Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe takimeve të fundit me liderëve të partive politike po ashtu edhe pas dështimit të tentativave për konstituimin e Kuvendit, akoma nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët mes palëve.
Për këtë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që në ditët në vijim të thërrasë në takime udhëheqësit e partive politike, me qëllim diskutimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, i cili theksoi se Osmani pret nga partitë e përfaqësuara në Kuvend që të respektojnë në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata”, deklaroi Kupina.
Analisti poliitk, Arbnor Sadiku, në një prononcim e vlerëson pozitiv takimin e liderëve politikë, por shprehet skeptik për efektin e tij.
Ai thekson se Presidentja duhet të shqyrtojë mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit 30-ditor, ndonëse sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk ka qenë shumë e qartë në këtë pikë.
“Takimi në vetvete është pozitiv, sesa do të ketë efekt mbetet te shihet, por, tani presidentja duhet të shikoj mundsinë e zgjedhjeve të reja parlamentare, nëse për 30 ditë nuk kemi konstituim të Kuvendit, edhe pse në ketë pikë Gjykata Kushtetuese nuk ka qenë shume saktë”, thotë Sadiku për “Bota sot”.
Vlen të përmendet se, ky zhvillim vjen në një moment kritik për funksionalizimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet, ndërsa presioni për përmbushjen e afateve kushtetuese është rritur. Thirrja e Presidentes synon të nxisë dialogun politik dhe të shmangë një krizë të mundshme institucionale.