Publicisti shqiptar, Milaim Nela ka vlerësuar punën e gazetës “Bota sot” në 30 vjetorin e themelimit të saj.
Ai në një bashkëbisedim me gazetën, u shpreh se kjo është një ditë e veçantë për shtypin shqiptar, derisa vlerësoi se “Bota sot” është mediumi me ndikimin më të madh në trojet shqiptare.
Në këtë rast, përgëzoi punën e themeluesit Mazrekaj.
“Sot është një datë e veçantê për shtypin shqiptar.
Është 30 vjetori i themelimit të gazetës kombëtare 'Bota Sot' me seli në Zvicër.
Kjo gazetë erdhi si domosdoshmëri e nevojës akute për informim të shqiptarëve.
E them pa frikë se "Bota Sot" është mediumi me ndikimin më të madh në trojet shqiptare në gjysmën e dytë të viteve 90të e sidomos në Kosovë e cila ishte nën okupimin serb.
Pse ishte kaq e sukseshme Bota Sot?
Dua ta filloj nga iniciativa e vëllezërve Mazrekaj e sidomos atij që vazhdon ta mbajë gjallë edhe sot këtë medium paçka se vetëm online Z. Xhevdet Mazrekaj”, u shpreh ai.
Krahas kësaj, Nela u kthye pas në kohë, kur kujtoi momentin e parë kur ra në kontakt me gazetën, e që ishte viti 1998.
Në këtë pikë, veçoi ish-kryeredaktorin, Buçpapaj dhe kontributin e tij të lartë në ngritje e gazetës “Bota sot”.
“"Bota Sot" ndryshe nga disa mediume të tjera brenda dhe jashtë Kosovës të cilat anonin shpesh në pozita ideologjike majtiste u bë zëri i fortë e ndoshta i vetë i mbrojtjes së interesit kombëtar të shqiptarëve. Personalisht kam rënë në kontakt me këtë gazetë vetëm në vitin 1998 kur unë lashë Shqipërinë sepse ajo nuk lejohej të futej në Shqipërinë Londineze e kjo sidomos pas revolucionit tregishtor të 97es që shkërmoqi shtetin shqiptar.
Kjo gazetë pati sukses sepse ajo grumbulloi penat më brilante të publicistikës dhe gazetarisë shqiptare.
Këtu dua të veçoj ish Kryeredaktorin për shumë vite të kësaj gazete SkenderBuçpapaj i cili e ngriti këtë gazete në gazetën shqiptare më të shitur dhe më popullore të gjitha kohërave të hapësirave shqiptare e kudo ku jetonin shqiptarë”.
Po ashtu, publicisti shqiptar komentoi edhe ndikimin dhe raportimet e gazetë gjatë kohës së luftës, se me që rast përmendi disa figura të ndritshme të saj, siç janë: Teki Dervishi, Xhemajl Mustafa, Milazim Krasniqi, etj.
“"Bota Sot" mbajti një peshë të madhe të informimit të shqiptarëve sidomos gjatë kohë së luftës.
Dua të përmend këtu kolumnistët e kësaj kohe të lavdishme për këtë medium si Teki Dervishi (tashmë i ndjerë), Xhemajl Mustafa një penë brilante e kësaj gazete, Abdi Baleta, Elida Buçpapaj, Milazim Krasniqi, Bajrush Morina e shumë pena të tjera që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kohë të ndryshme të saj.
Nuk ka medium shqiptar që ka paguar çmim më të lartë për lirinë e fjalës dhe mbrojtjen e interesit kombetar se "Bota Sot"!
Bekim Kastrati, Xhemajl Mustafa, Bardhyl Ajeti e Shefki Popova u eleminuan se thanë të vërtetën. U eleminuan se prekën interesat e atyre që nuk e donin pavarësinë dhe lirinë e Kosovës!” – shtjelloi ai.
Ndër të tjera, Nela theksoi se raportimet dhe informimet e “Bota sot” kishin ndikim në bindjen e ndërkombëtarëve që çuan më pas në ndërhyrjen e forcave të NATO-s.
“Kjo gazetë dhe redaksia e saj janë kërcënuat edhe me atentate shumë serioze edhe në gazetën e saj.
"Bota Sot" ka mbajtur peshën kryesore të informimit të saktê jo vetëm të lexuesit shqiptar por edhe të botës së huaj.
Informimi i saktë i kësaj gazete ka patur peshën e saj edhe në bindjen e ndërkombëtarëve që çoi në ndërhyrjen e NATOs!
Në këtë jubile të 30 vjetorit do të doja që Bota Sot, por jo vetem kjo të jenë jo vetëm portal por të dilnin serish të printuara sepse Kosova mbetet ndoshta i vetmi shtet që nga ka shtyp serioz të printuar!” – përmbylli Milaim Nela për “Bota sot”.