Voca komenton vendimin e Kushtetueses: Votimi i fshehtë u njoh nga Gjykata më 2014 – s’ka ndalesë as sot!

Politika

Voca komenton vendimin e Kushtetueses: Votimi i fshehtë u njoh nga Gjykata më 2014 – s’ka ndalesë as sot!

Nga: M.Haziri Më: 27 qershor 2025 Në ora: 14:07
Foto ilustrim

Gjykata Kushtetuese i ka obliguar partitë politike që për 30 ditë ta konstituojnë Kuvendin.

“Duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij”.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori për çështje ndërkombëtare, Mirsad Voca.

Voca kritikoi mënyrën si është shndërruar debati për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit në një çështje politike, duke anashkaluar argumentet juridike dhe institucionale.

Ai thekson se votimi i fshehtë është i lejuar ligjërisht, pavarësisht kritikave të pabazuara si ajo e Enver Hasanit, i cili bie në kundërshtim me qëndrimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese.

Image
Mirsad Voca

“Debati për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit ka hyrë ne një fazë të tensionuar, ku deklaratat politike dhe interpretimet personale po zëvendësojnë analizën juridike dhe institucionale. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese më 26 qershor 2025, i cili obligon Kuvendin ta zgjedhë Kryetarin brenda 30 ditëve, nuk përmban ndalesë ndaj formës së votimit, përfshirë as votimin e fshehtë. Megjithatë, ne diskursin publik janë shtuar zërat që e paraqesin votimin e fshehtë si të jashtëligjshëm, kaotik apo jokushtetues, pa ndonjë bazë të qartë ligjore.

Një nga zërat më të zëshëm në këtë drejtim është ai i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili së fundmi e ka quajtur idenë e votimit të fshehtë si “kaotike” dhe në kundërshtim me frymën kushtetuese. Por kjo përbën një kontrast të fortë me vendimin KO103/14 të vetë Gjykatës që ai drejtoi në vitin 2014, ku thuhej shprehimisht se Kryetari i Kuvendit mund të zgjidhet “me votim të hapur, të fshehtë apo ndonjë metodë tjetër”, për aq kohë sa respektohet shumica dhe procedura”, u shpreh ai.

Interpretim apo përmbysje?

Tutje, duke vazhduar bisedën ligjëruesi vë në dukje një mospërputhje mes qëndrimeve të mëparshme dhe aktuale të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, duke sugjeruar se kritikat ndaj votimit të fshehtë mund të jenë të motivuara politikisht dhe jo juridikisht.

Ai potencon se votimi i fshehtë është i lejuar dhe i rregulluar nga Rregullorja e Kuvendit, pavarësisht se nuk është forma standarde.

“Në vitin 2014, Gjykata Kushtetuese krijoi një precedent kontrovers duke i dhënë përparësi partisë së parë në zgjedhje për mandatarin e qeverisë, përkundër faktit që një shumicë parlamentare ishte formuar nga opozita. Sot, kur një mjet procedural si votimi i fshehtë mund të ndihmojë ne zgjidhjen e bllokadës, ish-kreu i asaj gjykate argumenton kundër të drejtës për ta përdorur atë. Kjo ngre pyetjen nëse kemi të bëjmë me një qëndrim juridik apo me një pozicion politik të motivuar nga e kaluara.

Në realitet, as Kushtetuta, as ligji, as Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk e ndalojnë votimin e fshehtë për Kryetarin e Kuvendit. Neni 60 i Rregullores parashikon se forma e tillë e votimit mund të kërkohet nga të paktën shtatë deputetë dhe miratohet nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë. Votimi i fshehtë është përjashtim, por përjashtim i rregulluar, dhe jo i ndaluar”, shpjegon Voca.

A po respektohet procedura?

Në bisedë e sipër profesori argumenton se kërkesa e Vetëvendosjes për votim të fshehtë është bërë në mënyrë legjitime dhe në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Ai kritikon interpretimet që e cilësojnë këtë si shkelje kushtetuese, duke theksuar se ato janë opinione personale dhe jo të bazuara në ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Nga ajo që është publikuar dhe deklaruar zyrtarisht, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka tentuar ta ndryshojë mënyrën e votimit në mënyrë arbitrare apo gjatë procesit. Përkundrazi, kërkesa për votim të fshehtë është bërë në përputhje me Rregulloren, siç ështe bërë edhe në rastet e tjera të emërimeve institucionale në të kaluarën.

Në këtë drejtim, interpretimet që paraqesin këtë si devijim kushtetues nuk bazohen në asnjë vendim të ri të Gjykatës dhe janë krejtësisht subjektive. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të fundit, nuk ka përmendur asnjë ndalesë për votimin e fshehtë, çfarëdo përfundimi në këtë drejtim është thjesht opinioni i individëve, jo qëndrim institucional”, tha ai.

Deputetët s’mund të ikin nga përgjegjësia

Ndër të tjera, ai kritikon bojkotin e votimeve nga deputetët, duke e cilësuar si sjellje që rrezikon funksionimin kushtetues të Kuvendit dhe bie ndesh me detyrimet e tyre për të marrë pjesë në zgjidhjen e krizave.

“Një çështje tjetër shqetësuese është praktika e bojkotit të votimeve si mjet për të bllokuar procesin. Kjo sjellje nuk përfaqëson vetëm një taktikë politike, por përbën rrezik për vetë funksionimin kushtetues të Kuvendit. Deputetët kanë detyrime të qarta për të marrë pjesë dhe për të kontribuar në zgjidhjen e krizave institucionale. Gjykata Kushtetuese në vendimin e fundit u ka bërë thirrje të qartë atyre që të mos pengojnë zbatimin e Kushtetutës përmes pasivitetit”, shtoi ligjëruesi.

Vullneti politik është vendimtar

Në fund ligjëruesi thotë se zgjidhja e krizës kërkon vullnet politik dhe dialog, jo vetëm interpretime procedurale, dhe se votimi i fshehtë mund të ndihmojë në kapërcimin e bllokadës nëse përdoret në mënyrë të përgjegjshme.

“Dalja nga kriza aktuale nuk mund të vijë vetëm përmes aktgjykimeve apo interpretimeve të ngushta procedurale. Kosova ka nevojë për një vullnet të ri politik, për dialog institucional dhe për respekt të normave demokratike që tejkalojnë interesin afatshkurtër të secilës palë.

Votimi i fshehtë, nëse përdoret me respektim të rregullave dhe jo si truk procedural, mund të jetë një mjet për të tejkaluar bllokadat, jo për t’i përjetësuar ato. Vendi ka nevojë për kthim në funksionalitet, jo për përçarje të reja”, përfundoi Voca për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat