Gazeta “Bota Sot” shënon sot vitin jubliar, 30-vjetorin e gazetës.
“Bota sot”, ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në historinë e informimit të opinionit publik shqiptar, veçanërisht në periudhat më të ndjeshme dhe vendimtare për kombin shqiptar. E themeluar në kohë të vështira, ajo shpejt u shndërrua në një prej zërave më të fuqishëm të medias shqiptare, sidomos për diasporën dhe për shqiptarët jashtë kufijve.
Gazeta hasi edhe në vështirësi të shumta gjatë rritje e zhvillimit të saj. Ka qenë edhe cak i sulmeve, për të mbytur zërin e të vërtetës.
Në periudhën e pasluftës, gazeta mbajti një qëndrim kritik ndaj devijimeve politike, korrupsionit dhe mungesës së drejtësisë, duke vazhduar të jetë një platformë e mendimit të lirë dhe debatit demokratik. “Bota Sot” shpesh ka qenë tribunë për analistë, akademikë, veprimtarë dhe qytetarë që kanë kërkuar ruajtjen e vlerave kombëtare, përparimin institucional dhe drejtimin pro-perëndimor të Kosovës dhe trojeve shqiptare.
Veçanërisht në mesin e diasporës shqiptare, “Bota Sot” ka luajtur një rol qendror në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe lidhjes me vendlindjen. Ajo ka qenë për shumë vite burimi kryesor i lajmeve dhe analizave për shqiptarët e shpërndarë në Zvicër, Gjermani, Amerikë dhe gjetiu, duke shërbyer si një urë lidhëse mes atdheut dhe mërgatës. Në një kohë kur integrimi dhe asimilimi janë sfida të përhershme për diasporën, “Bota Sot” ka ndihmuar në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe ndërgjegjes kombëtare.
Në tërësi, “Bota Sot” është më shumë se një gazetë – është një institucion mediatik me peshë historike, një dëshmi e rezistencës kombëtare përmes fjalës së shkruar, dhe një aktor i rëndësishëm në ndërtimin dhe ruajtjen e ndërgjegjes shqiptare në të gjitha fazat e tranzicionit historik të Kosovës dhe shqiptarëve në rajon.
Tahiraj: Ka qenë zë i rëndësishëm për diasporën, duke ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar
Veprimtari Saim Tahiraj dhe bashkëpunëtor i gazetës flet për “Bota sot”, fillimisht ka përgëzuar për 30- vjetorin e gazetës, duke thënë se që nga themelimi, ajo ka luajtur rol kyç në informimin e drejtë të opinionit shqiptar, veçanërisht gjatë luftës, duke raportuar me saktësi nga frontet dhe duke denoncuar krimet serbe.
Ai thotë se me profesionalizëm e përkushtim, “Bota Sot” ka qenë zë i së vërtetës për mbarë kombin.
“Fillimisht urime përvjetori i gazetës “Bota Sot”, juve redaksisë, gazetarëve, bashkëpunëtorëve dhe mbarë lexuesve kudo që janë.
Që nga themelimi e gjerë më sot, gazeta “Bota Sot” luajti një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në informimin e drejtë të opinionit mbarë shqiptarë, si në Kosovë, Shqipëri, Ilirid, Kosovë Lindore dhe në mërgatë. Me informacione të sakta, të verifikuar mirë dhe të plasuara me shpejtësi, mbajtën të informuar drejtë opinionin mbarë shqiptarë dhe nuk lejuan të bien pre e dezinformatave të armikut, sidomos në periudhën e luftës”, thotë ai.
Më tej, shton se gazeta “Bota Sot” ka pasur rol kyç në informimin e drejtë gjatë luftës dhe pasluftës, duke raportuar nga frontet, denoncuar masakrat serbe dhe demaskuar përçarjet brenda luftës çlirimtare.
Sipas tij, me guximin e redaksisë dhe gazetarëve, ka zbuluar vrasjet politike dhe ka ndihmuar në formimin e opinionit publik shqiptar. Ka qenë zë i rëndësishëm për diasporën, duke ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar.
“Gjithashtu përmes reporterëve e luftës, direkt nga frontet e saj informuan drejt opinionin për luftimet në beteja të ndryshme dhe për gjendjen e mjerueshme të popullatës. Informuan opinionin mbarë shqiptarë dhe atë ndërkombëtarë për masakrat dhe gjenocidin që bënin ushtria kriminale serbe.
Një rol shumë të rëndësishëm luajti me informimin e drejtë të përçarjeve në mes të ashtuquajturit SHPUÇK-së dhe MMRK, të cilat ishin mjaft të theksuara dhe i sollën dëme të mëdha luftës çlirimtare. Gazeta “Bota Sot” me guximin e Editorit, redaksisë por edhe të gazetarëve demaskuan vrasjet politike që filluan gjatë luftës dhe që vazhduan edhe disa vite pas saj.
Në këtë përvjetor kujtojmë me respektin maksimal disa gazetarë që u vranë pikërisht për të penguar që e vërteta të dalë në sipërfaqe për vrasjet politike. Unë flas me shumë respekt për gazetën “Bota Sot” sepse ishte e vetmja dritare që patë guximin të hapet për mue dhe disa kolegëve të mi. Përmes kësaj dritareje ne treguam dhe plasuam të vërtetën për rezistencën e armatosur që nga viti 1991, për luftën dhe pasluftën.
Falë gazetës “Bota Sot”, sot, opinioni mbarë shqiptarë është shumë mirë i informuar për të gjitha këto ngjarje me rëndësi historike dhe ka krijuar mendim dhe vlerësim të drejt për to. Një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur edhe në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare në mërgatë. Lexuesi i gazetës “Bota Sot” në mërgatë është i kompletuar me këto cilësi falë leximit të gazetës “BOTA SOT”, - përmbyll ai.
Latifi: “Bota Sot” nuk u dorëzua, por u bë një zë i fuqishëm i rezistencës, në gjithë hapsirën shqiptare dhe në mërgim
Edhe Haki Latifi, bashkëpunëtor i gazetës, vlerëson lart kontributin që “Bota sot” ka dhënë për opinion mbarë shqiptarë.
Ai thotë se gazeta “Bota Sot”, në përvjetorin e saj, mbetet një nga mjetet më të rëndësishme të informimit dhe edukimit të opinionit shqiptar, duke promovuar vlera kombëtare e demokratike. Gjatë viteve të okupimit dhe luftës në Kosovë, ishte zë i fuqishëm i rezistencës dhe mbrojti kauzën e lirisë.
Tutje, thekson se pas çlirimit, vazhdoi me guxim të informojë drejt dhe objektivisht, duke qenë shtëpi e gazetarisë së lirë dhe zëdhënëse e opinionit publik shqiptar.
“Gazeta “Bota Sot” në këtë përvjetor mbetet një nga mjetet e informimit më të rëndësishme për informimin, edukimin gjithëpërfshirës, dhe promovimin e vlerave kombëtare e botërore. Në Kosovë, kjo gazetë ka pasur një histori të veçantë, të lidhur ngushtë me sfidat dhe zhvillimet e vendit, nëpër të cilat ka rrugëtuar bashkë deri në liri.
Nuk duhet harruar se, gazeta “Bota sot” ka qenë shtëpia më e madhe e gazetarëve më të mëdhenj shqiptarë për shumë kohë si dhe ka qenë gazeta e guximit intelektual e qytetar.
Gjatë viteve të okupimit serb, gazeta “Bota Sot” kaloi kohë të vështira, me mbylljen e mjeteve të informimit në vitet ’90, ndërsa zëri i popullit u hesht nga regjimi. Megjithatë, “Bota Sot” nuk u dorëzua, por u bë një zë i fuqishëm i rezistencës, në gjithë hapësirën shqiptare dhe në mërgim, në të cilën ndihmoi në mbajtjen gjallë të kauzës së lirisë dhe identitetit kombëtar.
Në periudhën e luftës, “Bota Sot” luajti një rol jetësor në informimin e popullit dhe në ruajtjen e moralit të lartë, deri në përfundim të luftës. Duke vazhduar edhe pas çlirimit të jetë zëdhënëse e informimit, duke luajtur rol të rëndësishëm për informim të drejtë dhe objektiv për popullin dhe lexuesit e saj”, thotë Latifi për këtë përvjetor.
Tutje thekson, se roli i rëndësishëm i gazetës “Bota Sot” dhe mediave në përgjithësi për informimin e saktë dhe edukimin e shoqërisë me vlera demokratike.
Për “Bota Sot” thotë se vlerësohet për kontributin e saj të qëndrueshëm, profesionalizmin dhe përkushtimin në informimin korrekt për më shumë se tre dekada.
“Mendoj se “Bota Sot” dhe të gjitha mjetet e informimit duke përfshi edhe portalet e ndryshme që operojnë në Kosovë kanë një përgjegjësi të madhe. Ato duhet të jenë jo vetëm burim i informimit të saktë dhe të paanshëm, por edhe promotorë të edukimit gjithëpërfshirës me vlerat që ndërtojnë një shoqëri të drejtë dhe të hapur. Nga përhapja e kulturës kombëtare te njohja e vlerave ndërkombëtare, “Bota Sot” duhet të vazhdojë të jetë një forcë që bashkon dhe forcon shoqërinë tonë. Një dedikim të veçantë për të gjithë punëtorët me theks gazetarët që luajnë një rol të veçantë si fuqi e shtatë në shoqëritë demokratike.
Dihet se informimi korrekt është oksigjen për demokracinë.
Për fat të keq sot kemi një treg të çorientuar të informimit, pasi që në Kosovë nuk kemi gazetë ditore në të cilën qytetarët mund të informohen (përveç portaleve), mbajtja e standardit të gazetarisë etike dhe rezistenca për të vazhduar punën, duke e ballafaquar me zhurmën dhe jorrallëherë lajmin e pavërtetë, është një punë shumë e madhe dhe e vështirë.
Gazeta “Bota sot” ka luajtur një rol të veçantë dhe të çmueshëm në peizazhin mediatik shqiptar, duke ofruar informim cilësor dhe të pavarur për lexuesit e saj për tre dekada .
Në këtë ditë të veçantë, ju përgëzoj për punën dhe përkushtimin tuaj të palodhshme.
Ju uroj suksese të mëtejshme dhe vazhdim të mbarë në rrugëtimin tuaj fisnik të shkëlqyer!”, përfundon ai.