Vendimi i Kushtetueses vë partitë politike nën presion – ja çfarë paralajmërojnë avokatët!

Politika

Vendimi i Kushtetueses vë partitë politike nën presion – ja çfarë paralajmërojnë avokatët!

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 27 qershor 2025 Në ora: 17:33
Gjykata Kushtetuese

Gjatë ditës së djeshme, Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim se deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët. Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë.

Në vendim, Kushtetuesja tha se seanca konstituive e nisur më 15 prill konsiderohet e papërfunduar për shkak se ende nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët.

Sipas Kushtetueses, në bazë të nenit 66 të Kushtetutës (Zgjedhja dhe Mandati), kjo seancë është dashur të përmbyllet brenda 30 ditëve nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve.

Në aktgjykim, Kushtetuesja tha se mandati i deputetit dhe ai i Kuvendit është i ndërlidhur dhe përfaqësimi i popullit nga deputetët nuk mund të jetësohet pa konstituimin e Kuvendit.

Për konstituimin e Kuvendit, në aktgjykim u tha se të gjithë deputetët duhet të votojnë.

"Zgjedhja e kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është parakusht që Kuvendi të fillojë të funksionojë dhe kjo kërkon nga të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që ky i fundit të fillojë sa më shpejtë të funksionojë si organ ligjvënës, vendimmarrës", u tha në vendim.

Gjykata përmendi faktin se, partia fituese, në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje, e ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Megjithatë, Kushtetuesja tha se kjo e drejtë njëkohësisht është detyrim për grupin më të madh parlamentar për "bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm".

Mirëpo, se çka pritet të ndodhë pas këtij vendimi, folën avokatët.

Jashari: Formimi i një mazhorance në Kuvend, përmes një koalicioni, i cili do të siguronte 61 vota do të ishte zgjidhja më e mirë

Në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në një prononcim për “Bota sot”, foli avokati Arbër Jashari.

Sipas tij, tani është koha që partitë politike të reflektojnë dhe të krijohet një koalicion që do formonte shumicën e Kuvendit.

Image
Arbër Jashari.

“Ky aktgjykim është një momentum i ri dhe partitë politike duhet të reflektojnë. Formimi i një mazhorance në Kuvend, përmes një koalicioni, i cili do të siguronte 61 vota do të ishte zgjidhja më e mirë”, nënvizoi ai.

Mirëpo, në rast se nuk arrihet një koalicion specifik mes partive, atëherë mundësia e vetme është një marrëveshje mes partive më të mëdha politike, pasi dalja nga kriza është e domosdoshme.

“Por, në rast se kjo nuk është e mundshme, atëherë një marrëveshje politike, në mes subjekteve të mëdha, e cilla do t’i hapte rrugë, daljes nga kriza, bëhet e domosdoshme”, përfundoi Arbër Jashari për “Bota sot”.

Kujtojmë se, nga 15 prilli, seanca konstituive në Kuvend ka vazhduar çdo 48 orë - përveç një rasti kur është mbajtur pas 24 orësh - dhe që nga maji, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar që të japin një propozim për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Kësisoj, vetëm pasi të ndodhë konstituimi i Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Curri: Shpallja e zgjedhjeve të reja nga presidentja do mbetet opsioni i fundit në një rast të tillë hipotetik

Kurse, avokati tjetër Agron Curri tha se Kushtetuesja nuk e ka sqaruar saktësisht se çfarë ndodhë nëse brena 1 muaji nuk formohen institucionet.

Image
Agron Curri

Madje, ai theksoi se në rast se brenda afatit kushtetuese nuk bëhet konstituimi i Kuvendit, atëherë kjo do shkaktonte një krizë të rëndë politike dhe institucionale.

Ndër të tjera, avokati përmendi edhe zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, por si një opsion të fundit.

“Tani presioni mbi partitë politike do të rritet, veçanërisht për partinë e parë për të arritur një kompromis për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve brenda afatit kushtetues. Në rast se nuk zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët atëherë praktikisht, kjo do të shkaktonte krizë politike dhe institucionale, pasi vendi do të hynte në një rrugë pa ‘krye’ meqë Gjykata Kushtetuese, nga ajo që kemi parë, nuk ka sqaruar se çfarë ndodhë nëse brenda këtij afati nuk ka marrëveshje dhe nuk konstituohet Kuvendi. Shpallja e zgjedhjeve të reja nga presidentja do mbetet opsioni i fundit në një rast të tillë hipotetik”, përmbylli Agron Curri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat