Ndërtohen ura të reja mbi Ibër, por ajo kryesore mbetet e mbyllur – Tali: Nonsens dhe pa logjikë sigurie

Politika

Ndërtohen ura të reja mbi Ibër, por ajo kryesore mbetet e mbyllur – Tali: Nonsens dhe pa logjikë sigurie

Nga: A.SH Më: 1 korrik 2025 Në ora: 19:57
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke vënë gur themelin e njërës prej dy urave që Qeveria e tij në detyrë do t

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me përfaqësues të dy komunave të Mitrovicës dhe ministra të kabinetit qeveritar, kanë vendosur të martën gurthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, në kuadër të një projekti të përbashkët ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale.

Ndërsa sa i përket mundësisë së hapjes së urës kryesore mbi Ibër - Qeveria ka theksuar se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar: "Ura kryesore mbi Ibër duhet të jetë e hapur për qarkullim të plotë, ndërsa ndërtimi i dy urave të reja do të kontribuojë më shumë në frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave dhe lëvizjen e lirë në të dyja anët e lumit Ibër".

Nga Bashkimi Evropian i kanë thënë REL se nuk janë të përfshirë në këtë projekt dhe as që janë të njoftuar për të dhe çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse - duke i përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet që preken nga kjo çështje.

Analisti Driton Tali, në një prononcim për “Bota sot”, shprehet skeptik për ndryshime në qëndrimet e diplomatëve të BE-së, për shkak të situatës gjeopolitike që, sipas tij, është e paqartë dhe e ndikuar nga lufta në Ukrainë.

Ai kritikon faktin që Kosova, ndonëse e pozicionuar qartë pro Perëndimit, nuk po përfiton, ndërsa Serbia me qëndrimin e dyfishtë po trajtohet me tolerancë.

Sipas Talit, Kosova nuk duhet të presë pasive, por të veprojë në interesin e saj, pavarësisht kalkulimeve diplomatike të jashtme.

“Unë nuk pres ndryshime në qëndrime të diplomatëve të BE'së derisa të ekzistojë kjo gjeopolitikë e mugët dhe fragjile. Fundja Kosova nuk çon peshë në këto lojërat gjeopolitike.

Për më tepër deklarimi ynë pothuajse unanim pro Perëndimor po merret si i mirëqenë, gjersa qëndrimi i Vuçiçit pro forma në dy karriga (e realisht vetëm në karrikën e Putinit) sikur po përfiton.

Tashti shtrohet pyetja se çfarë të bëjmë neve në ndërkohë derisa gjeopolitika të qartësohet që i bie derisa Putini të dorëzohet në Ukrainë?

Të rrijmë duarkryq dhe të presim çfarë mund të na thotë ndonjë diplomat (i/e cili/a para se gjithash sheh interesin e karrierës vet) apo të tentojmë të bëjmë diçka për interes tonin!?” – pyet Tali.

Ai e konsideron absurd faktin që ura kryesore mbi lumin Ibër vazhdon të qëndrojë e mbyllur për automjete, ndërsa urat e tjera në afërsi janë të hapura për qarkullim. Ai hedh poshtë edhe arsyetimin e sigurisë, duke e cilësuar të paarsyeshëm, pasi rreziku – nëse ekziston – do të duhej të vlejë për të gjitha urat.

Sa i përket ndërtimit të dy urave të reja, Tali thotë se, megjithëse nuk është i informuar në detaje, në parim i mbështet, pasi urat shërbejnë për të lidhur njerëzit dhe për të lehtësuar jetën dhe biznesin.

“Sa i perket urës kryesore mbi Ibër, është krejtësisht nonsens mbajtja mbyllur për komunikacion derisa pak më tutje urat tjera janë të hapura!

Edhe arsyetimi i sigurisë është gjithashtu nonsens thuajse nuk paska mundësira për t'u rrezikuar qytetarët e anës veriore nga urat tjera, apo edhe asaj ure e cila megjithatë është në qarkullim për këmbësorë!?

Sa i përket ndërtimit të dy urave tjera, unë mund të flas në parim sepse ato projekte janë të karakterit lokal (komunal) dhe nuk jam i informuar në detaje për rëndësinë e tyre, por mund të them në parim se urat i bashkojnë njerëzit dhe e lehtësojnë biznesin dhe jetën e qytetarëve në përgjithësi, andaj s'ka asgjë të keqe nga ato, veç të mira”, - përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat