“Kosova, NATO dhe rreziku nga Serbia – një ripozicionim i SHBA-së në Ballkan”

Politika

“Kosova, NATO dhe rreziku nga Serbia – një ripozicionim i SHBA-së në Ballkan”

Nga: A.M. Më: 6 qershor 2025 Në ora: 16:09
Drizan Shala

Të mërkurën, nënkomiteti për Evropën, pjesë e Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, i kryesuar nga kongresisti Keith Self, zhvilloi një seancë dëgjimore me temë ‘Vlerësimi i sfidave me të cilat përballet NATO’.

Kjo seancë u fokusua në kërcënimet në zhvillim që rëndojnë mbi Aleancën dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kontekst, u diskutua edhe aspirata e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe rreziqet që vijnë nga Serbia dhe Republika Sërpska, si dhe rëndësia e mbështetjes amerikane për këtë proces.

Ekspert i Sigurisë, Drizan Shala e ka vlerësuar këtë zhvillim si një pikë kthese strategjike për perceptimin amerikan ndaj Ballkanit Perëndimor.

Ai në një bashkëbsiedim për “Bota sot” ka thënë se për herë të parë, Kongresi amerikan i kushton vëmendje të veçantë aspiratave të Kosovës dhe identifikon qartë Serbinë dhe Republikën Sërpska si burime destabilizimi në rajon.

“Kjo seancë është një pikë kthese strategjike në perceptimin amerikan për Ballkanin Perëndimor. Për herë të parë pas një periudhe të gjatë, një nënkomitet i Kongresit vendos të adresojë publikisht aspiratat e Kosovës për NATO dhe të identifikojë qartazi Serbinë dhe Republikën Sërpska si burime të destabilitetit. Kjo tregon se Uashingtoni po lexon me serioz transformimin e rajonit në një arenë të re të ndikimit rus, përmes strukturave paralele, tensioneve etnike dhe shtrirjes së ndikimit klandestin.

Për Kosovën, kjo është një hap i madh drejt legjitimitetit strategjik dhe një konfirmim se orientimi i saj perëndimor ka vlerë të njohur nga partnerët kyç si SHBA”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, mbështetja e SHBA-ve është vendimtare në nivele politike, diplomatike dhe operacionale.

“Është vendimtare në të gjitha dimensionet: politik, diplomatik dhe operacional. Shtetet e Bashkuara janë sponsorë të pavarësisë së Kosovës dhe garanci e stabilitetit të saj pas vitit 1999. Mbështetja amerikane për NATO nuk është vetëm çështje retorike – ajo përkthehet në qasje më të lehtë në forume strategjike, në ngritje kapacitetesh për FSK-në dhe në ndërkombëtarizim të kërkesave legjitime të Kosovës.

Anëtarësimi në NATO, përveçse përforcon sigurinë kombëtare të Kosovës, do të ishte një bllokadë institucionale ndaj çdo agresioni potencial serb, dhe një mekanizëm afatgjatë për paqen rajonale”, ka nënvizuar Shala.

Shala është pyetur se mund të shihet kjo vëmendje e Kongresit si një sinjal për ndryshim të politikës amerikane në rajon.

 “Po, pa dyshim. Kemi hyrë në një fazë të re ku SHBA po rikthen vëmendjen strategjike në Ballkan**, jo vetëm përmes NATO-s, por edhe për të adresuar penetrimin rus, kinez dhe autoritar në rajon. Kongresi ka funksion të qartë: të sinjalizojë ekzekutivit dhe komunitetit ndërkombëtar për domosdoshmërinë e një qasjeje më aktive.

Ky është një rikthim i fuqisë politike amerikane, që nuk do të lejojë më as status quo të ngrirë, as lojëra të dyfishta të aktorëve si Serbia. Vëmendja për Kosovën në këtë kontekst nuk është vetëm mbështetje, por një pjesë e një strategjie më të gjerë për rivendosjen e rendit perëndimor në rajon”, ka vlerësuar ai.

Ndryshe, Shala ka paralajmëruar për një kërcënim destabilizues hibrid që vjen nga Beogradi dhe Banja Luka, me mbështetje nga Moska.

“Jemi përballë një rreziku real të një skenari destabilizues hibrid, i cili po ushqehet nga Beogradi dhe nga Banja Luka, me mbështetje teknike, financiare dhe propagandistike nga Moska. Republika Sërpska nuk është më thjesht një strukturë autonome boshnjake – është një platformë e projeksionit rus në zemër të Ballkanit, me potencial për të destabilizuar jo vetëm Bosnjën, por edhe Malin e Zi dhe Kosovën.

Rritja e tensioneve, sulmet ndaj institucioneve, krijimi i strukturave paralele të sigurisë në veri të Kosovës – janë pjesë e një strategjie që synon ngadalësimin ose bllokimin e rrugës euroatlantike të rajonit. Kjo është arsyeja pse reagimi amerikan duhet të jetë jo vetëm deklarativ, por edhe operacional dhe i koordinuar me BE-në dhe NATO-n”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Shala ka deklaruar se koha e pritjes ka kaluar dhe Kosova duhet të kërkojë hapur anëtarësimin në NATO, të ndërmarrë reforma të thella në siguri dhe të forcojë diplomacinë e mbrojtjes

 “Koha e pritjes ka kaluar. Kosova duhet të artikulojë qartë kërkesën për anëtarësim në NATO, të ofrojë vullnet për reforma të thella në sektorin e sigurisë dhe të forcojë diplomacinë e mbrojtjes. Po ashtu, FSK duhet të shndërrohet në një ushtri të certifikuar me kapacitete ndërvepruese me NATO-n, përmes trajnimeve, operacioneve të përbashkëta dhe zgjatjes së partneriteteve rajonale.

Lidershipi duhet ta kuptojë se çdo dritare strategjike ka afat, dhe ky është momenti për të qenë ofensiv – në fjalë, veprim dhe vizion”, ka përfunduar Shala.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat