Më 9 qershor, u bën katër muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Ato u mbajtën me 9 shkurt të këtij viti, ndonëse nuk është se dhanë një parti fitues me shumicë.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.
Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.
AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.
Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka qenë i vetmi që e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Kurtin nga partitë tjera shqiptare.
Të gjitha partitë e tjera, po refuzojnë marrëveshje politike për të konstituar dhe për të formuar një qeveri të re.
Ngërçi institucional, i krijuar nga mospërmbyllja e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, po e dëmton funksionimin e shtetit.
Seancat konstituive në vazhdimësi po dështojnë, skenari i tyre po dihet tashmë, pasi është i njëjtë: seanca zgjat pak minuta, dhe vazhdon pas 48 orësh.
Mirëpo, pas gjithë këtyre muajve, edhe sa duhet të presin qytetarët për qeveri të re apo deputetët e kanë sjellë ‘Kuvendin’ në një rrugë pa zgjidhje?
Preqi: Do të shohim skena të tilla edhe në vazhdim apo edhe në të ardhmen
E për situatën në të cilën gjendet vendi tash e sa muaj, për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.
Fillimisht, ai tha se as nuk e kishte menduar se do kalonin kaq muaj nga zgjedhjet dhe Kosova ende nuk do kishte institucionet e saj.
Ai fajtorë për këtë situatë i bëri deputetët e Kuvendit, derisa tha se nga kjo bllokadë vendin po e lë në një pozitë jo të mirë.
“Me 9 qershor u bënë katër muaj që kaluan nga mbajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, dhe kush do e kishte menduar se do zgjaste dhe bëhet një zvarritje e tillë, që na qon deri te një bllokadë e paprecedent, duke e krijuar këtë situatë jo të mirë, që e lë vendin pa konstituim të Kuvendit dhe institucione të reja.
Të zgjedhurit e këtij populli, apo deputetët e tillë, në këtë rast nuk treguan forcën e tyre bindëse që e merr formën e shërbëtorit të popullit të këtij vendi, por lojrat e tilla jo transparente dhe manovrimet e tyre dinake e krijojnë përshtypjen vetëm për të ardhë në pushtet.
Kjo tregon dobësinë dhe ligësinë e tyre, duke veçuar opozitën, e cila ngarkohet me përgjegjësinë kryesore, kur bëhet fjalë zgjedhja e kryekuvendarit, të cilën do ta propozonte partia fituese, sikur në këtë rast LVV, dhe emri i këtij propozimi refuzohet nga opozitarizmi me dhjetëra herë, duke krijuar një bllokadë të tillë të pakuptimtë”, u shpreh opinionisti.

Krahas kësaj, Preqi potencoi se këto seanca mund të vazhdojnë ende dhe mund të mbesim për kohë të pacaktuar në një situatë të tillë.
Mëgjithatë, tha se ky është një mesazh jo i mirë nga liderët politikë për qytetarët dhe aleatët e shtetit tonë.
“Me të drejtë mund të arrijmë në përfundim se, populli i këtij vendi duhet të vetëdijësohet dhe të mos hamendësohet me votën dhe vullnetin e vet, duke e përzgjedh shërbëtorin e vet dhe të këtij vendi, dhe të ruaj përherë një lloj nostalgjie për udhëheqësin e vet më të mirë, një rregull ky që duhet t’i nënshtrohet në çdo zgjedhje, duke i ndëshkuar pushtetet e dëmshme të këtij vendi.
Seancat e tilla për konstituimin e Kuvendit, mund të zgjasin edhe më shumë, duke mbetë në këtë pikë të dobët, e cila po i jep Kosovës dhe lidershipit të saj një mesazh jo të mirë edhe përkundër rrethanave në marrëdhëniet ndërkombëtare, po ashtu edhe rrethanave jo të përshtatshme për shtetin dhe popullin e këtij vendi”, nënvizoi ai.
Tutje, opinionisti dështimet e seancave konstituive i cilësoi si një lojë politike të partive, ku tha se për shkak të inateve personale e kanë bllokuad Kuvendin e Kosovës.
“Jemi deri te seanca e 30-të, radhazi të dështuara në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, dhe çka duhet të themi dhe të shkruajmë për këtë lojë, që mund ta quajmë edhe një lojë e akterëve të një politike të dobët, që po ia imponojmë këtij vendi dhe vetë institucioneve të Republikë së Kosovës, përshkak të inatëve partiake dhe personale.
Për t’i kuptuar më mirë lojtarët e kësaj loje e një politike të ndyrë, që po i kthehet në bumerang këtij populli të vuajtur dhe këtij vendi që nuk e ka merituar në këtë mënyrë, do të shohim skena të tilla edhe në vazhdim apo edhe në të ardhmen, që nuk do të ndaleshin vetëm atëherë kur do të pushojë besimi dhe vota e popullit për këta deputetë dhe një lidershipi të tillë, të cilët po abuzojnë me fatin e popullit dhe institucionet e vendit të vet”, shpjegoi Preqi.
Ndër të tjera, ai paralajmëroi se ky ngërç mund të vazhdojë për muaj dhe javë të tëra, pasi deputetëve nuk po iu bëhet vonë.
Madje, nuk kurse kritikat për të zgjedhurit e popullit dhe qasjet e tyre politike.
“Kjo bllokadë mund të vazhdojë edhe me muaj e javë të tëra, përderisa kjo gjendje alarmante dhe kritike nuk i shqetëson fare deputetët e Kuvendit, sepse një pjesë e tyre, duke iu referuar opozitës, nuk e kanë gajlen e këtij institucioni se kur do të krijohet, por me rëndësi është se si është e mundur që Albin Kurti, dhe LVV, të mos figurojnë në krye të qeverisë së Kosovës.
Duhet të shtojmë këtu edhe elemente të tjera, që një pjesë e madhe e këtyre deputetëve e kanë humbur njeriun e kulturës parlamentare, për të cilët kjo bllokadë e konstituimit të Kuvendit, u duket normale, perceptime që shkojnë përtej një realiteti shumë të ndieshëm dhe të prekshëm për një vend, siç është sot Kosova.
Prandaj, gjithçka është e veçantë për këtë gjendje apo bllokadë të krijimit të institucionit më kryesor të vendit tonë, mbetet aftësia dhe veprimet individuale e kolektive dhe të këtij lidershipi për të zgjidhur këtë problem, që domosdoshmërisht është akut, për të vijuar më tutje krijimin e një qeverie të re, e cila e ka rëndësinë e vet në zgjidhjen e shumë problemeve tjera zhvillimore dhe udhëheqjen e vendit”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.
Haziri: Kam përshtypjen se gjithcka është normalizuar në këtë vend
Ndërsa, analisti politik Nexhat Haziri tha se ky ngërç vjen si shkak i mosgatishmërisë së liderëve politikë për të bashkëpunuar mes vete.
Madje, ai tha se deputetët këtë po e marrin si normale, prandaj as nuk mundohen që të bëjnë një zgjidhje për situatën e krijuar.
“Kam përshtypjen se gjithçka është normalizuar në këtë vend, pra edhe paligjësia, edhe ngërci politik, edhe mosgatishmëria për të biseduar dhe marrëveshur me njëri-tjetrin. Dhe në këtë kontekst, edhe deputetët nuk ndjehen të shqetësuar për ngërcin politik ku edhe pas katër muajsh nga zgjedhjet parlamentare ne nuk kemi kuvend të konstituar e as qeveri të re, e në anën tjetër qeveria në detyre sillet krejtësisht normal sikur të ishte qeveri me mandat të rregullt ku merr vendime antiligjore dhe kundër kushtetuese”, theksoi ai.

Madje, analisti vlerëson se qytetarët nuk po reagojnë mjaftueshëm ndaj kësaj situate.
Sipas tij, moreagimi është sinjal se ata nuk brengosen për bllokadën në të cilën gjendet shteti.
“Por, në anën tjetër nuk shohim as te qytetarët që kjo gjë apo kjo situatë po i brengos pasi nuk kemi as ndonjë reagim qytetar që të bëhet presion te partitë politike për t'i dhënë fund kësaj situata të krizës politike, e institucionale, dhe jo vetëm”, përfundoi Nexhat Haziri për “Bota sot”.