Të gjithë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Politika

Të gjithë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 3 qershor 2025 Në ora: 12:08
Kuvendi i Kosovës

Të hënën, për të njëzet e pestën herë me radhë, deputetët nuk kanë arritur të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Kjo për shkak se ata nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për formimin e një komisioni që do të mundësonte votimin e fshehtë për konstituimin e Kuvendit.

Një propozim i tillë ishte bërë nga kryesuesi i seancës konstituive, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, në fillim të muajit maj.

Mirëpo, kjo nismë është kundërshtuar nga opozita. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me mbështetjen e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese më 12 maj, lidhur me kërkesën e Vetëvendosjes për votim të fshehtë.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me interpretimin e saj.

Gashi: Vetëvendosje pro votimit të fshehtë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se qëndrimi i partisë së saj mbetet i njëjtë.

Image
Liza Gashi

“Qëndrimi jonë në raport me votimin e fshehtë ka mbetur i njëjtë. Ne jemi të angazhuar për transparencë dhe një demokraci funksionale”, ka thënë ajo.

Tutje, Gashi është shprehur se një vendim nga Gjykata Kushtetuese do të ndihmonte në zgjidhjen e ngërçit politik dhe në qartësimin e praktikave parlamentare.

“Një vendim nga Gjykata Kushtetuese mund të sjellë qartësi të nevojshme për të zgjidhur këtë ngërç politik. Një interpretim i qartë dhe i drejtë i Kushtetutës do të ndihmonte jo vetëm në këtë rast, por edhe në praktikat parlamentare në të ardhmen”, ka theksuar ajo.

Po ashtu, ajo ka përmendur se janë në pritje të përgjigjes për dy kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

“Gjithashtu, jemi në pritje të përgjigjes për kërkesën që LVV-ja ka dërguar lidhur me votimin e diasporës në zgjedhjet e 9 shkurtit. Pra, aktualisht kemi dy kërkesa që presin përgjigje nga Gjykata Kushtetuese”, ka nënvizuar Gashi.

Kadrijaj ka një propozim për Gjykata Kushtetuese

Image
Time Kadrijaj

Kurse, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj për “Bota sot”, ka shprehur habi me veprimet e kreut të VV-së lidhur me mos sigurimin e votave të kreun e Kuvendit.

“E pakuptushme cirku që po ndodh në Kuvendin e Kosovës e moskokëçarja e Albin Kurtit për të siguruar votat për kandidaten për kryeparlamentare”, është shprehur ajo.

Sipas saj, Kushtetuesja duhet ta përcaktojë një afat kohor që duhet ta shfrytëzojë subjekti i parë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“Situata e krijuar po shpresojmë ta jep një përgjigje, por edhe nje zgjedhje për situatën e krijuar:

Ndoshta tash është momenti që Gjykata Kushtetuese ta afatizojë kohën që duhet ta shfrytëzojë i pari për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit!”, ka deklaruar Kadrijaj.

Bajraktari: Gjykata ka afat deri në 60 ditë

Image
Ardian Bajraktari

Ndërkaq, avokati Ardian Bajraktari ka treguar se sa është afati sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese për të dhënë interpretim mbi procedurat e konstituimit të Kuvendit.

“Referuar Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata ka afat deri në 60 ditë nga momenti i parashtrimit te kërkesës të jap intepretimin e saj në lidhje me procedurat për konstituimin e Kuvendit përkatësisht kërkesen e cila i është parashtruar sipas nenit 113, paragrafi 5 i Kushtetutës.

Megjithatë sfiduese mbetet çështja se a do të vleresohet apo jo vendimarrje edhe rrethanat kur kemi një tentative, por nuk kemi një vendimmarrje përkatësisht votim të komisionit për votim të fshehtë për zgiedhjen e kryeparlamentarit”, ka shpjeguar ai.

Më tej, Bajraktari ka nënvizuar se është thelbësore që deputetët e zgjedhur të bëjnë reflektim për tejkalimin e situatës aktuale dhe se përgjegjësia kryesore i takon subjektit që fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Por është esenciale të kuptohet se duhet reflektim nga ana e subjekteve politike, përkatësisht deputetëve të zgjedhur, ata janë përgjegjës për tejkalimin e kësaj situate, dhe herët ose vonë duhet me pasë reflektim, me u ulë e me u marrë vesh. Por natyrisht se pesha dhe barra kryesore e përgjegjësisë i takon subjektit i cili ka dalë i pari në zgjedhjet e 9 shkurtit”, ka përfunduar Bajraktari për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat