“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke shkuar drejt një përplasje të ashpër, siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt afatgjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. E ndalova atë (Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish!)”, kështu ka deklaruar presidenti amerikan, Donald Trump në platformën e tij Truth Social.
Trump ka shtuar se po bëhen përpjekjet e reja për të arritur paqe mes Izraelit dhe Iranit.
Publicisti dhe shkrimtari, Emin Azemi, thotë se ky lajm është i papritur për Kosovën.
Sipas tij, sigurisht në ditët në vijim do të shpalosen edhe detajet e këtij mesazhi.
“Paralajmërimi i Presidentit Trump, është një lajm i mirë për Kosovën, i cili vjen në një kohë që askush nuk e ka pritur. Askush nuk ka pritur se në këtë rrëmujë të ngjarjeve e konflikteve në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, do të vjen një mesazh i tillë nga Shtëpia e Bardhë, që drejtpërdrejt do të ketë në fokus edhe Kosovën. Në ditët në vijim sigurisht që do të shpalosen detajet e këtij mesazhi, por ajo çka është me rëndësi të dihet tani për tani është fakti se Kosova vazhdon të jetë preokupim i SHBA-së, e jo ashtu siç thuhej nga një pjesë e gazetarëve e analistëve të papërgjegjshëm se me ardhjen e Trumpit Kosova do të largohet nga orbita e interesimit amerikan. Madje shkohej aq larg sa paralajmërohej edhe mbyllja e Bonstilit (!). Dua të besoj që stafi i zotiti Trump ka bërë analiza të nevojshme në terren dhe ka ardhur në përfundim se kjo pjesë e Ballkanit, ku bën pjesë edhe Kosova është një gurë peshoreje me rëndësi gjeostrategjike. Për rrjedhojë, edhe bashkëpunimi në fushën ushtarake në mes të SHBA dhe Kosovës ishte pikërisht në funksion të këtij konstatimi”, shprehet Azemi për “Bota sot”.
Ai kërkon që presidentja Osmani të formojë një ekip të unitetit që merret kryesisht me menaxhimin e ofertave që vinë nga Shtëpia e Bardhë.
“Unë pres që Kosova do të gjendet para një sprove jo të vogël, prandaj do të duhej sa më pare Presidentja Osmani të formojë një ekip të unitetit, me pjesëmarrje edhe të përfaqësuseve politik e institucional, i cili do të merrej kryesisht me menaxhimin e ofertave që vine nga Shtëpia e Bardhë. Puna duhet të merret shumë seriozisht, sepse në sipërfaqe po duket një marrëveshje e re që duhet ta bëjnë Kosova dhe Serbia me sponzorim të SHBA-ve. Serioziteti i kësaj çështjeje ndërlidhet edhe me zhvillimet gjeopolitike, ku Kosova nuk e ka luksin të humbas kohë, por as të relaztivizojë rolin e SHBA-ve në tejkalimin e problemeve të hapura me Serbinë”, shton Azemi.
Kujtojmë se Kosova dhe Serbia, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, në shtator të vitit 2020, nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizim ekonomik, në praninë e tij.
Kjo marrëveshje, e cila përfshinte edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar në tërësi.
Pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale nëntorin e vitit të kaluar, Kurti ishte pyetur lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit.
Ai po ashtu kishte deklaruar se së pari duhej të zbatohet marrëveshja e arritur më 2023 në Bruksel, dhe aneksi për zbatimin e saj, për të cilin palët u dakorduan në Ohër.
“Besoj që normalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e SHBA-së, që është aleatja jonë kryesore, partnerja e pazëvendësueshme dhe mikja speciale në tri fusha kryesore. E para është mbrojtja, e dyta është diplomacia, dhe e treta është zhvillimi”, ka thënë Kurti për gazetarët më 16 qershor.
Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve nuk është nënshkruar nga palët, për shkak të refuzimit të Serbisë që të bëjë një gjë të tillë. Por, Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – insiston se marrëveshja është obligative për palët.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Kosova dhe Serbia që nga shtatori i vitit 2023 nuk kanë zhvilluar takim të dialogut në nivel të lartë politik. Së voni, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë me dije se po bëhen përgatitje për një takim të ri të dialogut në nivel të lartë politik.