Më 10 qershor, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një takim trepalësh në Bruksel.
Pas raundit të fundit të dialogut në Bruksel, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se ndërmjetësi i ri i procesit, Thomas Sorensen, ka një vizion të qartë dhe të strukturuar për mënyrën se si duhet të vazhdojnë takimet e ardhshme.
“Në rezultate konkrete, është ende herët. Sorenseni e ka pak a shume një vizion të qartë se si të ecet në takimet e radhës. Javën tjetër do të dërgojë dy nga më të afërtit e tij në Kosovë e Serbi për të marrë informata shtesë dhe më pas në fillim të korrikut do të vendosë për hapin e radhës. Sorenseni do edhe një takim në korrik. Kjo tregon për mua që ai ka investim të madh në proces, ka dëshirë të shohë rezultat, por deri tash dihet se Serbia ka sabotuar procesin”, ka thënë ai.
Ish-ambasadorja, Alma Lama, në një prononcim për “Bota sot”, ka kritikuar pjesëmarrjen e Besnik Bislimit dhe përfaqësuesve të Qeverisë së dorëhequr në procesin e dialogut, duke theksuar se ata nuk kanë më mandat legjitim për të përfaqësuar Kosovën.
Sipas saj, vazhdimi i angazhimit në dialog në këto rrethana përbën uzurpim të institucioneve si Qeveria dhe Kuvendi.
Tutje, Lama vizitat në Bruksel i konsideron të kota dhe të panevojshme.
“Besnik Bislimi dhe asnjë përfaqësues i Qeverisë së dorëhequr nuk kanë mandat për të shkuar në dialog.
Ajo çfarë po ndodh është uzurpim i Qeverisë dhe Kuvendit. Kështu që vizitat e tij në Bruksel janë të kota dhe po e harxhojnë buxhetin e shtetit”, deklaron Lama për “Bota sot”.