Pse vazhdon kjo përkëdhelje dhe pse Vuçiq nuk u bojkotua nga Rama dhe liderët e tjerë të BE-së?

Pasqyra dhe strategjia e BE-së

Politologu Ramadan Gjanaj, thotë se BE konsideron se është më mirë që Vuçiqin ta kenë në tryezë.

Image
Politologu Ramadan Gjanaj

Sipas tij, edhe Rama ndjek një qasje të ngjashme.

“Pjesëmarrja e Vuçiqit në Samitin e Komunitetit Politik Evropian pasqyron politikën evropiane të mbajtjes së dialogut të hapur edhe me aktorët e vështirë. BE-ja konsideron se është më mirë ta ketë Vuçiqin në tryezë për të ruajtur një kanal komunikimi, sidomos në këtë kohë tensionesh rajonale dhe lufte në Ukrainë. Edhe Edi Rama ndjek një qasje të ngjashme të stabilitetit rajonal dhe shmang përplasjen e drejtpërdrejtë, duke e parë dialogun si më të dobishëm sesa izolimin. Kjo është më shumë një diplomaci pragmatike sesa një mbështetje politike”, deklaron Gjanaj.

Sipas tij, pjesëmarrja e Vuçiqit në Samit është më shumë domosdoshmëri strategjike sesa një mbështetje reale apo politike.

“Po, mund të thuhet se Serbia ende përkëdhelet deri diku nga disa qeveri evropiane, por kjo duhet parë me nuanca. Vetë fakti që ky Samit i Komunitetit Politik Evropian po mbahet për herë të dytë në Tiranë dhe jo në Beograd, tregon qartë se BE-ja nuk ka asnjë synim të legjitimojë plotësisht pozicionin e Serbisë. Bashkimi Evropian mban dialog me Vuçiqin për arsye pragmatike dhe gjeopolitike, për të kufizuar ndikimin rus në Ballkan, por pa i dhënë Serbisë ndonjë privilegj simbolik apo diplomatik. Pjesëmarrja e Vuçiqit në këtë format është më shumë një domosdoshmëri strategjike sesa një mbështetje reale apo politike, edhe pse kjo krijon zhgënjim të madh në Kosovë dhe në rajon”, përfundon politiologu.

Para mbajtjes së Samitit, Vuçiq deklaroi se aty do të përfaqësojë interesat e Serbisë.

“Diskutojmë sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet kontinenti ynë – paqja, siguria, stabiliteti demokratik dhe e ardhmja e Evropës. Dhe këtë herë kam nderin të përfaqësoj interesat e Serbisë, në përputhje me politikën tonë të vendimmarrjes së pavarur dhe përgjegjësisë strategjike. Unë besoj se deri në fund të vitit mund të bëjmë shumë dhe të përparojmë në rrugën evropiane, dhe se ekziston një shans për të rizgjuar shpresën në Serbi për një të ardhme evropiane. Gjithashtu flasim për vendin e Evropës në botën e re dhe si ta shohim realitetin në kohë sfiduese dhe të marrim vendime në një mënyrë të menduar mirë dhe afatgjatë. Mundësitë në Evropë po ndryshojnë, gjë që na jep një mundësi shtesë për të përparuar në Evropë, por gjithashtu na lejon të punojmë më fort me partnerë të tjerë. Mesazhi im kryesor mbetet i njëjtë – ne kemi nevojë për bisedime, llogaridhënie dhe një paqe të shëndetshme. Për Serbinë, paqja nuk është vetëm një zgjedhje, por edhe një detyrim, dhe ne nuk do të lëkundemi në këtë rrugë”, kishte shkruar Vuçiq.

Por, Vuçiq nuk e kishte pritur përfundimin e Samitit, ai pa përfunduar punimet ishte larguar përkundër pritjes së “ngrohtë” nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Serbia shfrytëzuese që tolerohet nga BE

Analisti Nexhat Haziri, thotë se blloku evropian ka standarde të dyfishta.

Sipas tij, Serbia po shfrytëzon një politikë si me BE-në, ashtu edhe me Rusinë dhe kjo po tolerohet.

Image
Analisti Nexhat Haziri

“Pjesëmarrja e presidentit Vuçiq në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, por edhe mungesa e një qëndrimi të qartë nga Brukseli për vizitën e tij te Putini, si dhe fakti që Serbia është një nga vendet që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, nxjerr në pah jo vetëm standardet e dyfishta të bllokut evropian, por edhe pafuqinë e vendimmarrjes së përbashkët për shkak të divergjencave mes anëtarëve të tij kur bëhet fjalë për politikën e jashtme ndaj Rusisë.

Kjo situatë, natyrisht, po shfrytëzohet nga Serbia, e cila vazhdon të ndjekë një politikë të dyfishtë – si me BE-në, ashtu edhe me Rusinë, e madje më shumë me këtë të fundit. Dhe, siç po vërehet, kjo politikë jo vetëm që po tolerohet, por në një farë mënyre edhe po shpërblehet nga Brukseli, përmes financimeve të projekteve dhe ndihmave të tjera ekonomike për Serbinë”, deklaron Haziri

Ai përmend mbështetësit më të mëdhenj të politikës së presidentit serb Vuçiq, gjersa shton se Rama kishte vetëm rolin e nikoqirit.

“Me një fjalë, Serbia ka gjetur aleatët e saj brenda bllokut evropian, siç janë Hungaria e kryeministrit autokrat Viktor Orbán dhe Sllovakia e kryeministrit pro-rus Robert Fico, të cilët janë mbështetësit më të mëdhenj të politikës së presidentit serb Vuçiq. Ndërsa sa i përket kryeministrit Rama dhe samitit të mbajtur në Tiranë, ai kishte vetëm rolin e nikoqirit, dhe jo ndonjë rol vendimmarrës në këtë organizim. Si i tillë, nuk ishte në dorën e tij të merrte masa apo të ndikonte në pjesëmarrjen e presidentit serb Vuçiq në këtë samit”, përfundon Haziri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat