Inatet politike, duket se po ‘fitojnë’ përballë rëndësisë së konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar 22 herë radhazi ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Partive politike, nuk po u bëhet shumë vonë për bllokadën e krijuar, sa që nuk po janë të gatshme për asnjë marrëveshje politike mes vete.
Kjëto dështime për ta bërë Kuvendin e ri, e kanë zhytur vendin në një ngërç politik, madje duke e lënë atë edhe pa qeveri të re.
Kjo situatë po vazhdon e njëjtë, ndonëse kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.
Kuvendi është kthyer në një ‘cirk’ ku të zgjedhurit e popullit shkojnë, paraqiten formalisht, ku më pas marrin rrogë të plotë, ndonjë nuk kryejnë asnjë punë efektive.
Mirëpo, a ëshët kjo shenjë e një mungese të përgjegjësisë apo papjekurisë politike, për këtë folën njohësit.
Halilaj: Kuvendi i Kosovës i bllokuar për herë të 22-të: Opozita, pengesë ndaj vullnetit qytetar
Së pari, në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj.

Ai tha se pengesa kryesore e konstituimit janë partitë opozitare, madje vlerëson se sjellja e tyre është joparime dhe jodemokratike.
“Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 22-të radhazi të konstituohet pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, duke zhgënjyer pritshmëritë e qytetarëve dhe duke lënë vendin në një situatë të paprecedentë të bllokimit institucional. Si gjithnjë, edhe këtë herë, fajtorët janë të njëjtët: opozita e papërgjegjshme, e cila, në mungesë të legjitimitetit qytetar, ka zgjedhur rrugën e pengesës politike.
Partitë opozitare, të cilat u ndëshkuan qartë në zgjedhjet e fundit nga qytetarët, vazhdojnë të sabotojnë procesin e formimit të institucioneve të reja. Kjo sjellje nuk është as parimore, as demokratike – është përpjekje e dëshpëruar për të mohuar rezultatin zgjedhor dhe për të mbajtur peng shtetin”.
Sipas tij, qytetarët kanë vendosur dhe se vullneti i tyre është bërë i qartë, ku shumica votuan për koalicionin LVV-Guxo, si i tillë duhet respektuar zgjedhja e tyre.
“Zgjedhjet e fundit shënuan një fitore të qartë dhe të pakontestueshme për Lëvizjen Vetëvendosje dhe partneren e saj GUXO, të cilat u votuan nga shumica e qytetarëve me shpresën për ndryshim të thellë dhe qeverisje të ndershme. Tani, kur vullneti i qytetarëve është bërë i qartë, përpjekjet për ta bllokuar atë janë jo vetëm të dënueshme moralisht, por edhe të rrezikshme për demokracinë.
Në vend të reflektimit dhe bashkëpunimit, opozita po zgjedh të luajë një rol destruktiv, duke kthyer Kuvendin në një arenë bllokadash politike, e jo të përfaqësimit qytetar. Kjo është papërgjegjësi politike dhe institucionale”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, avokati tha se të gjitha forcat politike duhet të tregohen të matura dhe ta mbështesin vendimin e qytetarëve.
“Përgjegjësia tani bie mbi opozitën – ndërsa mbështetja mbi qytetarin.
Në këtë kohë vendimtare, kërkohet nga të gjitha forcat politike që të tregojnë maturi dhe respekt ndaj vendimit të sovranit. Por më shumë se kurrë, kërkohet nga qytetarët që ta mbështesin fuqimisht qeverinë e dalë nga vota e tyre – LVV dhe GUXO – për të çuar përpara reformat që vendi ka aq shumë nevojë”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
Mehazi: Nëse inatet politike janë më të rëndësishme sesa funksionimi i shtetit, atëherë le të japin dorëheqje

Ndërsa, analisti politik, Sulejman Mehazi u shpreh se bazuar në zhvillimet e fundit, inatet politike, po dalin të jenë më të rëndësishme se sa konstituimi i Kuvendit dhe themelimi i institucioneve.
Madje, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, profesori parashtroi disa pyetje për deputetët e zgjedhur të Kuvendit.
Në këtë rast, tha se nëse nuk mund t’i lënë anash inatet politike, atëherë më mirë të japin dorëheqje.
“Si vërehet inatet e liderëve politikë janë më të vlefshme sesa konstituimi i institucioneve të Kosovës, për deputetët dhe krerët e partive politike më të vyeshme janë inatet sesa Kuvendi i Kosovës të mbetet pa kokë edhe pas njëzet e dy përpjekjeve seancore.
Pyesim deputetët e partive opozitare, se a janë të zgjedhur e të votuar për institucionet e Kosovës apo për të bllokuar e shtangur Kosovën? A me inate funksionon shteti apo me marrëveshje partiake?
Nëse inatet politike janë më të rëndësishme sesa funksionimi i shtetit, atëherë le të japin dorëheqje, pasi detyra dhe përgjegjësia e deputetëve është për të mirën e shtetit, jo për inatet e tyre. Ata kanë marrë votat jo për të shkatërruar, por për të mirën e qytetarëve dhe Kosovës, nuk mundet parlamenti të mbetet pa kokë, për qejfin inateve të tyre, Nëse qëllimi i deputetëve të opozitës është blokada e Kuvendit, atëherë ata nuk duhet të marrin rroga të majme, ata paguhen për shkak përgjegjësive jo për inatet e tyre”.
Krahas kësaj, Mehazi vlerëson se është përgjegjësi e deputetëve që pa humbur më shumë kohë të formojnë institucionet dhe konstituojnë Kuvendin.
“Përgjegjësia e deputetëve është ta zhvillojnë Kosovën, jo ta lënë Kosovën as në qiell as në tokë, nuk mund të jetojë shteti pa kokë institucionale, sikurse trupi i njeriat pa intelegjencën në kokë. Partitë politike opozitare brenda Kuvendit janë duke ia hëngër kokën Kosovës.
Të gjithë deputet e shteteve në botë pas zgjedhjeve parlamentare pa humbur kohë sa më parë ndërtojnë institucionet shtetërore, gjersa deputetët abnormalë të Kosovës rrënojnë shtetin për inatet e tyre partiake. Institucionet shtetërore nuk kërkojnë inate, por punë”, theksoi ai.
Në fund, profesori nuk kurseu kritikat për të zgjedhurit e popullit, ku tha se me këto verpime po tregogen të papjekur dhe të ndikuar jashtë mase nga inatet e tyre politike.
“Deputetët e parlamentit të Kosovës janë turpi dhe gazi botës, aq të papjekur sa që inatete e tyre politike i kapin si veprime dashurore shtetërore.
Simbolika e personave të paarsimuar, të paditur dhe të paedukuar është inati. Inate kanë gomerët, për fat të keq parlamenti i Kosovës është i mbushur me gomerë partiak”, përmbylli Suljeman Mehazi për “Bota sot”.