20 vjet nga vrasja e Bardhyl Ajetit, familjarët: Nuk do të lëmë gurë pa lëvizur derisa të gjinden vrasësit

Politika

20 vjet nga vrasja e Bardhyl Ajetit, familjarët: Nuk do të lëmë gurë pa lëvizur derisa të gjinden vrasësit

Nga: M.L. Më: 25 qershor 2025 Në ora: 10:58
Bardhyl Ajeti

Sot (e mërkurë 25 qershor) u bwnw 20 vjet nga vrasja e gazetarit dhe kolumnistit të gazetës kombëtare “Bota sot” Bardhyl Ajeti.

Edhe 20 vjet pasi ndodhi, vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti vazhdon të mbetet një enigmë për të cilën drejtësia asnjëherë nuk e tha fjalën e saj.

Bardhyli u plagos më 3 qershor të vitit 2005, ndërsa nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve që mori.

Rasti ndodhi në rrugën Prishtinë-Gjilan më saktësisht në fshatin Bresalc të kësaj komune, ndërsa Bardhyli atë ditë po kthehej nga Prishtina për në qytetin e tij të lindjes.

Bardhyli, nga atentatorët e panjohur deri më sot, do të goditej me një plumb në kokë, i dyti do ta qëllonte në shpatull të krahut, dhe i treti në veturë.

Pas kontrollit në Spitalin e Gjilanit dhe në atë të Prishtinës, Bardhyli, një javë më pas, ishte dërguar në Milano të Italisë, ku edhe kishte ndërruar jetë më datën 25 qershor.

Sulmi ndaj Bardhylit përshkruhet si një atentat i përgatitur dhe mirë-menduar për të mos lënë asnjë gjurmë!

Rasti i vrasjes së gazetarit Bardhyl Ajeti është një nga dëshmitë e drejtësisë së kapur në periudhën e menjëhershme të pasluftës në Kosovë. Në zbardhjen e këtij rasti ka dështuar edhe drejtësia ndërkombëtare e instaluar në Kosovë.

Ishte data 3 maj e vitit 2013, kur zyra për informim e EULEX-it, në një përgjigje për “Bota sot”, do të thoshte se rasti i vrasjes së Bardhyl Ajetit ishte transferuar nga UNMIK-u tek EULEX-i.

Sidoqoftë, sipas tyre, prokurorët e EULEX-it kishin kryer një vlerësim të rastit, por pasi që nuk ka pasur dëshmi të reja, nuk kanë hapur hetim të ri.

“Bota sot” është interesuar në vazhdimësi në lidhje me hetimet për rastin e vrasjes së Bardhylit, por që përgjigja nuk erdhi asnjëherë.

Ata që nuk heshtën kurrw dhe kërkuan vazhdimisht drejtësi për rastin e vrasjes së Bardhylt janë edhe familjarët e tij.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, vëllai Fitim Ajeti, vëllai i Bardhylit ka thënë se për shkak të heshtjes së vazhdueshme të shtetit, shpresat për zbardhjen e vrasjes i kanë tek Gjykata Speciale.

“Sot ne 20 vjetorin e vrasjes se vëllait tim, kolumnistit të Gazetës Kombëtare “Bota Sot” vazhdojmë të kërkojmë drejtësi, por hesht shteti dhe të vetmen shpresë e kemi te Gjykata Speciale sepse institucionet tona deri sot nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e vrasjes se vëllait tim”, thotë ai.

Për Fitim Ajetin dhe familjen e tij, 25 qershori i vitit 2005 ishte data më e kobshme. Ai thotë se nuk do të lënë gurë pa lëvizur deri në zbardhjen e vrasjes së Bardhylit.

“25 qershori i vitit 2005 për neve si familje e Bardhylit është dita më e kobshme e jetës sonë, për neve jeta nuk ka kuptim sepse Bardhyli po fillon të harrohet. Ne si familje e Bardhylit nuk do të lëmë gurë pa lëvizur derisa të gjinden vrasësit dhe të dalin para drejtësisë. Çfarë të themi më shumë për çdo përvjetor fjala jonë është e njëjta drejtësi sepse Bardhyli u vra sepse shkruante të vërtetën për Kosovën e pasluftës e kjo kriminelëve u pengonte prandaj dhe e vranë”, përfundoi Ajeti.

Ndryshe, Bardhyl Ajeti shquhej për guximin e tij për ta shkruar të vërtetën lidhur me të keqën që e kishte kapluar Kosovën e pasluftës.

Liria kishte ardhur, fatkeqësisht bashkë me të erdhën edhe apetitet e kriminelëve për të “gllabëruar” çdo të mirë që kishte vendi e për ta luftuar me çdo mjet demokracinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat