Presidentja Osmani, zëri i Kosovës në arenën ndërkombëtare/ Analistët: Një dështim në këtë front do të ishte fatal për vendin

Politika

Presidentja Osmani, zëri i Kosovës në arenën ndërkombëtare/ Analistët: Një dështim në këtë front do të ishte fatal për vendin

Arife Morina-Mulaku Nga Arife Morina-Mulaku Më 21 maj 2025 Në ora: 19:01
Vjosa Osmani

Më 16 maj 2025, në Tiranë u mbajt Samiti i Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Kjo ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare mblodhi gjithsej 47 krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë Evropa, përfshirë vendet anëtare të BE-së dhe ato jashtë saj, si Shqipëria, Kosova, Serbia, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina dhe Turqia.

E në këtë organizim, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani, e cila edhe njëherë ngriti zërin përballë padrejtësive që po iu bëhen shtetit tonë.

Përveç kësaj, presidentja Osmani realizoi edhe takime të shumta, me liderë të ndryshëm botëror, ku dha mesazhet e saj si një udhëheqëse e Kosovës.

Merz, Macron, Erdogan…, ishin vetëm disa nga liderët me të cilat Osmani u takua.

Këto takime dhe në përgjithësi puna e presidentes në aspektin e diplomacisë, kohët e fundit është vlerësuar shumë.

Presidentja Osmani ka zhvilluar shumë takime dhe vizita në shtetet me të fuqishme botërore, përfshirë edhe takimet me Trump.

Voca: Presidentja Vjosa Osmani ka ndërtuar një profil të respektuar në skenën ndërkombëtare

E në lidhje me aktivitetet, takimet dhe vizitat e Osmanit, në një prononcim për “Bota sot” foli doktori i gjeopolitikës, Mirsad Voca.

Image
Mirsad Voca

Ai e vlerësoi shumë punën e presidentes në fushën e diplomacisë, ku tha se takimet e shumta me liderë botërorë kanë rëndësi shumë të madhe. Po ashtu, përmendi edhe njohjet e fundit në të cilat ka kontribuar mjaft shumë Osmani.

“Presidentja Vjosa Osmani ka ndërtuar një profil të respektuar në skenën ndërkombëtare dhe është komentuar pozitivisht për angazhimin e saj të vazhdueshëm në diplomaci. Ajo ka zhvilluar takime të shumta me liderë të rëndësishëm botërorë dhe ka përfaqësuar Kosovën me dinjitet, qartësi dhe bindje.

Presidentja Osmani ka arritur të sjellë edhe njohje të reja për Kosovën dhe të forcojë më tej raportet me vendet mike. Me një elokuencë dhe zgjuarsi të veçantë, ajo artikulon pozicionin e Kosovës me qartësi dhe integritet. Ajo është, pa dyshim, një prej figurave më të denja që Kosova ka pasur në krye të shtetit, një zë i fuqishëm për sovranitetin, demokracinë dhe aspiratat euroatlantike të vendit”.

Gjithashtu, Voca vlerësoi se në një kohë jo shumë të mirë me zhvillime të shuma gjeopolitika, Osmani ka qenë një urë stabiliteti, me punën dhe bashkëpunimet me ndërkombëtarët.

“Në një periudhë të ndjeshme për sigurinë rajonale dhe të brendshme, Vjosa Osmani ka qenë një urë stabiliteti – duke ruajtur kohezionin institucional dhe duke i dhënë zë interesave të shtetit të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Ajo ka arritur të mbajë Kosovën të lidhur ngushtë me partnerët kyç, duke luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e konsolidimit të shtetit.

Puna dhe përkushtimi i saj po vlerësohen gjithnjë e më shumë edhe në skenën ndërkombëtare. Ajo është nderuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare, duke u renditur përkrah figurave që historia do t’i mbajë mend gjatë, për kontributin, qëndrueshmërinë dhe forcën e përfaqësimit në momente kyçe për vendin dhe rajonin”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, doktori i gjeopolitikës potencoi se Osmani ka shumë për të dhënë ende për Kosovën dhe se shteti ka nevojë për një figurë politike si ajo.

“Vjosa Osmani jo vetëm që ka dëshmuar lidership të lartë dhe përgjegjësi të palëkundur, por edhe ka treguar se ka ende shumë për të dhënë për Kosovën. Energjia e saj, përkushtimi i saj i pandërprerë dhe ndjenja e lartë e përgjegjësisë janë garanci se ajo mund të japë edhe më shumë në të ardhmen, në shërbim të qytetarëve dhe të aspiratave kombëtare të vendit.

Si Vjosa Osmani i duhen Kosovës edhe për shumë më gjatë. Ajo mishëron një udhëheqje të matur, të mençur dhe të përkushtuar, cilësi që janë të domosdoshme për të ardhmen euroatlantike të vendit”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.

Zogaj: Presidentja Osmani me zgjuarsi iu ka rrekur aktiviteteve në skenën ndërkombëtare

Kurse, publicisti Skënder Zogaj përmendi disa probleme me të cilat është ballafaquar Osmani që nga marrja e mandatit si presidente e vendit.

Image
Skënder Zogaj

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se pavarësisht sfidave, presidentja zgjodhi rrugën e duhur, atë të thellimit të raporteve me aleatët dhe u bërë zë për Kosovën në skenën ndërkombëtare.

“Presidentja Vjosa Osmani që nga dita e parë e hyrjes në Presidencë, është duke u ballafaquar me probleme rrethanore, për shkak të situatës kritike politike në Kosovën, që has në ashpërsime të jashtëzakonshme dhe qëndrimeve krejt armiqësore ndërpartiake! Periudha e kaluar 4 vjeçare e qeverisjes së VV-së, nuk ishte mjaftueshëm e zonja që të zbuste gjakrat dhe të krijonte një stabilitet elementar të brendshëm, kështu që, Presidentja Osmani me zgjuarsi iu ka rrekur aktiviteteve në skenën ndërkombëtare, në mënyrë që ta ruaj simpatinë përkrahëse të komunitetit ndërkombëtar, e vetëdijshme, se disfata në këtë plan, për Kosovën do të jetë fatale”, theksoi ai.

Gjithashtu, publicisti potencoi se takimet e saj me liderët e shteteve më të fuqishme botërore, janë për t’u vlerësuar dhe tregojnë sinjal që Kosova po mbështet dhe ka përkrahjen e aleatëve të saj.

“Pra, vizitat dhe takimet e Presidentes Osmani me liderë botëror janë sukses me vlerë të madhe, që duhet lavdëruar! Nuk është pak, përkundrazi është vlerësim i madh kur shefi i NATO-s publikisht Presidenten Osmani e quan "presidentja ime e preferuar"! Kjo është mirënjohje e lartë diplimatike, është ofertë që tregon se Kosova e ka përkrahjen e shteteve aleate dhe se, këtë përkrahje Presidentja Osmani është duke u përpjekur që ta ruaj e ta forcojë, sepse, është pjesa më e rëndësishme e shtetësisë dhe e fatit historik të Kosovës!” – përmbylli Skendër Zogaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat