“Bota Sot”, 30 vite në ‘luftë’ për fjalën e lirë: Gazetarë të vrarë, kërcënime dhe bomba për të heshtur të vërtetën

Politika

 “Bota Sot”, 30 vite në ‘luftë’ për fjalën e lirë: Gazetarë të vrarë, kërcënime dhe bomba për të heshtur të vërtetën

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 qershor 2025 Në ora: 09:07
Foto ilustrim

Sot, 26 qershori shënon datën kur gazeta “Bota sot” filloi punën e saj, një media që për 30 vite me radhë ka qenë zëri i së vërtetës për shqiptarët kudo që ndodhen, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare.

Që nga ditët e para, “Bota sot” ka sjellë informacione, analiza dhe raportime nga më të ndryshmet për lexuesit në Kosovë, Shqipëri, diasporë dhe më gjerë. Madje, në periudha sfiduese për popullin shqiptar, ajo u bë “udhërrëfyese” e rëndësishme për informim, angazhim dhe ndërgjegjësim kombëtar.

Nuk ishte një rrugëtim i lehtë. “Bota sot” kaloi nëpër sfida të mëdha – nga kërcënimet e vazhdueshme, sulmet, deri te atentatet dhe vrasjet tragjike të gazetarëve të saj. Megjithatë, përkushtimi për të raportuar me guxim dhe ndershmëri nuk është lëkundur asnjëherë.

Pavarësisht vështirësive dhe sfidave të ndryshme, gazeta nuk u dorëzua. Gazetarët e saj, ndër vite vazhduan të ndriçonin të vërtetën – shpesh të hidhur për disa, por të domosdoshme për një shoqëri të lirë dhe demokratike.

Ata që u ndjenë të shqetësuar nga raportimet tona, nuk arritën ta ndalin fjalën e lirë dhe të vërtetat e domosdoshme.

Sot, 30 vite më vonë, “Bota sot” mbetet një ndër gazetat më të lexuara dhe më me ndikim në trojet shqiptare dhe më gjerë.

Përveç sfidave, i gjithë rrugëtimi ynë ka qenë edhe një histori suksesi – falë mbështetjes së palëkundur të lexuesve tanë.

Bekteshi: Për këto tri dekada “Bota Sot” ka qenë zëri i guximit dhe të vërtetës, platforma e mendimit dhe shprehjes së lirë

E në këtë përvjetor të gazetës sonë, foli veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi, derisa ai shprehu falënderim dhe mirënjohje për të gjithë pjesëtarët e “Bota sot” që e ndihmuan atë të jetë zë i fuqishëm kombëtar.

Ai u shpreh se për tri dekada radhazi “Bota sot” ishte gazeta që lidhi shqiptarët në vend dhe në gjithë botën, në ditë të mira e të vështira.

“Në këtë përvjetor jubilar të kombëtares “Bota Sot” i shprehim urimet më të sinqerta në këtë datë të rëndësishme në historinë e medias shqiptare. Për këto tri dekada “Bota Sot” ka qenë zëri i guximit dhe të vërtetës, platforma e mendimit dhe shprehjes së lirë, gazeta që i lidhi shqiptarët në vend e në botë në ditë të mira e të vështira të historisë sonë të afërt”.

Po ashtu, veprimtari nga SHBA përmendi edhe sfida që kaloi “Bota sot” për shkak të fjalës së lirë, ku humbi edhe gazetarë dhe punëtorë të saj.

Image
Ramazan Bekteshi

““Bota Sot” si asnjë gazetë shqiptare kaloi nëpër sfida të rrezikshme, ku edhe e pagoi me jetë njerëzish të guximshëm vetëm për ta heshtur fjalën e lirë. Ajo nuk u ndal asnjëherë por fjalën e lirë e përdori si armë të fuqishme në mbrojtje të drejtësisë, demokracisë dhe identitetit kombëtar.

Puna stoike e redaksisë, gazetarëve, bashkëpunëtorëve dhe e stafit bëri historinë në shtypin shqiptar duke kontribuuar në ndërgjegjësimin e opinionit publik në momente të rëndësishme për Kosovën dhe më gjerë. Në këtë përvjetor kombëtares “Bota Sot” i dëshirojmë edhe jubile të tjerë me të njëjtin përkushtim”, kështu e përmbylli mesazhin Ramazan Bekteshi.

Bytyçi: Kërcënime, vrasje, sulm me bombë…, “Bota sot” pagoi çmim të lartë për të vërtetën

Kurse, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të gazetës tonë është profesori Enver Bytyçi.

Ai në këtë datë të rëndësishme për “Bota sot”, ai vlerësoi lartë kontributin e gazetës dhe rolin e saj të madh në informimin e shoqërisë dhe zbardhjes së të vërtetave.

Profesori përmendi edhe sfidat e botuesit Mazrekaj, i cili me hyri në treg te mediave me guxim dhe aktivizoi njerëzit më të spikatur të medies shqiptare.

Gazeta “Bota sot” u bë 30 vjeç! Për dikë që e ka ndjek këtë gazetë nga fillimi e deri sot, duket sikur ajo është gazetë e re, sepse e tillë mbeti gjithë kohës. Në Mirditë kur lind djali, urojnë me shprehjen “I ngjaftë kohës”! Pra ectë me kohën! U bëftë i zgjuar dhe i dobishëm për shoqërinë, sipas kohës! Ky lloj urimi e ka ndjekur për tri dekada gazetën “Bota sot”!

Numri i parë i “Bota sot” doli më 26 qershor 1995. Dilema e nisjes ishte e pranishme! Sa larg mund të shkojmë? A do t’i mbijetojmë tregut mediatik? Si mund ta bëjmë gazetën të pëlqyeshme e të dashur për lexuesin, për publikun? Këto dhe shumë pyetje të tjera e shoqëruan atë. Por botuesi, Xhevdet Mazrrekaj, i pati të qarta linjat e zhvillimit. Ai hyri në tregun e mediave shqiptare me shumë guxim dhe i sigurt në suksesin e tij. Nuk kurseu as në fillimet e botimit. Aktivizoi penat më të spikatura të medies shqiptare në Kosovë, në Shqipëri, te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe kudi që ata ishin. Zoti Mazrekaj sfidoi me ide, me guxim dhe përmes bashkëpunimit me mendjet e gazetarisë shqiptare. Më vijnë ndërmend shumë emra. Teki Dervishi dhe Abdi Baleta ishin dy më të spikaturit. Më të lexuarit. Më të vyeshmit ndër ta”.

Krahas kësaj, profesori potencoi se “Bota sot” ishte gazeta e parë në gjuhën shqipe që që pushtoi pikat e shitjes dhe libraritë e Europës dhe të Amerikës.

Madje, konsideron se kjo u bë nxitje që edhe mediet e tjera të Kosovës të dilnin në tregun e diasporës.

“Por botuesi, Mazrekaj, nuk u ndal me kaq. E orientoi politikën editoriale djathtas. Për dy arsye: - Sepse ai i përkiste këtij spektri politiko-intelektual, i cili mbron atdheun, kombin, familjen dhe pronën. Dhe së dyti, sepse publiku ishte i uritur për këtë qasje në trajtimin e së vërtetës, sidomos të së vërtetës shqiptare. Kësisoj ai promovoi figurat më të shquara të kombit shqiptar. Më i madhi ndër ta ishte Dr. Ibrahim Rugova, një mik i madh i gazetës “Bota sot” dhe botuesit të saj, Xhevdet Mazrekaj. Më pas vijnë bashkëpunëtorë të tjerë, si Sali Berisha, Pjetër Arbnori, Mark Krasniqi, Leka Zogu e të tjera figura të jashtëzakonshme të kombit tonë.

Image
Enver Bytyçi

Duke i dhënë gazetës “Bota sot” këtë vizion të angazhimit të saj, botuesi i saj e bëri atë një zë të fuqishëm, shpesh herë më të fuqishmin ndër mediet shqiptare. Ishte e para gazetë, e cila e pati redaksinë e saj në diasporë, në Cyrih të Zvicrës. Ishte e para gazetë në gjuhën shqipe që pushtoi pikat e shitjes dhe libraritë e Europës dhe të Amerikës. “Bota sot” u bë nxitje që edhe mediet e tjera të Kosovës të dilnin në tregun evropian të diasporës. Kulmin e vet gazeta “Bota sot” e arriti në vitin 1998-1999. Atë kohë ajo dëshmoi se ishte media më e madhe e shkruar në trojet shqiptare”, theksoi ai.

Në vazhdim, Bytyçi krahas sukseseve, sfidave të ndryshme, ai foli edhe për kërcënimet, vrasjet e sulmet me bombë ndaj redaksisë së “Bota sot” në Zyrih.

E këto gjëra, sipas tij, tregojnë se kjo gazetë ka paguar çmimin më të madh në historinë e mediave shqiptare për të mbrojtur të vërtetën dhe interesin kombëtar.

“Tani kjo gazetë është 30 vjeç. Në historinë e medieve shqiptare nga shekulli XIX e këtej rrallë ka ndonjë medie shqiptare që ka jetuar kaq gjatë, përveçse ato që kanë qenë në duart e partisë-shtet. Ndërkohë “Bota sot” ishte dhe mbeti gazetë opozitare e përjetshme. Shteti iu kundërvu asaj me të gjitha mjetet. Unë e di se çfarë ka ndodhur. Kam qenë nën lëkurën e sakrificave të kësaj gazete, sepse i kam përjetuar vetë shumë prej atyre ndodhive që ka përjetuar gazeta “Bota sot” dhe botuesi i saj, Xhevdet Mazrrekaj. E di se si pushteti e ndërton luftën kundër medieve opozitare. Të përndjek, të merr peng, të bën presion. Madje përndjek edhe donatorët dhe kompanitë që reklamojnë në këto medie antiqeveritare. Por “Bota sot” është gazeta që ka paguar çmimin më të madh në historinë e mediave shqiptare për të mbrojtur të vërtetën, vlerat dhe interesat e kombit shqiptar. Redaksisë së saj në Zyrih iu hodh një bombë ashjësuese. Dhe ky ishte kulmi i kërcënimit për këtë medie. Asaj iu vranë gazetarët më të devotshëm të saj, si Bardhyl Ajeti, Bekim Kastrati etj. U kërcënuan dhe u përndoqën thuajse të gjithë ata që punonin aty. U mbyll me urdhër të UNMIK-ut, sepse kjo strukturë e OKB-së kërkonte rikthimin e Serbisë në Kosovë dhe “Bota sot” e pengonte qëllimin e kësaj strukture ndërkombëtare”, shpjegoi profesori.

Në fund, ai kishte një urim për “Bota sot” dhe një dëshirë që, kjo gazetë të dalë në shitje edhe si print, jo vetëm online.

Ndër të tjera, tha se “Bota sot” ndiqet nga qindra-mijë lexues, pasi ajo nuk “shkau” asnjëherë rrugës.

“Sot gazeta “Bota sot” “është gjallë”! Është ndër më të mëdhatë në tregun mediatik shqiptar. Pas Covid-19, ajo fatkeqësisht del vetëm online. Por me siguri që botuesi do ta gjejë mënyrën që ajo të dalë edhe në print. Dalja në print është e domosdoshme për historinë e kësaj gazete dhe të vetë Kosovës e trojeve shqiptare në Ballkan, ashtu si për diasporën. Bota sot ndiqet nga qindra-mijë lexues. Dhe kjo ndodh, sepse ajo nuk “shkau” rrugës. Nuk u bë servile dhe lajkatare e interesave primitive. Ishte dhe mbeti gazeta më me dinjitet dhe integritet në trojet shqiptare.

Lexuesit e gazetës “Bota sot” janë e duhet të jenë krenarë për këtë shërbim që u është bërë nga ajo në këto 30 vite. Për besimin që kanë krijuar te kjo gazetë. Për të vërtetat e mëdha që ajo ka sjellë në opinionin publik. Për mungesën e kompromiseve me imnteresat e vogla. Për besnikërinë editoriale të kësaj gazete dhe botuesit të saj. Jetojmë në kohë të vështira dhe të tilla kanë qenë kohët e shqiptarisë edhe në tri dekadat që shkuan. Gazeta “Bota sot” i lehtësoi këto kohë, dha maksimumin e saj për t’u gjendur pranë halleve, shqetësimeve, brengave dhe problematikave njerëzore e kombëtare!

U lartësoftë emri i gazetës “Bota sot” edhe 300 vite, edhe tre mijëvjeçarë të tjerë!

Zoti i bekoftë të gjithë ata që kontribuojnë për lançimin e të vërtetës përmes kësaj gazete!” – përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat