Serbia ndaloi ish-pjesëtarin e NjSO-së së Kosovës, flasin juristët – kërkojnë reagim ndërkombëtar!

Politika

Serbia ndaloi ish-pjesëtarin e NjSO-së së Kosovës, flasin juristët – kërkojnë reagim ndërkombëtar!

Arife Morina- Mulaku Nga Arife Morina- Mulaku Më 9 qershor 2025 Në ora: 13:15
Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative (NjSO) të Policisë së Kosovës

Serbia po vazhdon me të gjitha mjetet e saj që ta pengojnë Kosovën dhe qytetarët e saj.

Se fundi, Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative (NjSO) të Policisë së Kosovës, u ndalua nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe u dërgua në qendrën e ndalimit në Kanjizë.

Këtë gjë, e ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci.

Përmes një postimi në Facebook, avokati Koci njoftoi se ndonëse Spahiu ka tre vjet që nuk është pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani, ai është marrë në pyetje për rastin Banjska - që ka të bëjë me sulmin e një grupi të armatosur serb kundër Policisë së Kosovës në këtë fshat të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.

“Ky rast është serioz dhe nuk është i izoluar”, ka thënë Koci.

Reagimi i MPJD-së

Në lidhje me këtë rast, është deklaruara edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Sipas MPJD-së, Spahiu po udhëtonte me autobus së bashku me familjen, gjatë kthimit të tij nga Austria drejt Kosovës.

Menjëherë pas marrjes së informacionit për ndalimin, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka dorëzuar një kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

“Kërkesa ka pasur për qëllim konfirmimin e ndalimit, ofrimin e sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimin mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të z. Spahiu”, thuhet në përgjigjen e zyrtares së MPJD-së, Qendresa Fazliu.

Por, se çfarë masash tjera duhet të ndërmerren dhe a duhet të ketë reagim ndërkombëtarë, folën njohësit e çështjeve juridike.

Bajraktari: Kategori të ndryshme të qytetarëve të Kosovës mund të jenë cak i këtyre ndalimeve

Së pari, në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati Ardian Bajraktari.

Si fillim, ai u shpreh se arrestimet e tilla tregojnë qartas mendësinë e shtetit serb dhe qasjen e politikës së Vuçiqit.

“Ndaljet dhe arrestimet nga ana e autoriteteve serbe shpërfaqin mendësinë e këtij vendi, si rob i mendësisë së vjetër, të politikës së Vuqiçit, i cili me propagandë dhe jo vetëm i ka shërbyer një regjimi gjenocidal”, deklaroi avokati.

Image
Ardian Bajraktari

Kësisoj, ai kërkoi që të shmangen sa më shumë udhëtimet përmes Serbisë, pasi qytetarët tanë mund të jenë cak i maltretimeve të ndryshme.

“Duke qenë kjo mendësi, e gjitha që duhet bërë është shmangia e këtij shteti sa më shumë që është e mundur, ndryshe kategori të ndryshme të qytetarëve të Kosovës mund të jenë cak i këtyre ndalimeve me maltretimeve të llojllojshme”, tha ndër të tjera Bajraktari për “Bota sot”.

Burjani: Serbia po arreston shpesh njerëz të cilët nuk kanë qenë pjesë e luftës për shkak të mbiemrave të ngjashëm dhe emrave të disa personave

Kurse, juristi Blerim Burjani kritikoi heshtjen e BE-së ndaj këtyre veprimeve të qeverisë së Beogradit, derisa shtoi se ky nuk është arrestimi i vetëm, por që ka pasur edhe arrestime të tjera.

Në këtë rast, ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” u bëri thirrje institucioneve të Kosovës të angazhohen dhe të kontaktojnë me personin e arrestuar.

“Këtu ka heshtje para së gjithash të BE, ku asnjëherë nuk i është tërhequr vërejtja së paku Serbisë për këto arrestime. Ky nuk është arrestimi i parë i shtetasve kosovarë, por ka edhe më herët, ku të tjerë janë arrestuar e janë mbajtur në burgje, për më shumë se një vit, kërkohet reagim i shpejt i MPJD, të informohet BE dhe zyra e saj në Kosovë për ndalesa, të angazhoj zyrën e Kosovës në Beograd që të kontaktojë personin e arrestuar përmes autoriteteve serbe, të dihet pse është bërë arrestimi”, theksoi ai.

Image
Blerim Burjani

Gjithashtu, juristi potencoi faktin se shteti serb po arreston persona për shkak që kanë mbiemra të ngjashëm me ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Ai këtë gjë e quajti absurditet të madh.

“Serbia po arreston shpesh njerëz të cilët nuk kanë qenë pjesë e luftës për shkak të mbiemrave të ngjashëm dhe emrave të disa personave, pra latinisht e quajnë ‘error i persona’.

Kësisoj ka gabime, por ka edhe qëllime ndaj ushtarëve të Kosovës, që të marrin njerëz të tillë, pra absurditet po ndodh ndaj ushtarëve të UÇK-së”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat