“Bashkëpunuan me Radoiçiqin në zhvatje të pasurive të Kosovës” – Shala: Opozita, e shantazhuar iu shërben interesave personale

Politika

“Bashkëpunuan me Radoiçiqin në zhvatje të pasurive të Kosovës” – Shala: Opozita, e shantazhuar iu shërben interesave personale

Nga: M.L. Më: 6 qershor 2025 Në ora: 10:01
Senca 6 qershor

As në përpjekjen e 27-të nuk u arrit të bëhet konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Palët nuk po lëvizin nga qëndrimet e tyre, ndërkohë që çështja ka ngecur tek votimi i Komisionit për votim të fshehtë për propozimin e LVV-së që Albulena Haxhiu të zgjidhet kryetare e Kuvendit.

Por, gjithë kjo maratonë seancash pa rezultat ngjall dyshimet se partitë e mëdha, “frikën” e tyre për marrjen e përgjegjësive shtetërore, veçanërisht për çështjen e papërfunduar të dialogut me Serbinë, e kamuflojnë me emrin e Albulena Haxhiut.

Nisur nga kjo, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, publicisti shqiptaro-amerikan, Hafiz Shala, ka ngritur shqetësimin e tij të thellë lidhur me situatën politike në Republikën e Kosovës, duke e quajtur themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe një akt që barazohet me ndarjen e veriut dhe bashkimin e tij me Serbinë.

Me këtë rast, Shala kritikoi rolin e opozitës, qëndrimet e faktorit ndërkombëtar dhe pasivitetin e klasës politike karshi kërcënimeve të sovranitetit dhe funksionalitetit shtetëror të Kosovës.

Image
Hafiz Shala

E duan pushtetin, por i frikësohen përgjegjësisë. Përmes ngërçit politik, po e nënçmojnë sovranin dhe po i pengojnë themelimet e institucioneve shtetërore.

Shkaqet e veprimeve të tilla të papërgjegjshme do t’i ndaja në tri kategori:

Frika nga e kaluara 20-vjeçare në pushtet

Vendimet e dëmshme antishtetërore

Dhe, ajo që është kryesorja: Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Pas çlirimit me ndihmën e aleatëve tanë veriatlantikë, në radhë të parë SHBA-së, mikut tonë historik, Republika e Kosovës “mori në thua që në start” me akomodimin në pushtet “përmes vullnetit të popullit” të atyre njerëzve të padijshëm, të dyshimtëve politikisht e moralisht, të paguximshëm për vendime të mëdha në interes të popullit të sapodalë nga lufta, të pangopur nga egoja personale, të paprekshëm sepse, sipas tyre, vetëm ata e çliruan Dardaninë dhe vetëm atyre u takon pushteti dhe beneficionet personale, duke i lënë pas dore bashkëluftëtarët e tyre.

Në rrethanat kur duhej të vendoseshin kornizat afatgjata shtetërore, ata e shndërruan veten në individë të paprekshëm, të pakurrizorë ndaj ndërkombëtarëve, në dëm të interesave shtetërore, atëherë kur duhej ta ngritnin zërin me të drejtë për trajtimin jotë barabartë karshi Serbisë, duke i harruar viktimat e luftës dhe gjenocidin serb, për t’u shndërruar në të dëgjueshëm, të disiplinuar e servilë ndaj Serbisë.

Nga dëshira që tërë luftën e UÇK-së t’ia përshkruajnë vetes si meritë dhe përvetësim, bënë gabime të cilat po i vuajmë sot, nesër e nuk dihet edhe sa kohë, sepse, me ose pa vetëdije, e kemi futur veten si shtet në obligime që nuk do të duhej të ndodhnin. Kishim një Kushtetutë, ndonëse të imponuar e hartuar nga ndërkombëtarët, por edhe si e tillë nuk lejonte ndërhyrje të imponuara nga Serbia, gjoja për hir të paqes, por jo edhe ndaj Serbisë”, thotë ai.

Sipas tij, tani vendi ndodhet në një situatë absurde ku pakicës i jepet e drejta e vetos bllokuese për çështjet nacionale.

Plani i Martti Ahtisaarit nuk është Bibël e as Kuran i përjetshëm, të cilin, edhe aty ku ka deformime, duhet apriori të zbatohet, madje edhe kur bie në kundërshtim formal me Kushtetutën. Kjo rrezikon një të ardhme të paqartë dhe të rrezikshme, duke e sakrifikuar shtetësinë, duke çuar drejt defunksionalizimit të saj, deri në rrezik të copëtimit sipas apetiteve gllabëruese serbe, të cilat, pa ndërprerë dhe duke kushtëzuar me metoda perfide e pa luhatur, kërkojnë themelimin e Asociacionit njëetnik të komunave me shumicë serbe, ndonëse ekziston Asociacioni i Komunave të Republikës së Kosovës.

Pra, në një shtet me 93% të popullsisë shqiptare, na u imponua të shndërrohet në një shtet multietnik, me flamur që nuk e përfaqëson shtetin dhe realitetin e popullsisë; nuk u pranua Himni i Dr. Ibrahim Rugovës “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë (Dardani)”, duke na u imponuar një himn i pakuptimtë, i paqartë dhe pa domethënie, përmes fishkëllimës. Jam i vetëdijshëm se ky ka qenë kusht për ta shpallur pavarësinë, por nuk mund të vazhdojmë në pafundësi, sepse kemi ardhur në një situatë absurde ku pakicës i jepet e drejta e vetos bllokuese për çështjet nacionale.

Edhe pas të gjitha këtyre koncesioneve dhe diskriminimeve pozitive, si shprehje e vullnetit të mirë për paqe dhe fqinjësi normale, kërkesat e Serbisë, të përkrahura nga Evropa dhe të vëzhguara edhe nga Amerika, si dhe animi ndaj Serbisë dhe kushtëzimi e presioni përmes masave – sanksioneve ekonomike ndaj Kosovës – nuk kanë të ndalur. Pse? Dhe deri kur?!”, pyet Shala.

Presioni nga ndërkombëtarët

Tutje, publicisti Shala e vlerëson si skandaloze deklaratën e komisionares Marta Kos se rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes dialogut me Serbinë.

“Kush dhe pse i frikësohet ngërçit në të cilin ka hyrë Republika e Kosovës, duke bërë vetëvrasje politike për popullin dhe shtetin në momentet më kritike, kur Evropa, edhe pse jepte disa shenja të trajtimit të barabartë në raport me Serbinë, përmes disa deklaratave të përfaqësuesve evropianë – me apo pa qëllim, me apo pa vetëdije – siç ishte deklarata e Komisioneres Marta Kos në takimin me Vuçiqin, ku u shpreh se “rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes dialogut me Serbinë dhe jo përmes veprimeve të njëanshme”. Një deklaratë skandaloze, për të cilën duhet të kërkohet dorëheqja e saj e pakontestueshme, sepse veprimet e ashtuquajtura “të njëanshme” kanë qenë në funksion të shtetit dhe zbatimit të ligjeve në fuqi.

Znj. Kos, shtrirja e sovranitetit, luftimi i krimit, korrupsionit dhe i grupeve terroriste – ndaj të cilave nuk pati asnjë reagim, njësoj si ndaj sulmit në Banjskë, duke heshtur – nuk janë dhe nuk guxojnë të konsiderohen veprime të njëanshme. Sepse, nëse do të presim mëshirën e Vuçiqit, i cili përmes Listës Serbe i detyroi organet administrative, gjyqësore dhe policore të largohen demonstrativisht nga vendet e tyre të punës, atëherë shteti nuk mund të funksionojë. Shteti nuk mund të lejojë qytetarët të mbeten pa shërbime, ndërsa ndalesat e përdorimit të valutave dhe të zyrave paralele të një shteti tjetër, në një shtet demokratik dhe sovran – të cilin ju e keni njohur, ndonëse katër shtete ende nuk e kanë bërë për shkak të mosunitetit brenda BE-së – janë të domosdoshme. Ky mosunitet është pengesa kryesore për t’i imponuar Serbisë njohjen e Kosovës”, ka nënvizuar ai.

Nga ana tjetër, publicisti thotë se opozita e Kosovës, e futur në obligime të vet-pranuara si pasojë e veprimeve të përbashkëta biznesore, politike, korruptive dhe kriminale me Listën Serbe – përfshirë pranimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme me Serbinë, pranimin e inferioritetit ndaj saj, shantazhet dhe bashkëpunimin kriminal – nuk është në gjendje t’u kundërvihet kërkesave, shantazheve dhe diktateve serbe.

Që pas çlirimit, Marrëveshja e Kumanovës ishte pikënisja ku Kosovës iu kurdis kurtha, e pranuar nga pjesëmarrësit në atë marrëveshje, duke u dakorduar në heshtje për ndarjen e veriut. Përmes forcave franceze të KFOR-it u vendos një kufi mbi lumin Ibër, i cili, ndonëse duket formal, në të vërtetë paraqet një “lloj garance ndaj Serbisë” që, përmes themelimit të Asociacionit njëetnik të komunave me shumicë serbe, në perspektivë e synon ndarjen e pjesës veriore dhe bashkimin e saj me Serbinë. Kjo e fundit, me përkrahjen e Rusisë, ka për qëllim krijimin e “Serbisë së Madhe”, një ëndërr shekullore, që po tentohet të realizohet në mënyrë djallëzore dhe në bashkëpunim me “vëllain e saj siamez”, Edvin Kristaq Rama.

Ky i fundit, përmes veprimeve të bashkërenduara me Vuçiqin, i ka shkaktuar Kosovës dëme të pariparueshme, duke krijuar hapësirë për një kufizim Serbi-Shqipëri, të cilin e kanë paraqitur si “bashkim kombëtar shqiptar”, por në thelb është projekt i përbashkët për korrigjim-ndarje të territoreve, i ideuar nga treshja famëkeqe: Rama, Vuçiq, Thaçi. Ky i fundit, disa herë publikisht ka deklaruar se “ndarja e Mitrovicës është një realitet i hidhur”.

Opozita, siç e theksova më herët, është e shantazhuar për shkak të bashkëpunimit të gjatë, mbi 20-vjeçar, përmes koalicioneve me Listën Serbe dhe me kryeterroristin Milan Radoiçiq, të cilin e kanë pasur të pranishëm në zyrat e tyre, në cilësinë e Kryeministrit dhe të Presidentit. Ata bashkëpunuan në zhvatje të pasurive të Kosovës, përmes bizneseve, tenderëve dhe terminaleve doganore, duke trafikuar mallra e vlera monetare. Sot, kur duhet ta ngrisin zërin, nuk kanë guximin t’i kundërvihen as Radoiçiqit e as Serbisë, sepse Serbia, me shumë gjasë, posedon dëshmi të cilat një ditë mund t’i bëjë publike.

Këta janë të njëjtët që e karakterizonin Radoiçiqin si “njeriun përgjegjës për veriun”, ai që ua lejonte vizitat në veri dhe shëtitjet në liqenin e Ujmanit; ai që, në mesnatë, i priste në cilësinë e mikut për të kërkuar vota për postet shtetërore – dhe që, në të vërtetë, e mbajti fjalën duke e dërguar Listën terroriste serbe në Beograd për të marrë pëlqimin e Vuçiqit. Ky i fundit, me gjasë, ka kërkuar kushte në këmbim të kësaj mundësie, që përfundimisht ka çuar drejt sigurimit të votës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pranimin e korrigjimit/ndarjes së veriut dhe vazhdimin e faljes së territoreve – të gjitha këto nën pretekstin e liberalizimit të vizave nga BE-ja, për të cilën ngritën dolli, ndonëse kurrë nuk ndodhi gjatë qeverisjes së tyre”, shprehet ai.

Opozita nuk ka guxim të ndërmarrë hapa “destruktivë” si Albin Kurti, sepse, bazuar në veprimet e tyre të mëparshme, ata janë të gatshëm të pranojnë çdo kusht për të mos u ekspozuar publikisht me marrëveshjet dhe tradhtinë ndaj atdheut”, thotë ai.

Ngërç artificial

Tutje, Shala konsideron se çështja e Asociacionit të komunave njëetnike me shumicë serbe është thelbësore – dhe pikërisht këtu opozita, për shkak të mungesës së guximit për t’u deklaruar hapur, po e krijon një ngërç artificial për të shmangur përgjegjësinë.

Situata ngjan me thënien popullore: “Dikush hipën në maje të tallës – as nuk e ha tallën vetë, as nuk lejon të tjerët ta hanë.”

Kushdo që e themelon Asociacionin e komunave njëetnike me shumicë serbe, sipas kërkesave të Serbisë, është pajtuar me ndarjen e pjesës veriore dhe bashkimin e saj me Serbinë. Kushtetuta në fuqi, askund nuk parashikon themelimin e ndonjë Asociacioni njëetnik në një shtet që është aktualisht multietnik.

Nuk mund të lejojmë që ndërkombëtarët ta trajtojnë Dardaninë si një shtet klient, të cilit ia caktojnë diagnozën dhe terapinë.

Prandaj, nuk mund ta dorëzojmë sovranitetin për të ruajtur partneritetin dhe nuk mund ta rrezikojmë lirinë për të pranuar robërinë. Ndërkombëtarët, më në fund, duhet të kuptojnë se Serbia gënjeshtrat dhe ëndrrat e saj i ka futur në histori, duke ua mësuar fëmijëve që në klasat fillore se “Kosova (Kosova) është zemra e Serbisë”.

Shtrohet pyetja: pse opozita nuk e voton znj. Albulena Haxhiun për Kryeparlamentare? Sepse nuk duan të konstituohen organet shtetërore – që do të thotë se janë të prirur për kaos, duke pritur ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, si gjithmonë, për ta eliminuar Kurtin nga posti i Kryeministrit. Këta kanë lobuar gjatë gjithë kohës në SHBA kundër Kurtit, në vend që të lobonin kundër Vuçiqit. Ata, bashkë me Vuçiqin dhe Rusinë, lobojnë kundër Kurtit, me arsyetimin se “ai po i bllokon proceset dhe marrëveshjet me Serbinë”, gjoja duke harruar të kaluarën për të ecur përpara”, thekson ai.

Sa i përket kandidaturës së Albulena Haxhiut, publicisti thotë se një nga arsyet për mosvotimin e saj është frika nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë, e cila është shprehur përmes dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të disa ligjeve që burojnë nga kjo Byro.

Albulena, si Ministre e Drejtësisë, ka qenë e pakompromis në luftën kundër kësaj dukurie, e cila kryesisht prek ish-udhëheqës dhe komandantë që, pa mëshirë, abuzuan dhe vodhën gjithçka u erdhi në dorë.

Pse nuk e tejkalojnë ngërçin me votimin e znj. Haxhiu për Kryetare të Kuvendit, për ta testuar Kurtin në formimin e Qeverisë dhe për t’i dhënë opozitës mundësinë që të formojë ajo Qeverinë nëse i ka numrat? Kosova po rrezikohet me fajin tonë, në të gjitha aspektet. Prandaj, inatet dhe interesat partiake po vendosen mbi ato shtetërore dhe qytetare, çka reflekton papjekuri dhe mungesë guximi për t’u marrë me çështjet jetike: politike, ekonomike dhe shtetërore.

Albin Kurti është deklaruar qartë kundër Asociacionit, ndërsa opozita hesht, nga frika se sovrani do t’i ndëshkojë – dhe ashtu do të ndodhë. Si mund Albin Kurti të hyjë në koalicion me cilëndo parti opozitare, nëse ato janë të gatshme të formojnë një organizëm antikushtetues brenda shtetit, që simbolizon ndarjen, defunksionalizimin dhe defaktorizimin e Republikës së Kosovës – shtet sovran dhe i pavarur, i themeluar mbi gjakun e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të dalë nga gjiri i popullit të shumëvuajtur ndër shekuj?”, përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat