Presidentja Osmani cak i kërcënimeve, avokatët me thirrje për institucionet e drejtësisë – ja si mund të lokalizohet kërcënuesi

Politika

Presidentja Osmani cak i kërcënimeve, avokatët me thirrje për institucionet e drejtësisë – ja si mund të lokalizohet kërcënuesi

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 24 maj 2025 Në ora: 17:11
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori një kërcënim me jetë përmes një e-mail.

“Me tra nprit dekt me tlan partis dyt mundsin duhet deri tash kriminele antikushtetuese ordinere ti ha ropt tvraj”, (sic), shkruhej në mesazhin kërcënues që kishte shkuar në adresë të presidentes.

Ndonëse kanë kaluar disa ditë nga raportimi i kërcënimeve me jetë ndaj Vjosa Osmanit dhe hapjes së rastit nga policia, Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, tha se Prokuroria Speciale nuk ka ngarkuar asnjë prokuror që të merret me rastin.

Madje, u shpreh se është shqetësuese të mos ketë reagim efikas dhe të shpejtë nga organet përgjegjëse.

“Rreth një javë pas raportimit të kërcënimit të fundit me jetë të Presidentes Osmani i ardhur në adresën elektronike zyrtare të Presidencës dhe hapjes së rastit nga Policia, sot jemi njoftuar nga Policia se Prokuroria Speciale nuk e ka ngarkuar ende asnjë prokuror të merret me kërcënimet ndaj Presidentes Osmani”, ka thënë Kupina.

Sipas tij, deri tash ka pas dhjetëra kërcënime në vazhdimësi, por asnjë i arrestuar nga organet përgjegjëse, edhe pse shumë prej tyre kërcënimet i kanë bërë pa e fshehur identitetin.

E pas kësaj deklarate të Kupinës, Prokuroria Speciale e Kosovës, njoftoi se tashmë ka caktuar prokurorin për rastin e kërcënimit me jetë që i është bërë presidentes të vendit, Vjosa Osmani.

Siç ka thënë Luta, prokurori është caktuar të enjten, pra më 22 maj, pas pranimit të raportit policor në lidhje me veprimet fillestare

Luta tha se pas pranimit të informacionit nga Policia e Kosovës, në lidhje me rastin në fjalë, Prokurori kujdestar nga Prokuroria Speciale, ka autorizuar njësitë kompetente të Policisë së Kosovës për të vepruar menjëherë në drejtim të identifikimit dhe zbulimit të autorit/ve të dyshuar per kryerjen e kesaj vepre penale.

Mirëpo, sa është shqetësuese se ende nuk ka të arrestuar për këtë kërcënim, folën avokatët.

Gjithashtu, ata përmendën hapat të cilët duhet të ndërmerren nga organet e drejtësisë së Kosovës.

Bajraktari: Vlerësoj se përmes sistemit të IP-së, mund të lokalizohet kërcënuesi

Së pari, në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli avokati Ardian Bajraktari.

Image
Ardian Bajraktari.

Ai u shpreh se mesazhi drejtuar presidentes përmban elemente të veprës penale, ku për këtë tha se duhet të merren veprimet e adekuate nga institucionet.

“Lidhur me rastin, me sa kemi parë, mesazhi përmban elemente të veprës penale.

Është detyrë dhe përgjegjësi e organeve të zbatimit të ligjit që rastet e tilla me i trajtu, aq më tepër kur kemi parasysh faktin që këto veprime tashmë janë mjaft prezente në shoqërinë tonë”.

Krahas kësaj, shpreson që policia dhe prokuroria t’i bëj hetimet e nevojshme dhe të marrë masat e nevojshme.

"Është e rëndësishme se tashmë kemi konfirmimin edhe të policisë por edhe të prokurorisë se janë duke u marrë veprime të nevojshme hetimore, shpresoj dhe besoj që rasti të trajtohet me seriozitetin dhe përkushtimin e duhur.

Vlerësoj se përmes sistemit të IP-së, mund të lokalizohet kërcënuesi", tha Ardian Bajraktari.

Jashari: E rëndësishme është qe prokuroria, me të gjitha kapacitet që të ndërmarrë të gjitha masat

Kurse, avokati Arbër Jashari tha se është e rëndësishme që prokuroria të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të lokalizojë kërcënuesin.

Image
Arbër Jashari

Po ashtu, potencoi se hetimet varen edhe nga disa faktorë të tjerë.

“E rëndësishme është qe prokuroria, me të gjitha kapacitet qe ka dhe në kuaër të autorizimeve të veta, të ndërmarrë të gjitha masat, për zbulimin e kryesit të kësaj vepre penale. Pastaj se si do të shkojnë hetimet dhe sa do të ketë sukses, kjo nuk varet vetëm nga prokuroria, por edhe nga faktorët tjerë”, u shpreh avokati.

Ndër të tjera, shtoi se veprat e tilla janë komplekse, pasi kryerësit e tyre mund të gjenden edhe jashtë Kosovës dhe mund të vështirësohen hetimet.

“Veprat penale të këtij lloji janë edhe më komplekse, sepse mund të kryhen nga kryerës që ndodhen jashtë Kosovës, dhe kjo e vështirëson akoma më shumë hetimin”, përfundoi Arbër Jashari për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat