Nesër (e martë 27 maj) do të mbahet vazhdimi i radhës i seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Kjo do të jetë hera e 22-të e tentativës për votimin e kryetarit/es së Kuvendit. Kandidatja e Lëvozjes Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për postin e kryetares së Kuvendit, derisa çështja ka ngecur tek formimit të komisionit për votim të fshehtë.
Më datën 12 maj Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetushmërisë së propozimit për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për Zgjedhjen e Kryeparlamentarit të Kosovës.
Kushtetuesja ende nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me këtë, derisa juristët japin pak shpresë se qëndrimi i saj do t’i jap zgjidhje ngërçit politik.
Juristi Blerim Burjani, në një prononcim për "Bota sot" ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë qëndrim të drejtpërdrejtë lidhur me themelimin e Komisionit Zgjedhor nga Kuvendi, pasi kjo çështje është e rregulluar nga akte të tjera nënligjore, si rregullorja e Kuvendit.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka si prioritet interpretimin e Kushtetutës dhe jo çështjeve të rregulluara me rregullore apo ligje të nivelit më të ulët.
"Gjykata Kushtetuese nuk mund të thotë as 'po' e as 'jo' për themelimin e Komisionit Zgjedhor nga Kuvendi, dhe as të deklarojë nëse votimi duhet të jetë i fshehtë. Kjo çështje është e përcaktuar me akte të tjera më të ulëta si rregullorja. Vendimi i saj, në rastin konkret, do të jetë neutral", tha Burjani.
Ai theksoi se votimi i fshehtë nuk është i pranueshëm nëse nuk është paraparë qartë në rregullore.
"Rregullorja e Kuvendit parashikon vetëm votim të hapur. Organe të pavarura si KQZ mund të kenë votim të fshehtë, por vetëm nëse vendoset me shumicën prej 2/3 të anëtarëve", shtoi ai.
Burjani po ashtu ka ngritur shqetësimin për interpretimin që Kuvendi i ka bërë nenit 48 të rregullores, të cilin e quan të papranueshëm.
"Ne juristët e quajmë 'interpretim autentik' kur një organ e interpreton vetë normën që ka nxjerrë, por kjo është e palejueshme, sepse krijon normë të re. Nuk ka normë juridike pa pasoja. Nëse brenda 48 orëve nuk themelohet komisioni siç përcaktohet, atëherë duhet të ketë sanksione. Në këtë rast, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë masa e vetme e mundshme", deklaroi Burjani.
Sipas tij, refuzimi për ta zbatuar një normë të vetëpërcaktuar tregon mungesë vullneti politik dhe cenon rendin kushtetues.