A do të respektohet afati i Kushtetueses? Avokati Halilaj tregon skenarët: Marrëveshje ose zgjedhje!

Politika

A do të respektohet afati i Kushtetueses? Avokati Halilaj tregon skenarët: Marrëveshje ose zgjedhje!

Nga: A.M. Më: 30 qershor 2025 Në ora: 13:45
Kuvendi i Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur një aktvendim të enjten me të cilin i detyron deputetët të finalizojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik.

Megjithatë, partitë politike nuk kanë arritur ende deri tek një marrëveshje për të konstituar Kuvendin, pasi edhe dje dështoi sërish seanca konstituive.

E në lidhje me bllokadën në Kuvend dhe atë se si duhet të veprojnë partitë politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj.

Si fillim, ai u shpreh se Kushtetuesja me vendimin e saj bëri thirrje për përgjegjësi institucionale dhe politike.

Sipas tij, partitë që humbën zgjedhjet duhet të respektojnë vullnetin e qytetarëve dhe të ndihmojnë në konstituimin e Kuvendit.

Image
Gazmend Halilaj.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili obligon deputetët që brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit dhe të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët, vëmendja tani është e përqendruar në veprimet e radhës të spektrit politik.

Kjo është një thirrje e qartë për përgjegjësi institucionale dhe politike. Partitë, në veçanti ato që kanë humbur zgjedhjet, duhet të lënë anash kalkulimet partiake dhe të respektojnë vullnetin e qytetarëve, duke mundësuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionimin e institucioneve”, deklaroi ai.

Po ashtu, Halilaj u shpreh se liderët politike duhet të tregojnë pjekur dhe të zhbllokojnë Kuvendin, pasi me këtë krizë të krijuar vetëm sa dëmtohet imazhi i Kosovës.

“Tani është momenti kur liderët duhet të tregojnë pjekuri politike. Bllokimi i konstituimit të Kuvendit nuk i shërben askujt – as qytetarëve, as shtetit. Përkundrazi, do të thellonte krizën institucionale dhe do të dëmtonte imazhin e Kosovës si një demokraci funksionale. Në këtë drejtim, partitë opozitare duhet të përmbushin rolin e tyre konstruktiv, jo vetëm në opozitë, por edhe në proceset vendimmarrëse”.

Krahas kësaj, avokati tregoi se çka mund të ndodhë nëse nuk respektohet afati 30 ditor i Kushtetueses, ku një nga skenarët janë edhe zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme.

“Nëse përbrenda afatit kushtetues nuk konstituohet Kuvendi, atëherë Presidentja e Republikës së Kosovës detyrohet të shpallë zgjedhje të reja. Ky është një skenar i dëmshëm për vendin, jo vetëm në aspektin institucional dhe ekonomik, por edhe në besimin e qytetarëve ndaj sistemit politik”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, Halilaj vlerëson se në përputhje me parimet e demokracisë, partia fituese, në këtë rast LVV, duhet të përkrahet për të çuar përpara procesin e formimit të institucioneve të reja.

“Po. Partia që ka fituar besimin më të madh qytetar duhet të marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e vendit. Kjo është në përputhje me parimet demokratike dhe me vullnetin e popullit. Përkrahja e partisë fituese, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje, nuk është thjesht çështje politike, por domosdoshmëri për stabilitet dhe përparim institucional. Shantazhi politik, obstruksioni dhe refuzimi për të bashkëpunuar janë receta për krizë, jo për demokraci”, përmbylli Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat