Së fundi, në një intervistë televizive, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli rreth Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe mundësisë së një koalicioni me Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Kurti deklaroi se nuk ka shqyrtuar ndonjëherë mundësinë e bashkëpunimit me PDK-në, duke e arsyetuar këtë me faktin se, sipas tij, kjo parti nuk është reformuar dhe ka kontribuar ndjeshëm në dëmtimin e shtetit të Kosovës.
E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” ka folur profesori Enver Bytyçi.
Si fillim, ai u kthy pas në kohë, para disa muajve, kur vetëm Krasniqi, i shkoi në takimin që Kurti kishte thirrur liderët e të gjitha partive politike, kur disa filluan ta shihnin si afrim mes dy partive, LVV dhe PDK.
“Disa muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Albin Kurti i pati thirrë në takim kryetarët e partive politike në Kosovë. Vetëm Memli Krasniqi i pati shkuar në atë takim. Nuk pranuan ta takojnë atëherë krzeministrin e vendit as Ramush Haradinaj, as Lumir Abdixhiku. Shkuarja e kreut të Partisë Demokratike në takim me kryeministrin Kurti u pa si “marrëveshje për bashkëqeverisje” pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Jo pak njerëz e patën besuar këtë. Ndërkohë që ai takim u shoqërua më vonë, edhe gjatë fushatës, me ulje të tonit konfliktual midis Vetëvendosjes dhe PDK-së. Dhe ndryshe ndodhi gjatë fushatës me reagimet e Kurtit ndaj LDK-së dhe kryetarit të saj, Lumir Abdixhikut”.
Krahas kësaj, Bytyçi përmendi afërsinë që ka treguar Kurti ndaj Abdixhikut dhe ofertën për qeverisje, ku e mbështeti edhe ai një koalicion mes LDK-së dhe LVV-së.
“Pas zgjedhjeve Kurti iu drejtua publikisht zotit Abdixhiku me thirrjen për koalicion midis subjekteve politike që ata drejtojnë. E argumentoi këtë thirrje me atë se “anëtarët e të dy partive janë të pajtuar për një koalicion të tillë”! E vërteta është se po të bësh sondazhe, VV dhe LDK në bazë e mbështetin bashkëpunimin në qeverisje të dy partive përkatëse. Por Lumiri iu përgjigj negativisht kërkesës së Albinit. Ndoshta se ka presion nga prupo konservator i kësaj partie dhe nuk është i aftë të dalë kundër tyre. Ndoshta se nuk i ka ik inati nga retorika e Albin Kurtit gjatë fushatës. Nuk e di pse, Por jam i bindur se Lidhja Demokratike në koalicion me Vetëvendosjen do t’i bënin mirë Kosovës”, shtjelloi ai.
Në këtë pikë, profesori mbështeti deklaratën e Kurtit për problemet brenda PDK-së dhe mosreforimimin e saj, ku ndër të tjera tha se edhe ka përçarje në këtë parti, ku Krasniqi nuk mbështet si kryetar.
“Tani shoh se askush në Kosovë nuk e ka mendjen te dobia që duhet të sjell për vendin. Ndryshe do të ishin krijuar deri tash institucionet e shtetit. Por nuk po ndodh, sepse ka hy inati, sherri, urrejtja dhe hakmarrja politike. Këto ia kanë zënë vendin interesit të Kosovës dhe vetëdijës për të kontribuar për shtetin. Kurti deklaroi në këto kushte se Partia Demokratike e Kosovës nuk është reformuar, prandaj dhe sipas tij, nuk ka vend për koalicion me këtë parti. Në fakt në PDK ka probleme. Ka fraksione. Ka grupime me qëndrime dhe ideologji të ndryshme. Memli Krasniqi është kryetar. Por Memlin nuk e njohin për kryetar as Vlora Çitaku, as Enver Hoxhaj e shumë të tjerë në atë parti. Sami Lushtaku jo e jo!”, u shpreh Bytyçi.
Tutje, ai përmendi edhe arsyen pse Kurti refuzon një koalicion me PDK-në, ku përmendi inatet e kësaj të fundit.
“Në këtë kuptim Albin Kurti ka të drejtë. Një parti e reformuar nuk qëndron peng e një tregtari territoresh të Kosovës. E derisa këta njerëz bëjnë ligjin, pa qenë në krye të partisë, atëherë normal që PDK nuk mund të konsiderohet e reformuar. Por nuk besoj se kjo është arsyeja kryesore pse Kurti nuk bën koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Mund të jetë një arsye e justifikuar, por koalicionet krijohen me dakordësimine dy ose më shumë palëve. PDK nuk është e gatshme për të bashkëqeverisur me Vetëvendosjen. Ata kanë inat të dyfishtë. E konsiderojnë Vetëvendosjen si “tradhtare” të krerëve të UÇK-së që sot gjykohen në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë. Sipas PDK-së, Kurti ka shkurtuar fondet për të paguar avokatët e katrë të akuzuarve, me zotin Thaçi si kryesori.
Në fakt qeveria e Kurtit kakundërshtuar dhe nuk ka financuar 4 e 5 avokatë që ka pajtuar Thaçi, por një ose dy prej tyre. Dhe kjo është normale. Me paratë e taksapaguesve të Kosovës është kollaj të marrësh edhe 15 avokatë, madje më të shtrenjtit në glob. Por nuk është e arsyeshme kjo. Prandaj PDK reagon kundër koalicionit me Kurtin. Kjo do të thotë se grupi i PRONTO-s është i fuqishëm në PDK. Ata që e shkatërruan dhe deshën madje t’ia japin Serbisë Kosovën, ata diktojnë në Partinë Demokratike të Kosovës. Bëjnë sikur e respektojnë Memli Krasniqin. Por në fakt nuk e duan. Madje PRONT-istët besojnë se Memli është njeriu anti-Thaçit. Ndaj dhe kreu i PDK-së nuk guxon t’i thotë PO një koalicioni qeverisës me Albin Kurtin. Si Memli, edhe Lumiri janë peng i presionit të konservatorëve në partitë e tyre”.
Në fund, profesori tha se koalicioni më i mirë është LVV-LDK, derisa tha se pavarësisht kësaj më e rëndësishmja është të formohen institucionet, me kusht që të mos varet kjo gjë nga Lista Serbe.
“Më e mira do të ishte që qeverinë ta krijonin VV + LDK. Por nëse jo, edhe një koalicion midis PDK-së dhe VV do të ishte i nevojshëm, nëse palët bien dakord për bashkëqeverisje. Me rëndësi është që Kosova të krijojë institucionet e saj legjitime. Cilado nga këto parti të bashkëpunojë me partinë fituese, Vetëvendosjen, krijon legjitimitet. Madje krijon balancë në favor të shtetit, institucioneve dhe inteersit të qytetarëve. Mënjanon kushtëzimet nga Lista Srpska gjithashtu. Mosreformimi, thashë edhe më lart nuk është arsye dhe këtë zooti Kurti e di. Në fund të fundit koalicioni formohet mboi bazën e një programi të përbashkët qeverisës, bazuar në premtimet elektorale të palëve. Kësisoj qeverisja nuk kushtëzohet nga reformat brenda partisë. E vetjma gjë është se një parti e pareformuar, nuk do të ishte e gatshme të pranojë zgjidhje të tilla. Shkurt, janë kundërshtitë e Lidhjes Demokratike dhe të Partisë Demokratike shkaku themelor i mungesës së një koalicioni qeverisës”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.