Për të 19-tën herë me radhë, seanca për konstituimin e Kuvendit ka dështuar, duke thelluar edhe më tej krizën institucionale në vend. As herën e kaluar, deputetët e zgjedhur nuk arritën të përmbushin detyrimin e tyre kushtetues për formimin e organit më të lartë legjislativ.
Situata po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, pasi mungesa e vullnetit politik po mban peng jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e të gjitha institucioneve të tjera që varen prej tij, përfshirë qeverinë.
Tentativa e 20-të pritet të premten, ndërsa presioni publik dhe kërkesat për përgjegjësi ndaj deputetëve po rriten.
Kushtetuta është e qartë: institucionet duhet të formohen nga ata që kanë marrë votën e qytetarëve – çdo dështim është shkelje direkte e këtij parimi themelor demokratik.
Në lidhje me këtë në një intervistë për “Bota sot”, ka folur Avokati i Popullit, Naim Qelaj.
Ai ka thënë se deputetët e zgjedhur kanë një obligim kushtetues, jo vetëm moral, për të formuar institucionet e dala nga zgjedhjet.
“Është obligim dhe detyrim kushtetues i institucioneve të dala nga zgjedhjet që të konstituojnë edhe kuvendin edhe institucionet tjera, përfshirë edhe qeverinë.
Është shumë e rëndësishme dhe në interes të qytetarëve sepse shumë procese dhe projekte mund të ngecin dhe kjo natyrisht ndikon tek jetët e qytetarëve”, deklaroi ai.