Reagimet për mbylljen e institucioneve paralele, alarmojnë njohësit: Kjo qasje e BE-së po rrezikon të çojë në një “bosnjëzim” të Kosovës

Politika

Reagimet për mbylljen e institucioneve paralele, alarmojnë njohësit: Kjo qasje e BE-së po rrezikon të çojë në një “bosnjëzim” të Kosovës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 20 maj 2025 Në ora: 10:01
Flamuri i Bashkimit Evropian brenda ndërtesës së Këshillit Evropian në Bruksel, 17 qershor 2024.

Institucionet e Kosovës po vazhdojnë aksionet për shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e vendit.

Gjatë javës së kaluar, Inspektorët e Komunës së Mitrovicës së Veriut, me ndihmën e Policisë së Kosovës, kanë rikthyer në pronësi të komunës një ndërtesë, e cila ka qenë e lidhur me institucionin e quajtur “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, i cili ka operuar me mbështetje nga Serbia.

Pas këtij aksioni, ka reaguar Bashkimi Evropian. Përmes këtij reagimi, BE-ja ka shprehur shqetësimet, duke theksuar se "rrezikojnë të përkeqësojnë tensionet dhe të ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale, si dhe të dëmtojnë pozitat ndërkombëtare të Kosovës."

"Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për operacionet kundër kompanisë Vodovod Ibar në Mitrovicën e Veriut dhe plantës së furnizimit me ujë dhe kompanisë publike në Zubin Potok, të cilat ofrojnë shërbime publike bazë për komunitetet që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës", thuhet në reagimin e BE-së.

Lidhur me këtë reagim të BE-së, ekspertët shprehen të indinjuar. Sipas tyre, BE-ja në këtë rast do të duhej të kritikojë Serbinë, e jo Kosovën.

Shqetësimet dhe kritikat e BE-së, ndaj Kosovës, për shkak të shtrirjes së sovranitetit të saj në tërë territorin e vendit.

Preqi: Në këtë formë nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të shëndosha mes Kosovës dhe Serbisë

Opinionisti Dedë Preqi, në një prononcim për “Bota sot”,  ka thënë se shqetësimet e Bashkimit Evropian lidhur me veprimet e fundit të policisë së Kosovës në veri nuk janë të rastësishme.

Ai ka ngritur shqetësime se përkundër që Kosova është shtet sovran, po i mohohet e drejta për të shtrirë sovranitetin e plotë në gjithë territorin e saj, veçanërisht në veriun e Mitrovicës.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

“Shqetësimet e BE-së, nuk janë të rastësishme dhe jo vetëm në operacionet e fundit të policisë së Kosovës, me mbylljen e shërbimeve publike të komunitetit serb në veri, që funksionojnë sipas ligjeve të Serbisë dhe jo me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, të cilat po i quajnë të rrezikshme dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të këtij komuniteti, dhe po dëmtojnë edhe pozitat ndërkombëtare?.

Në këto rrethana sipas këtij shqetësimi të BE-së, Kosova e njohur nga shumica e vendeve të botës si shtet i pavarur dhe sovran, por nuk  e paska të drejtën e saj të shtrijë sovranitetin në tërë territorin e vendit të vet, që nënkupton normat ligjore dhe sigurinë ta kushtëzojë në një pjesë të vendit, sikur në këtë rast në veri të Mitrovicës, ku është e populluar me shumicë nga minoriteti serb”, ka thënë ai.

Tutje, Preqi ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj situatës në veriun e Kosovës, duke e cilësuar si të paarsyeshme dhe jo transparente.

“Është diçka e veçantë dhe e pa logjikshme se si BE-ja, me bindjen e saj jo transparente dhe jo serioze e trajton një situatë të tillë në këtë format, që asnjë vend i saj dhe i rajonit nuk do e kishte lejuar në shtetin e vet të krijohen grupe dhe organizata të tilla të veprojnë në mënyrë të kundërligjshme, si edhe sjelljen e tyre në forma kriminale dhe terroriste ndaj një vendi dhe shteti demokratik ku jetojnë si banor të përhershëm”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Preqi ka përmendur kritikat e presidentes Vjosa Osmani në Samitin e Komitetit Evropian në Tiranë, ku ajo akuzoi BE-në se po shpërblen vendet që janë më afër Moskës, si Serbia, ndërsa po sanksionon ato që janë pro-evropiane, si Kosova.

“Edhe presidentja e Kosovës, z. Vjosa Osmani, do ta kritikonte BE-me shumë të drejtë, gjatë Samitit të Komitetit Evropian, që mbahet këto ditë ne Tiranë, me ç’ rast theksoi, BE-ja, po i shpërblen ata që janë më afër Moskës, sikur që është edhe Serbia, ndërsa ata që janë më pro-evropian po sanksionohen, sikur në këtë rast Kosova.

Dhe në bazë të kësaj përllogaritje të BE-së, ky do të ishte një realitet i hidhur, që do ta rrezikonte trajtimin e barabartë nga ana e saj në mes këtyre dy vendeve të Ballkanit perëndimor, dhe për shkak të një trajtimi të tillë, Kosova dhe Serbia, edhe mbas 25 viteve të pasluftës kanë mbetur në këtë gjendje të pa lakmuar, apo në mosmarrëveshje për një paqe të qëndrueshme në mes vete”, ka thënë Preqi”, ka vlerësuar ai.

Po ashtu, ai ka kritikuar mungesën e seriozitetit të BE-së, duke theksuar se ka dështuar të reagojë ndaj pengesave të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke shkelur marrëveshjet e Brukselit dhe, në vend të ndëshkimit të Serbisë, ka sanksionuar vetë Kosovën pa arsye të justifikueshme.

“Kosova, një ndër vendet më pro-evropiane në rajon, dhe e cila do të ishte njëra ndër vendet në përputhje me marrëveshjet dhe nismat ndërkombëtare të të gjitha vendeve demokratike, të cilat e kanë sanksionuar Rusinë, për shkak të luftës dhe agresionit ndaj Ukrainës, ndërsa Serbia, ka qenë dhe është në harmoni me politikat dhe miqësinë e përhershme me Putinin, edhe duke e vizituar Vuçiqi, këto ditë në Moskë, në një mënyrë, sikur kjo «dyfytyrësi» e Serbisë, po shpërblehet nga BE-ja.

Prandaj, BE-ja, shumë pak ka treguar seriozitet dhe nuk e ka trajtuar Kosovën, si shtet të pa varur dhe sovran, kur në mesin e saj janë edhe pesë vende evropiane që nuk e kanë njohur shtetësinë e saj, dhe kjo çështje duhet ta brengoste BE-në, ose të sjellët si një realiste e vërtetë dhe me reformat e saj për të krijuar një Evropë të bashkuar dhe të frytshme e pa djallëzi.

Serbia me politikat e saj kundër shtetit të Kosovës, pa ndërprerë ka lobuar dhe ka penguar anëtarësimin e këtij vendi në organizatat ndërkombëtare, të cilat iniciativa janë në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit, dhe BE-ja, as që do të reagonte për iniciativa të tilla, apo të ndërmerrte masa për ta parandaluar një gjë të tillë, por ka vepruar në të kundërtën, duke e sanksionuar Kosovën, për asgjë të rëndësishme, apo sipas vullnetit të Serbisë”, ka potencuar ai.

Sipas Preqit, kjo qasje e padrejtë ndaj dy vendeve të ndjeshme të Ballkanit Perëndimor dëmton përpjekjet për të përmbyllur një kapitull historik që do të sillte stabilitet në rajon.

 Ai ka theksuar se kritika nuk i drejtohet vetë vlerave të BE-së, por politikave të saj të pabarabarta ndaj Kosovës.

 “Shqetësimet e BE-së, për shkak të shtrirjes së sovranitetit të Kosovës, në tërë territorin e vet, janë shumë naive, sepse në këtë formë nuk mund të ndërtohen marrëdhëniet e shëndosha në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ekzistenca e ardhshme në mes këtyre popujve, duke shpërbërë realitetin e drejtpërdrejte në këtë mes ndëretnik.

Dhe gjithë ata që do shqetësohen për këto çështje se, pse Kosova, po e shtiren sovranitetin në tërë territorin e vet, të vihen para një opsioni vendimtar, dhe a, po e duan  Kosovën, edhe njëherë të kthehet në gjendjen e mëparshme, apo e gjithë kjo po bëhet me një qëllim të caktuar, që përmes përkëdheljes me Serbinë, të mos përkeqësohen marrëdhëniet e BE-së, me Rusinë, dhe Kosova, të përdoret si karrem, një qasje e tillë, që po i kushton shumë këtij populli dhe shteti në gjitha aspektet.

Me këtë nuk kemi qëllim që ta kritikojmë kulturën dhe të arriturat e BE-së, por kritika i kundërvihet në qasjen e saj jo të barabartë në mes dy vendeve të ndjeshme të Ballkanit perëndimor, në mes Serbisë dhe Kosovës, pikërisht në çastin më të nevojshëm për të përmbyllur një kapitull shumë të rëndësishëm dhe shekullor, që do të stabilizonte dhe tërë rajonin”, ka thënë Preqi.

“Bosnjëzimi i Kosovës”: Paralajmërim për rrezikun nga një qasje e gabuar e BE-së

Ndërkaq, analisti politik, Gani Qarri, ka ngritur dyshime serioze për integritetin dhe seriozitetin e institucioneve të BE-së.

Image
Gani Qarri

“Mjerisht fakti se politikanët e korruptuar, të akuzuar për krim të organizuar e korrupsion apo edhe të dorëhequr dhe të shkarkuar nga pozitat institucionale, për shkak të korrupsionit në vendet tyre, stimulohen me poste të larta në BE, si Antonio Costa, i cili për shkak të akuzave për korrupsion të ngritura kundër tij personalisht më 7 nëntor 2023, nga Zyra e Prokurorit Publik të Portugalisë, ishte detyruar të jepte dorëheqje nga pozita e Kryeministrit dhe Presidenti i këtij shteti Marcelo Rebelo de Sousa, kishte shpërndarë parlamentin e shpallë zgjedhjet e reja, por çuditërisht edhe pse i akuzuar dhe i dorëhequr për korrupsion, në dhjetor të vitit 2024, ai emërohet hiq më pak se President i Këshillit Evropian, me arsyetimin se akuzat nuk ishin vërtetuar, krejt kjo, përveçse bie erë të keqe, krijon edhe shumë dyshime, i qet hije të madhe mos besueshmërie gjithë Këshillit të Evropës dhe vë në pikëpyetje edhe seriozitetin e BE-së”, ka nënvizuar Qarri.

Në lidhje me Kosovën, Qarri ka theksuar se shteti është unik dhe i pandarë, pa dallime veri-jug apo lindje-perëndim.

Ai ka  theksuar se shtrirja e sovranitetit shtetëror është e drejtë legjitime e Kosovës, ndërsa Serbia nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështjet e brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran.    

“Në anën tjetër, sa i takon Republikës së Kosovës, vendi ynë është një dhe nuk ka ndasi veri jug, lindje as perëndim, ne jemi shtet i pavarur dhe punojmë për avancimin, shtrirjen e sovranitetit shtetëror dhe forcimin e shtetësisë në të gjitha pjesët e territorit tonë, pa përjashtuar asnjë pjesë të vendit, por Serbia është ajo që nuk ka asnjë të drejtë, të formoj institucione paralele të Serbisë, as të insistojë në mbajtjen e tyre, askund dhe në asnjë cep brenda kufijve territorial, gjeografik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës.

Ndaj dhe habitë shumë fakti se si edhe Bashkimi Evropian, me njerëz të korruptuar në krye, vazhdon të shpreh shqetësim për veprimet ligjore e kushtetuese, të Policisë së Kosovës, megjithëse aktivitetet e saj edhe në veri, si në gjithë Kosovën janë vetëm veprime ligjore dhe çështje krejt normale për zbatimin e ligjit, që nuk kanë të bëjë me asgjë të kundërligjshme dhe vetëm zbatohen kërkesat legjitime të organeve komunale si në veri edhe në pjesët tjera të vendit, përfshi mbylljen e shërbimeve të kundërligjshme të Serbisë në veri dhe pjesët tjera të Kosovës”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai  ka paralajmëruar se kjo qasje e BE-së po rrezikon të çojë në një “bosnjëzim” të Kosovës, duke krijuar një skenar ku ndonjë “Dodik i ri” mund të ndalojë autoritetet kosovare të ushtrojnë kontroll në pjesë të territorit të tyre.

 “E nëse edhe veprimet e ligjshme të Policisë së Kosovës, "rrezikuakan të përkeqësojnë tensionet dhe të ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale", apo dëmtuakan edhe pozitat ndërkombëtare të Kosovës, prania e institucioneve të kundërligjshme paralele të Serbisë, në vendin tonë, rrezikon drejtpërsëdrejti sistemin tonë juridik dhe kushtetues, si dhe kërcënon pjesë publikisht e praktikisht tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës, gjë që nuk mund ta tolerojmë më, sepse kanë kaluar mbi 26 vite nga përfundimi i luftës, prej kur Serbia mbanë peng edhe mbi 1600 trupa të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar por BE heshtë.

Madje thënë troç dhe shprehur drejtpërdrejtë, atë që e kemi fituar me luftën tonë çlirimtare, nuk guxojmë ta humbim në paçe dhe ta lejojmë bosnjëzimin e Kosovës, para syve tanë, ku ndonjë Dodik i ri, njëjtë siç po vepron aktualisht në Bosnjë e Hercegovinë, do tua ndalonte edhe institucioneve të Kosovës që të shkelin në ato pjesë ku (sipas kërkesave hibride të BE-së)do të vepronin institucionet paralele të Serbisë, kurse BE do të na fliste neve për “durim e përmbajtje” dhe “ruajtjen e gjakftohtësisë”, derisa serbët ti realizonin qëllimet e veta ekspansioniste brenda territorit tonë legjitim e kushtetues deri në ndarje, kur dhe do bëhej përfundimisht i pamundur rikthimi i sovranitetit tonë shtetëror, kurse për ngushëllim, ne do të detyroheshim të “kënaqemi” me rrahjen e krahëve dhe përkëdheljet e BE-së!?

Kështu që është për çdo kritikë reagimi i habitshëm i Bashkimit Evropian, kur atakohet kaq pa skrupull Kosova, vetëm pse bënë shtrirjen legjitime të sovranitetit të vet shtetëror në veri të saj, që është territor i pandashëm kushtetues i Republikës së Kosovës dhe jo ndërhyrje në territor të Serbisë, derisa shteti serb nuk kritikohet dhe sanksionohet për asgjë, madje Vuçiqi merr pjesë edhe në paradat ushtarake të Vladimir Putinit në Moskë, mbështet dhe merr në mbrojtje publikisht Millorad Dodikun, përkundër të gjitha veprimeve të tij secesioniste në Bosnjë, si dhe ndërhynë vazhdimisht në çështjet tona dhe rregullimin e brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës, por BE heshtë! ”, ka shtuar ai.

Sipas tij, veprimet legjitime të institucioneve të vendit, nuk duhet të kritikohen nga Bashkimi Evropian, por përkundrazi të mbështeten.

Qarri ka kritikuar heshtjen e BE-së përballë veprimeve të Serbisë në Kosovë, përfshirë mbështetjen që i jep Milan Radoiçiqit – i kërkuar ndërkombëtarisht për krime.

“Nisur nga këto veprime legjitime, Kosova jo vetëm se nuk do duhej të kritikohej, por përkundrazi edhe do duhej të mbështetej e stimulohej nga BE, e assesi edhe të kërcënohet se po dëmton synimet e saj për integrim evropian, apo ndoshta duke parë se deputetët e kësaj legjislature, i kanë shpallur luftë publike konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, ata e shfrytëzojnë gjendjen aktuale, për tu shfryrë kundër Kosovës, pa asnjë të drejtë morale as njerëzore, që është edhe kundër principeve të vet BE-së.

Përndryshe me këto sjellje të BE, na rikthen në qasjen e gabuar dhe të njëanshme të saj, të gati para dy viteve, kur terroristët e futur nga Serbia, kryen agresion të hapur territorial kundër vendit tonë, duke vrarë edhe policin në detyrë, Afrim Bunjaku, tani hero, por sanksionet ju vendosën Kosovës dhe nga ajo kohë krye terroristi Millan Radojçiq i kërkuar me padi ndërkombëtare nga Kosova edhe në Interpol, atëherë e sot, jeton i lirë në Serbi, dhe përveçse nuk dorëzohet në Kosovë për gjykim, nuk gjykohet as në Serbi, siç bënte se kërkonte BE.

Dhe derisa BE- nuk bën zë as për këtë rast të rrezikshëm ekspansionist të Serbisë, Radojçiq ndihmohet e mbështetet nga Serbia, edhe për akte tjera terroriste në Kosovë, por çuditërisht, sikur mos të mjaftonin të gjitha ndërhyrjet brutale të Serbisë në Kosovë, serish Kosova është ajo që vazhdon të kritikohet nga funksionarët e korruptuar në krye të BE-së dhe Këshillit Evropian, qasje me të cilën ata sikur duan edhe Kosovën ta shndërrojnë në një Bosnje të dytë, gjë që vërtetë është sjellje e papranueshme, e pakuptueshme dhe për çdo kritikë!”, ka përfunduar Qarri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat