Trump premton zgjidhje për Kosovën e Serbinë – Grenell në lojë, BE dhe SHBA mund ta shtojnë presionin?

Politika

Trump premton zgjidhje për Kosovën e Serbinë – Grenell në lojë, BE dhe SHBA mund ta shtojnë presionin?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 20 qershor 2025 Në ora: 11:53
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Aleksander Vuciq

Dialogu Kosovë- Serbi ka kohë që ka mbetur pezull. Takim në nivel të lartë nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023, ndërsa nga BE vazhdimisht bëhen thirrje për rikthim në tryezë.

I ngarkuari i i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka thënë se po bën përpjekje të ndryshojë këtë.

Sorensen pas takimit me kryenegaciatorë e Kosovës dhe Serbisë, takim ky i zhvilluar në fillim të muajit qershor, ka thënë se me palët kishte diskutuar për normalizimin e raporteve mes dy vendeve dhe se janë pajtuar që diskutimet të vazhdojnë së shpejti.

"Isha mikpritës i një takimi të gjatë në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë. Diskutuam lidhur me avancimin e normalizimit të raporteve të tyre në përgatitje të një takimi të nivelit të lartë të dialogut, për zbatimin e obligimeve dhe çështjet aktuale. U pajtuam që së shpejti të vazhdojmë diskutimin”, kishte shrkuar Sorensen në X.

Dialogu Kosovë- Serbi dhe një marrëveshje mes vendeve është rikthyer në vëmendjen edhe të SHBA-së.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do ta zgjidh çështjen e Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se gjatë administratës Biden, konflikti ishte në rrezik të shpërthente në luftë.

Në anën tjetër, Charles Kupachan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA, ka thënë se deklarimi i Trump duhet parë në kontekstin e një lideri që po përpiqet ta rikthejë vëmendjen e opinionit publik mbi rolin e tij si “negociator i shkëlqyer”.

Sipas tij, premtimet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, nuk janë pasqyruar në realitet, pasi luftërat vazhdojnë me intensitet dhe aktorët kryesorë nuk tregojnë shenja gatishmërie për kompromis.

“Thënë kjo, meqë nuk po arrin shumë rezultate në Lindjen e Mesme dhe në diplomacinë me Ukrainën dhe Rusinë, ai mund ta kthejë vëmendjen nga Kosova dhe Serbia dhe të përpiqet të arrijë ndonjë fitore”, ka thënë Kupchan në intervistën dhënë Radio Evropa e Lirë.

I pyetur se si do të dukej riangazhimi i Trumpit në mosmarrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, Kupchan ka përfolur emërimin e Richard Grenellit.

“Richard Grenellit apo ndonjë përfaqësuesi tjetër special, i cili ose e cila do t’i shpërvilte mëngët dhe do të shkonte në rajon, do të takohej me udhëheqësit atje dhe do të përpiqej t’i shtynte të dyja vendet në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes [drejt normalizimit të marrëdhënieve]”, ka thënë Kupchan.

Grenell në të mandatin e parë të qeverisjes Trump ka qenë i dërguar i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë- Serbi, madje në kohën e tij ishte përfolur ideja për shkëmbim territoresh, por këtë e kishte mohuar Grenell.

“Gabim kritikimi apo sulmet ndaj zyrtarëve amerikanë”

Ai madje kishte pasur përplasje me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin dhe bënte thirrje që ky i fundit të mos votohet nga qytetarët para zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Duke folur rreth mundësisë që Grenell të jetë përfaqësues i SHBA-së dhe të përpiqet të shtyjë një marrëveshje përmes presionit, siç ka ndodhur më parë, ish- ambasadorja Alma Lama, thotë se secili përfaqësues që mund të caktohet do të zbatojë politikën amerikane.

Sipas saj, duhet angazhim diplomatik për të pasur raporte më të afërta me Uashingtonin.

“Mendoj se nëse SHBA i kthehet zgjidhjes së problemit Kosovë- Serbi, është punë e tyre se kë caktojnë për t’u marrë me bisedimet. Secili që mund të caktohet do të zbatojë politikën amerikane. Ka qenë gabim i madh nga ana e zyrtarëve të Kosovës kritikimi apo sulmet ndaj zyrtarëve amerikanë. Në fakt puna që duhet të bëjnë është të angazhohen diplomatikisht për të pasur raporte më të afërta me Uashingtonin. Me deklarata të papjekura e sfiduese siç ishte ajo e Kurtit pas deklaratës së presidenti Trump do të rrezikojnë pozitën e Kosovës”, shprehet Lama për “Bota sot”.

Image
Alma Lama

Fokusi te partneriteti strategjik, jo emisarët

Ndërsa, njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, thotë se një rikthim i Grenellit do të shkaktonte shqetësime.

Por, sipas tij, Kosova nuk duhet të fokusohet në personalitetet e emisarëve.

“Deklarata e z. Charles Kupchan nga Këshilli per Marrëdhënie me Jashtë, e cila përmend rikthimin e mundshëm të vëmendjes së administratës Trump ndaj dialogut Kosovë/Serbi dhe përfshirjen e një emisari si Richard Grenell, duhet të na nxisë të jemi të qartë, të përgatitur dhe te pjekur politikisht. Pa dyshim që për një pjesë të opinionit publik dhe për institucionet e Kosovës, një rikthim i z. Grenell do të shkaktonte shqetësime, për shkak të mënyrës se si ai ndërveproi me qeverinë e mëparshme të Kosovës dhe qasjes shpesh të njëanshme që u perceptua si favorizuese ndaj Serbisë dhe jo reciproke në qasjen ndaj palëve. Por Kosova nuk duhet të fokusohet në personalitetet e emisarëve. Nuk është emri i ndërmjetësuesit që përcakton drejtësinë e një procesi, por struktura, transparenca dhe përmbajtja e dialogut. Ne nuk duhet të lejojmë që vëmendja të shpërqendrohet nga thelbi i çështjes: Kosova ka nevojë për një proces të drejtë, të balancuar dhe që përfundon me njohje reciproke në qendër”, deklaron Voca për “Bota sot”.

Image
Mirsad Voca

Sipas tij, në këtë fazë është thelbësore që Kosova të vazhdojë partneritetin strategjik me SHBA-në.

“Në këtë fazë, është thelbësore që Kosova të ketë një narrativë të qartë, të veprojë me besim në vlerat e saj dhe në partneritetin strategjik me SHBA-në dhe vendet mike, dhe të shmangë spekulimet apo frikën nga presioni ndërkombëtar. Kosova nuk duhet të presë me pasivitet zhvillimet, por të jetë proaktive, të formulojë qartë vijat e saj të kuqe, të forcojë aleancat dhe të komunikojë ne mënyrë të vazhdueshme me partnerët strategjikë.

Ato vija të kuqe duhet të jenë të padiskutueshme:

Njohja reciproke është në qendër të çdo zgjidhjeje.

Ndarja territoriale, autonomitë e maskuara apo zgjidhjet e dykuptimta nuk janë të pranueshme.

Çdo marrëveshje duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të respektojë sovranitetin, integritetin territorial dhe funksionalitetin institucional të saj”, thekson Voca.

Tutje, ai shton se marrëveshja përfundimtare duhet të jetë rezultat i një procesi të ndershëm.

“Kosova është de facto pjesë e botës euroatlantike dhe nuk ka pse të ketë frikë nga presioni. Ajo që i nevojitet është përgatitje, unitet politik, koherencë në diplomaci dhe një plan të qartë për secilin skenar. Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë rezultat i një procesi të ndershëm, që garanton paqen dhe stabilitetin rajonal afatgjatë, dhe jo një zgjidhje e imponuar apo e përkohshme që krijon tensione të reja në terren. Në këtë drejtim, është e domosdoshme që Kosova të ndalë së menduari si palë që pret vendime nga jashtë dhe të fillojë të sillet si subjekt aktiv, që këmben analiza të thella strategjike me aleatët, ofron zgjidhje dhe ruan me dinjitet atë që është arritur me shumë mund e sakrificë”, përfundon Voca.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat