Dje, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.
Takimi është zhvilluar në një atmosferë bashkëpunuese dhe është fokusuar në koordinimin ndër komunal për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve në të dy anët e qytetit të ndarë nga lumi Ibër.
Pas takimit, Kurti tha se diskutimi me Hamzën ishte i përqendruar në mundësitë për bashkëpunim mes dy komunave – Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut – për çështje që prekin përditshmërinë e qytetarëve.
“E kemi thënë edhe në komunikatën tonë: bashkëpunimi është në shërbim të qytetarëve, për të dy komunat në të dy anët e Ibrit, për të njëjtin qytet në veri,” deklaroi Kurti.
Por, a mund të jetë një “përafrim” mes LVV-së dhe PDK-së për një koalicion të mundshëm?
Sadiku: Çdo gjë mund të jetë hapur sepse komunikimi ne politik është natyrshëm
Analisti Arbnor Sadiku, në një përgjigje për “Bota sot”, deklaroi se, ndonëse komunikimi në politikë është gjithmonë i hapur për mundësi të ndryshme, në këtë rast takimi mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kryetarit të Mitrovicës, Bedri Hamza, ka pasur një fokus të qartë.

Sipas tij, bëhet fjalë për çështjen e definimit më të saktë të kufijve komunalë ndërmjet Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.
“Çdo gjë mund të jetë hapur sepse komunikimi në politik është natyrshëm, por, jo kësaj radhe sa kam unë informacione, takimi ndërmjet Kurtit dhe Hamzës ka të bëjë me çështjen e definimit më të saktë të kufijve komunal, ndërmjet komunës së Mitrovicës së Veriut dhe Jugut” – deklaroi ai.
Aliçkaj: Koalicion pa lëshime të korrupsionit dhe mbrojtja e shtetit ose zgjedhje të jashtëzakonshme
Veprimtari Agim Aliçkaj tha se takimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me kryetarët e Mitrovicës, Erden Atiq dhe Bedri Hamza, ishte në funksion të bashkëpunimit për projekte të përbashkëta mes qeverisë dhe komunave.
Ai vuri në dukje se takimi me Hamzën, si deputet i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, mund të shërbejë për zbutjen e tensioneve mes VV-së dhe PDK-së dhe për zhbllokimin e procesit institucional pas zgjedhjeve.
Sipas Aliçkajt, lëshimi pe nga njëra palë do të vlerësohej pozitivisht nga qytetarët dhe do të ndihmonte në kapërcimin e ngërçit politik.
“Takimi i Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me kryetarët e komunave të Mitrovicës Veriore dhe Jugore, Erden Atiq dhe Bedri Hamza, siç është raportuar, ishte në interes të bashkëpunimit qeveri-komunë për zbatimin e projekteve të përbashkëta.

Vëmendje e veçantë iu kushtua takimit me z. Hamza, i cili është deputet i PDK-së dhe njëherësh kandidat i kësaj partie për kryeministër. Do të ishte mirë që ky takim të ndikonte në zbutjen e tensioneve midis VV-së dhe PDK-së dhe në gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve shtetërore bazuar në zgjedhjet e fundit. Kjo pritet të shihet në ditët në vijim.
Ndoshta deputetët, ashtu si populli, janë të lodhur dhe pas 29 dështimeve në zgjedhjen e organeve të kuvendit, hera e tridhjetë do të jetë e suksesshme! Zhbllokimi i procesit është në interes të të gjitha palëve. Pavarësisht se kush është fajtor, megjithëse mendoj se opozita, kushdo që të lëshojë pe, do të fitojë më shumë simpati nga populli në zgjedhjet e ardhshme.
Koalicionet midis partive, në demokracitë parlamentare, janë të mundshme edhe kur ka divergjenca të mëdha politike, varësisht nga interesi dhe vullneti i mirë”, shprehet ai.
Në fund, ai nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni pas zgjedhor midis VV-së dhe PDK-së, sidomos pas refuzimit të ashpër nga LDK-ja, që cilësohet si i gabuar dhe i pakuptimtë.
Ai thekson se çdo marrëveshje e mundshme duhet të ruajë vijat e kuqe të qarta për LVV-në dhe partnerët e saj Guxo e Alternativa: pa asnjë kompromis në luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e sovranitetit dhe zbatimin e ligjit në gjithë territorin e Kosovës.
“Nuk jam i sigurt nëse takimi Kurti-Hamza mund të jetë një përpjekje për një koalicion të mundshëm pas zgjedhor, por sigurisht që ka vend për një koalicion midis LVV-së dhe PDK-së, veçanërisht pas refuzimit të gabuar dhe të pakuptimtë të LDK-së.
Por, Kryeministri Kurti dhe koalicioni i tij LVV-Guxo-Alternativa duhet të kenë kujdes që në rast të një koalicioni pas zgjedhor me PDK-në apo këdo tjetër, të qëndrojnë të palëkundur dhe të mos bëjnë asnjë lëshim në luftën kundër korrupsionit, në mbrojtjen e sovranitetit, si dhe në zbatimin e ligjit dhe kontrollin mbi të gjithë territorin e shtetit.
Britmat e regjimit hegjemonik serb dhe presionet joparimore ndërkombëtare nuk duhet të dëgjohen fare. Këto janë arsyet kryesore të fitores së tyre.
Përndryshe është shumë më mirë për ta dhe për Republikën e Kosovës të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme” – përmbylli Aliçkaj për “Bota sot”.