Serbia rrit fuqinë ushtarake në fshehtësi – Ish-komandanti Hoxha: Rreziku është real dhe psikologjik

Politika

Serbia rrit fuqinë ushtarake në fshehtësi – Ish-komandanti Hoxha: Rreziku është real dhe psikologjik

Nga: A.SH Më: 21 qershor 2025 Në ora: 14:03
Hafir Hoxha

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Ushtria e Serbisë është “më e fuqishme se kurrë” dhe shtoi se “vetëm një numër i vogël njerëzish e di” çfarë është blerë gjatë viteve të fundit, pasi “gjithçka është bërë në fshehtësi”.

“E kemi mbajtur të fshehur, por këto janë ndryshime të mëdha për Ushtrinë e Serbisë në periudhën e ardhshme. Janë më së shumti pesë persona që dinë çfarë kemi sjellë. Qëllimi ynë është ta mbrojmë vendin tonë”, tha Vuçiq, pa sqaruar se nga kush Serbia duhet të “mbrohet”.

Ish-komandanti, Hafir Hoxha ka thënë se rreziku nga Serbia ndaj Kosovës është real, por më shumë psikologjik e diplomatik sesa ushtarak i drejtpërdrejtë.

Sipas tij, përmes ngritjes së kapaciteteve dhe retorikës nacionaliste, Serbia synon presion në veri të Kosovës dhe përparësi në dialog.

Tutje thotë se, blerjet ushtarake të Serbisë lidhen qartë me Rusinë dhe Kinën, të cilat e furnizojnë me armatim modern, dronë dhe sisteme të avancuara. Kjo thellon aleancën e Serbisë me Lindjen dhe rrezikon paqen në rajon, duke sfiduar ndikimin perëndimor në Ballkan.

“Përgjigja ime është se po, ekziston një rrezik potencial, por ai është më tepër i nivelit taktik dhe psikologjik, sesa i një ndërhyrjeje ushtarake të hapur dhe afatgjatë. Serbia, Vuqiqi përmes retorikës nacionaliste dhe ngritjes së kapaciteteve ushtarake, mban një qëndrim presioni të vazhdueshëm ndaj Kosovës, sidomos në veri. Qëllimi tyre është që tensionin si mjet presioni diplomatik dhe njëkohësisht mundohen të testojë durimin e faktorit ndërkombëtar.

Ata dëshirojnë të sigurojnë përparësi në bisedime duke paraqitur veten si faktor ushtarak.

Por, një ndërhyrje ushtarake e drejtpërdrejtë do ta sillte Serbinë në konfrontim me NATO-n, veçanërisht me KFOR-in në Kosovë, dhe kjo e bën një agresion të plotë të pamundur pa pasoja të mëdha ndërkombëtare për Beogradin.

Kurse, a kanë lidhje blerjet e fshehta ushtarake të Serbisë me ndikimin rus ose kinez, dhe si ndikon kjo në sigurinë e Kosovës dhe rajonit?

Mund të them se po, kanë lidhje, lidhjet ekzistojnë qartë, dhe ato janë në disa drejtime.

Rusia ka furnizuar Serbinë me sisteme të sofistikuara si:

- S-400 (për testime) dhe Pantsir-S1.

- Armatim të kalibrit të madh dhe pajisje për luftë elektronike.

- Kina ka dërguar dronë luftarakë të tipit CH-92A dhe armë të tjera që përdoren për vëzhgim dhe sulm preciz.

Këto furnizime ndihmojnë Serbinë të modernizojë ushtrinë jashtë kornizave të NATO-s dhe BE-së, duke krijuar një bosht strategjik me Lindjen (Rusi–Kinë) që ishte edhe Irani po atij i dolipak problem këto ditë me Izraelin e Amerikën!

Kjo ndikon në:

- Paqëndrueshmërinë e rajonit, veçanërisht në Bosnje dhe Kosovë.

- Rritjen e kapacitetit të Serbisë për të kërcënuar me “veprime të njëanshme”.

- Sfidojnë politikisht dhe ushtarakisht influencën e SHBA-së dhe BE-së në Ballkan”, deklaron ai.

Tutje, thotë se Kosova ka kapacitete bazë mbrojtëse falë mbështetjes nga NATO dhe SHBA, veçanërisht në trajnim të FSK-së, AKI-së dhe Policisë. Ai përmend disa nga to.

“Kapacitetet bazë ekzistojnë, sidomos pas përkrahjes së gjatë të NATO-s, SHBA-së dhe vendeve partnere në trajnimin e FSK-së, AKI-së dhe Policisë së Kosovës.

Megjithatë, sfidat mbesin të mëdha:

. Mungesa e doktrinës për Mbrojtje të Kosovës.

• Mungesë e thelluar e pajisjeve të inteligjencës teknike (SIGINT, IMINT).

• Analizë strategjike jo gjithmonë në kohë reale dhe mungesë e punës, angazhimit ndërinstitucional mes ministrive tona që kanë të bëjnë me mbrojtjen.

• Pavarësisht progresit, FSK nuk ka ende mandat ushtarak të plotë në gjithë territorin, veçanërisht në veri – për këtë arsye, varësia nga KFOR-i është ende kritike.

Mungojnë paisjet dhe armatimi për mbrojtje ku deri mjeteve të blinduara, mbrojtjes kundërajrore dhe që është më e rëndësishme mungojnë strehimoret për evakuim të qytetarëve, dhe mungojnë bunkerët, strehimoret rezervë për strehim dhe komandim të ministrive dhe komandave, shtabeve të sigurisë dhe komandimit në rast lufte.

Për t’u përgatitur ndaj këtyre rreziqeve, Kosova duhet të forcojë partneritetin me NATO-n dhe SHBA-në, me theks në shkëmbimin e inteligjencës.

Të ndërtojë një qendër kombëtare për analizë të kërcënimeve hibride, ku përfshihet edhe monitorimi i ndikimit rus/kinez. Doktrinën e mbrojtjes pra që ka shumë vite të flas për të!

• Të profesionalizojë dhe politikisht neutralizojë strukturat e sigurisë, për të shmangur instrumentalizimin për të cilat e dimë se janë të politizuara që gjatë luftës së UÇK-së nga viti 1998 e deri më sot, politizim që dëmton gatishmërinë dhe profesionalizmin e këtyre institucioneve (AKI, FSK , POLICI) etj”, - përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat