Situata politike vazhdon të jetë e njëjtë, partitë politike pozitë dhe opozitë mbajnë të njëjtat qëndrime, duke pamundësuar kështu formimin e institucioneve të reja.
Pozita këmbëngulë në zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare të Kuvendit të Kosovës, derisa opozita nuk e do Haxhiun në këtë pozitë.
Mirëpo, derisa asnjëra nga partitë politike nuk ndryshon qëndrimet e tyre, kujt po i konvenon më tepër kjo situatë e ngërҫit politik?
Lidhur me këtë ҫështje, njohësi i ҫështjeve politike, Agron Hoti thotë se partia fituese Vetëvendosje ka një qëllim të caktuar pse këmbëngul për Albulena Haxhiun si kryeparlamantare.

“Edhe pse nuk kam fakte për këtë, në leximin tim partia fituese i ka dyert e mbyllura nga SHBA. E vetëdijshme për këtë, partia fituese kandidaten për kryekuvendare e ka vetëm si arsyetim për vonesa, duke e përdorur atë vetëm si instrument për t’u bërë me dije amerikanëve se “nëse ju keni vija të kuqe ndaj nesh si parti fituese, edhe ne s’lëvizim nga ky pozicion.” Evropianët sado që po mundohen ta rrisin presionin për formimin e institucioneve, janë të pafuqishëm e aq më tepër të pambështetur nga SHBA për të krijuar një qeveri si e kaluara. Partitë opozitare të vetëdijshme për këtë tërheqje amerikane, mosvotimin e kryekuvendares e kanë vetëm si arsyetim për ta zvarritur procesin, sepse fundja fyese dhe përçarëse ka qenë tërë partia fituese e jo vetëm kandidatja për kryekuvendare”, vlerëson ai.
Analisti Hoti thotë se, përmes kësaj zvarritjeje partia fituese po mundohet ta kapitalizojë këtë gjendje si bllokadë e opozitës, në mënyrë që nëse do të mbaheshin njëherazi zgjedhjet lokale dhe qendrore në tetor të këtij viti ta rriste votën.
“Por, rritja e çmimit të energjisë, pastaj zbardhjet më të fundit të aferave korruptive dhe vazhdimi i tyre deri në tetor janë duke ia ulur përkrahjen partisë fituese dhe nuk janë të rastësishme pse pikërisht tani janë duke u zbardhur këto afera. E që për mendimin tim amerikanët janë shumë të interesuar t’ia ulin sa më shumë përkrahjen qytetare partisë fituese, të cilën në vazhdimësi e kanë kritikuar për pengim të dialogut me Serbi përmes veprimeve të pakoordinuara në veri të Kosovës”, thekson Hoti.
Ai thotë tutje se, përderisa Kosova vazhdon t’i ketë dyert e mbyllura nga SHBA, gjendja aktuale do të vazhdojë.
“Amerikanët do të jenë të kujdesshëm në deklarata në këtë fazë, nga frika se partia fituese mund t’i kapitalizojë ato siç pati bërë në vitin 2020. Jo rastësisht SHBA nuk ka dërguar ende ambasador të saj në Kosovë. Prandaj, gjasat që në tetor të këtij viti të mbahen njëherazi zgjedhjet lokale dhe qendrore janë reale”, vlerëson ai.