Sot, (e martë 3 qershor) janë bërë 20 vite nga atentati ndaj gazetarit të gazetës kombëtare “Bota sot” Bardhyl Ajeti.
Bardhyli mbeti i plagosur rëndë më 3 qershor të vitit 2005, ndërsa ndërro jetë disa javë më pas në Milano të Italisë ku ishte dërguar për shërim.
Vrasësit e tij nuk u gjetën asnjëherë, drejtësia heshti për vite me radhë, derisa familja Ajeti dhe gazeta “Bota sot” nuk reshtën asnjëherë së kërkuari drejtësi për vrasjen e Bardhylit.
Në 20-vjetorin e atentatit ndaj gazetarit Bardhyl Ajeti, vëllai i tij, Fitim Ajeti, ka dhënë një prononcim për “Bota Sot”.
Ai kërkon sërish drejtësi për vrasjen e pazbardhur të vëllait të tij.
Ai ka rikujtuar momentet tragjike të 3 qershorit 2005 dhe ka shprehur zhgënjimin për mungesën e përgjegjësisë institucionale dhe heshtjen që ka mbuluar këtë rast ndër vite.
“Sot, më 3 Qershor, bëhen 20 vjet që kur u bë atentat ndaj vëllait tim, Bardhyl Ajeti.
Atentati ishte i planifikuar dhe i organizuar mirë, me qëllim që Bardhylin ta vrisnin menjëherë. Por Bardhyli u përball me plumbat e vrasësve dhe jetoi deri më 25 Qershor, kur ndërroi jetë në Milano të Italisë.
Në Bardhylin shtinë natën, ashtu siç vrasin cubat, hijenat që nuk kanë guxim të përballen ditën”, shprehet Fitim Ajeti.
Tutje, Fitimi tregon “arsyen” përse e vranë Bardhylin, duke thënë se ai ishte halë në sy për kriminelët që vrasin natën dhe qajnë ditën.
“Parashtrohet pyetja: "Pse e vranë Bardhylin? Pse iu pengonin shkrimet e tij?"
Bardhyli iu pengonte; ishte një halë në sy për ata që ai ua çirrte maskat – kriminelët që vrasin natën dhe qajnë ditën. Ai shkruante dhe thoshte vetëm të vërtetën. Shkruante për njerëz që vriteshin vetëm pse mendonin ndryshe.
Bardhyli ishte guximtar, syhapur dhe i patrembur. Nuk i frikësohej vdekjes, prandaj nuk u ndal kurrë së shkruari deri në ditën fatkeqe të atentatit”, thekson ai.
Fitim Ajeti thotë se nuk do të ndalet kurrë në kërkesën e tij për drejtësi, ndërsa shpreh habinë për heshtjen e të gjithëve për rastin e Bardhylit.
“Unë, vëllai i Bardhylit, nuk do të ndalem kurrë së kërkuari drejtësi për të. Nuk do të gjej kurrë qetësi derisa të zbulohen urdhërdhënësit dhe ai që shtiu mbi Bardhylin. Vëllai im u vra vetëm sepse e donte një Kosovë të lirë – një Kosovë ku shqiptari nuk vret shqiptar.
Bardhyli e deshi shumë atdheun, por e vranë në hovin e rinisë.
Do të kërkoj drejtësi deri në frymën time të fundit. Unë po kërkoj… por për çudi, po heshtin të gjithë...”, përfundoi ai.