35 vjet nga Deklarata Kushtetuese të 2 Korrikut/ Veprimtarët vlerësojnë rrugëtimin e Kosovës - Pakënaqësi për problemet e pazgjidhura!

Politika

35 vjet nga Deklarata Kushtetuese të 2 Korrikut/ Veprimtarët vlerësojnë rrugëtimin e Kosovës - Pakënaqësi për problemet e pazgjidhura!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 2 korrik 2025 Në ora: 08:22
Kuvendi i 2 korrikut

Më 2 korrik 1990, në Kosovë u bë një nga hapat më të rëndësishëm në historinë e vendit – shpallja e Deklaratës Kushtetuese nga deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.

Ky akt politik u bë në ndërtesën e Kuvendit në Prishtinë, nën presionin dhe rrezikun e madh të regjimit serb, që në atë kohë po e shfuqizonte autonominë e Kosovës.

Deklarata e 2 Korrikut ishte hapi i parë drejt synimit për të pasur një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Edhe pse në atë kohë nuk ishte një shpallje e pavarësisë në kuptimin e plotë, ajo tregoi qartë vullnetin e popullit për vetëvendosje dhe për të ndërtuar institucionet e veta, larg kontrollit të Beogradit.

Pas këtij hapi, rruga përpara ishte e gjatë dhe e vështirë. Fillimisht erdhi organizimi i jetës politike dhe shoqërore në mënyrë paqësore, nën udhëheqjen e presidentit Ibrahim Rugova. Më vonë, kur shtypja u bë edhe më e rëndë, nisi rezistenca e armatosur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që kulmoi me çlirimin dhe ndërhyrjen ndërkombëtare në vitin 1999.

Përfundimisht, ajo që nisi më 2 Korrik 1990 u kurorëzua më 17 Shkurt 2008 me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Sot, 35 vjet më pas, kjo datë mbetet një kujtesë e rëndësishme për rrugën që kaloi populli i Kosovës për të arritur lirinë dhe shtetin e tij.

Mirëpo të gjendur sot në këtë ditë të veçantë, a është Kosova ajo për të cilën ëndërruan nënshkruesit e deklaratës së 2 korrikut?

Rudi: 2 Korriku i vitit 1990, edhe në mendjen time ka mbetur një ngjarje e madhe e asaj kohe

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur ish-deputeti i LDK-së, Fetah Rudi.

Ai tha se 2 Korriku 1990 ishte një moment vendimtar në historinë e Kosovës, kur u shpall Republika dhe u mor një vendim i rëndësishëm për të ardhmen e saj.

Image
Fetah Rudi

Ai e cilëson këtë datë si ngjarje të madhe që mbetet krenari dhe kujtesë historike për popullin.

“Data 2 Korriku i vitit 1990 do të kujtohet si data kur është shpallur Republika e Kosovës. Ajo ishte dhe mbeti një datë historike për popullin e Kosovës, ku delegatët e Kuvendit të Kosovës, të mbështetur nga populli, Akademia dhe LDK-ja, si dhe Presidenti Rugova, morën një vendim të rëndësishëm.

2 Korriku i vitit 1990, edhe në mendjen time, ka mbetur një ngjarje e madhe e asaj kohe, sepse mbeti edhe në historinë tonë më të re si një datë historike — 2 Korriku që edhe sot e kujtojmë me krenari”, u shpreh ai.

Më tej, Rudi shton që nëse do të ishte zbatuar plotësisht Kushtetuta e shpallur më 2 Korrik, Kosova do të ishte më e zhvilluar dhe më e lirë, ashtu siç e kishin ëndërruar delegatët.

“Po sikur të ishte zbatuar plotësisht Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ashtu siç është nënshkruar Deklarata e 2 Korrikut nga delegatët e Kuvendit, do të kishte qenë shumë më mirë situata në Kosovë. Ata ëndërruan një Kosovë shtet të pavarur, me zhvillim ekonomik dhe me një liri të plotë, ashtu si të gjithë popujt e lirë”, foli Rudi për “Bota sot”.

Azemi: Rëndësia e këtij dokumenti qëndron në faktin se u përshpejtua dinamika e procesit të shtet ndërtimit të Kosovës

Ndërsa publicisti dhe shkrimtari Emin Azemi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur për këtë ngjarje historike.

Publicisti thekson se Deklarata e 2 Korrikut vendosi bazat kushtetuese të shtetësisë së Kosovës, duke e shpallur atë si njësi të barabartë brenda Jugosllavisë.

Image
Emin Azemi

Ai thotë se me këtë akt, Kosova u shkëput juridikisht nga kontrolli i Serbisë dhe fitoi të drejtën për vetëvendosje, njësoj si republikat tjera të ish-Jugosllavisë.

“Në tre pikat, nga gjithsej 5, e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, vendosen themelet e shtetësisë së Kosovës, pasi që, siç thuhet, me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë. Duke e shpallur si njësi të barabartë në Jugosllavi, Deklarata e 2 Korrikut, e shkëput përfundimisht Kosovën nga hegjemonia kushtetuese e Serbisë dhe Jugosllavisë, duke i dhënë asaj atributet e një njësie me të drejtë vetëvendosjeje dhe shkëputjeje, siç e kishin ish republikat tjera jugosllave”, thotë ai.

Azemi vazhdon bisedën duke shtuar që Deklarata e 2 Korrikut ishte nisma që përshpejtoi procesin e shtetformimit të Kosovës, duke çuar drejt shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Ai e cilëson këtë deklaratë si fillesën (embrionin) e Republikës së Kosovës, që rrjedh nga një aspiratë historike e shqiptarëve për liri dhe shtetësi.

“Rëndësia e këtij dokumenti qëndron në faktin se u përshpejtua dinamika e procesit të shtetndërtimit të Kosovës, që pasoi me mbajtjen e Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtatorit 1990, kur edhe u shpall Republika e Kosovës, referendumit për Pavarësi të vitit 1991 si dhe zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të Kosovës të vitit 1992, për t’ua finalizuar me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, më 17 shkurt 2008.

Prandaj, për nga rëndësia, Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, paraqet embrionin e një fryti që më vonë do të quhet Republika e Kosovës, një aspiratë kjo e mbjellur thellë në të gjitha betejat politike e ushtarake të shqiptarëve në 100 vitet e fundit”, shpjegoi publicisti.

Publicisti thekson se 2 Korriku sot nuk po vlerësohet sa duhet në jetën publike dhe politike të Kosovës, gjë që e konsideron të pafalshme, pasi rrezikon të zbehë kuptimin e lirisë.

Ai nënvizon se, ndonëse Kosova është tashmë shtet i pavarur, trashëgimia e Deklaratës së 2 Korrikut ende nuk është plotësisht e konsoliduar përballë sfidave të brendshme dhe atyre nga Serbia

“Kam përshtypjen se sot 2 Korriku regjistrohet vetëm nga mediat si një ngjarje që nuk ka impakt më të gjerë në shoqëri, sidomos në jetën politike e publike të Kosovës. Kjo është e pafalshme, sepse nëse ngjarjet e tilla të shenjta lejojmë t’i konsiderojmë vetëm si evokim rutinor, atëherë ka rrezik që të mos i shijojmë frytet e lirisë në dimesnionin e duhur.

Pavarësisht kësaj, Kosova sot është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 100 shtdete të botës, dhe kjo është një dëshmi se Deklarata e 2 Korrikut prodhoi një gjendje jurdiko-kushtetuese që është akt i kryer, si projekt shtetëror, por jo edhe mjaftueshëm i konsoliduar në pikëpamje të amortizimit të sfidave të brendshme e mës shumë të jashtme, kryesisht ato që vijnë nga Serbia, për shkak të mos mbylljes së problemeve të trashëguara tash e 26 vite të kaluara, që nga çlirimi i Kosovës”, përfundoi publicisti dhe shkrimtari Emin Azemi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat