A janë zgjedhjet e reja zgjidhje për ngërҫin politik? Politologu: Do të ketë dalje të ulët në votime

Politika

A janë zgjedhjet e reja zgjidhje për ngërҫin politik? Politologu: Do të ketë dalje të ulët në votime

Nga: H.O. Më: 30 maj 2025 Në ora: 22:47
Ilustrim

Nesër pritet mundësia e radhës e deputetëve të Kosovës për të nxjerrë vendin nga kriza politike. Të shtunën mbahen seanca e 24-të e Kuvendit të Kosovës, si përpjekje për të vazhduar konstituimin.

Mirëpo nuk dihet se ҫfarë mund të ndodhë në këtë seancë, derisa nuk ka deklarime të partive politike për ndonjë marrëveshje ndërmjet tyre, qëndrimet vazhdojnë të mbeten të njëjta.

Partitë politike më herët përmenden zgjedhjet e reja si mundësi për të dalë nga kjo krizë, e që nuk e kundërshtuan asnjëra nga to. Por, Zgjedhjet e reja në Kosovë a do të prodhonin një rezultat të ri nga ato të 9 shkurtit? A do të ishin dalje nga ngërҫi politik?

Lidhur me këtë ҫështje politologu dhe njohësi i ҫështjeve politike, Fahredin Majkovci thotë se para se të parashikojmë rezultatin e zgjedhjeve të reja, është e rëndësishme të rikujtojmë disa specifika të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, të cilat ndihmojnë në kuptimin e situatës aktuale politike. Sipas tij, këto zgjedhje shënuan një dalje të jashtëzakonshme të qytetarëve; rreth 966 mijë persona ushtruan të drejtën e votës, që përbën një ndër pjesëmarrjet më të larta në historinë e zgjedhjeve në Kosovë.

Image
Fahredin Majkovci

“Lëvizja Vetëvendosje (VV), ndonëse pësoi një rënie relative prej afërsisht 40 mijë votash në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, arriti të ruajë një substancë të konsiderueshme elektorale dhe të mbajë përqindjen e lartë, falë rritjes së numrit total të votuesve. Kjo tregon një bazë të qëndrueshme të mbështetjes. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) arriti një rezultat të mirë, duke rritur numrin e votave për rreth 40 mijë dhe duke konsoliduar bastionin e saj tradicional.  Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pati rritjen më të madhe në numër absolut, mbi 60 mijë vota shtesë, por pritshmëritë ishin më të larta, dhe si rezultat, përtej numrave, nuk arriti ta kapitalizojë plotësisht momentumit. Ndërkohë, rezultat zhgënjyes patën AAK dhe NISMA, të cilat mbetën në shifra të ngjashme me zgjedhjet e kaluara dhe nuk patën ndonjë rritje domethënëse. Po ashtu, koalicioni “Për Familjen”, ndonëse arriti të grumbullojë një numër solid votash, nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor”, vlerëson Majkovci.

SIpas tij, në këtë kontekst, rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit prodhoi një mozaik politik që kërkon patjetër koalicione për të formuar shumicën. Pikërisht mungesa e një vullneti të qartë për bashkëpunim dhe kalkulimet politike të ngushta kanë prodhuar edhe ngerçin politik që po e përjetojmë.

“Zgjedhjet e reja nuk do të duhej të konsideroheshin si qëllim në vetvete. Ato janë një mjet demokratik që duhet të përdoret me përgjegjësi. Unë shpresoj që partitë politike do të reflektojnë, do të shohin përtej interesit afatshkurtër dhe do të gjejnë zgjidhje përmes dialogut dhe bashkëpunimit institucional.  Nëse partitë nuk ndryshojnë qasjen, atëherë edhe zgjedhjet e reja do të prodhojnë një rezultat, pak a shumë, të ngjashëm me atë të 9 shkurtit, me disa lëvizje në margjina, por jo një ndryshim substancial të peizazhit politik”, tha ai.

Tutje, politologu Majkovci thotë se duhet theksuar se ndryshe nga zgjedhjet e fundit ku pjesëmarrja ishte e lartë, në rast të zgjedhjeve të reja ekziston mundësia reale që zhgënjimi politik dhe lodhja qytetare të ndikojnë në një dalje më të ulët në votime. Kjo do të thotë që edhe ndryshimet eventuale në rezultat mund të jenë të kufizuara.

“Në këtë drejtim, më shumë sesa zgjedhje të reja, vendi ka nevojë për një kulturë të re politike, për vullnet të sinqertë për bashkëqeverisje, për program të përbashkët zhvillimi dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione”, thotë ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat