Të dorëzojnë mandatet apo të presin afatet?/ Njohësit paralajmërojnë: Kosova rrezikon të zvarritet në bllokadë pa dalje!

Politika

Të dorëzojnë mandatet apo të presin afatet?/ Njohësit paralajmërojnë: Kosova rrezikon të zvarritet në bllokadë pa dalje!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 8 korrik 2025 Në ora: 16:28
Kuvendi i Kosovës

Të hënën më 7 korrik u regjistrua përpjekja e 43-të e pasuksesshme e deputetëve të zgjedhur për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Sikurse edhe në herët e kaluara, partitë opozitare - përfshirë PDK-në, LDK-në, AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe - refuzuan të propozojnë anëtarë për komisionin që do të organizonte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin, duke e konsideruar këtë proces si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Në votim të hapur, ata e kundërshtuan disa herë radhazi emërimin e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë pozitë.

Natyrisht që kjo situatë ka filluar të sjellë pakënaqësi dhe pasiguri për të ardhmen e institucioneve të vendit.

Ani pse Gjykata Kushtetuese ka dhënë afatin kohorë në 30 ditë për të u konstituar Kuvendi, gjasat që një gjë e tillë të ndodhë duken të pakta.

Gjithashtu vlen të cekët që javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ftoi në takim përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar opsionet për dalje nga kriza.

Ajo e përmendi edhe mundësinë që t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.

Kjo situatë ka ngritur pyetje serioze rreth mundësisë së shpërndarjes së Kuvendit dhe thirrjes së zgjedhjeve të parakohshme.

E të gjendur në këtë situatë a duhet pritur përfundimi i afateve ligjore për shpërndarjen e Kuvendit, apo kjo mund të ndodhë më herët, dhe sa e gatshme është deputetët të dorëzojnë mandatet për të çuar vendin në zgjedhje të reja?

Jashari: Në secilin variant, mendoj qe zgjidhja qëndron tek formulat politike, e jo tek ato juridike

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Arbër Jashari.

Image
Arbër Jashari

Avokati thotë se zgjidhja e krizës politike kalon domosdoshmërish përmes një koalicioni që siguron shumicën parlamentare për formimin e qeverisë, ndërsa si alternativë mbetet edhe shpërndarja e Kuvendit pas konstituimit të tij.

“Unë nuk shoh zgjidhje, apo dalje nga kjo situatë, pa një koalicion politik qe do t’i siguronte partisë qe ka dalë e para në zgjedhjet ne 9 shkurtit, 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për formimin e qeverisë. Mundësi tjetër do të ishte edhe një marrëveshje politike, e cila mund ta parashihet edhe shpërndarjen e Kuvendit si opsion, normal pas konstituimit formal te tij”, u shpreh ai.

Ndër të tjera ai shton që zgjidhja e krizës politike qëndron në marrëveshje politike, pasi afati ligjor për konstituimin e Kuvendit nuk sjell automatikisht zgjedhje dhe pasojat juridike mbeten të paqarta.

“Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e fundit përkitazi me këtë çështje, ka caktuar një afat 30 ditor, për konstituimin e Kuvendit, por nuk ka treguar për pasojat ligjore, nëse kjo nuk ndodhë. Po ashtu Gjykata, ka potencuar se moszgjidhja e kryetarit të Kuvendit, nuk e qon vendin automatikisht ne zgjedhje.

Në secilin variant, mendoj qe zgjidhja qëndron tek formulat politike, e jo tek ato juridike.

Çfarëdo skenari tjetër, vetëm mund të thelloj edhe me tej krizën aktuale, duke na zhytur në situata juridike të paqarta, të cilave nuk u dihet epilogu sigurt”, foli Jashari për “Bota sot”.

Duhanaj: Zgjidhja me e lehtë kishte me qenë respektimi i rregullave të demokracisë

Ndërsa analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, kritikon ashpër bllokadën politike në Kosovë, duke e konsideruar si pasojë të papërgjegjshmërisë së partisë fituese dhe duke theksuar përmasat shqetësuese që ka marrë situata.

Image
Leon Duhanaj

Ai shpreh zhgënjim edhe ndaj institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi, për mungesën e reagimit dhe qëndrimit të dinjitetshëm përballë krizës.

“Bllokada në të cilën është futur Kosova, si pasojë e kryeneçësisë dhe papërgjegjësisë së partisë, gjegjësisht koalicionit që doli i/e para në zgjedhje, tashmë ka shkuar drejtë përmasave shqetësuese.

Shumë me shumë me shqetëson pjesa tjetër e shoqërisë:

Nën 1. Deputetet e VV, që duken të padinjitetshëm dhe luajnë rolin e deleve.

Presidentja e cila akoma nuk është e qartë se çfarë pozicioni mbanë, pra po kalkulon për të ardhmen, në kurriz të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimin e saj, la hapësirë për dykuptimësi.

Edhe subjektet tjera, të cilat duhet të sillen shumë të civilizuara në raport me një kauzë kaq destruktive dhe anticivilizuese.

Dhe shoqëria civile, gjegjësisht qytetarët  të cilët me gjasë do ta durojnë edhe nëse ua shtinë këmbët n' qafë”, shpjegoi analisti.

Duhanaj thotë se zgjidhja për krizën politike qëndron te respektimi i ligjeve dhe parimeve demokratike, por akuzon Kurtin për mospërfillje ndaj tyre.

Gjithashtu thekson nevojën për vendim të qartë nga Gjykata Kushtetuese dhe reagim institucional, ndërsa kritikon mungesën e reagimit qytetar dhe kërkon forma presioni ndaj shkelësve të ligjit.

“Natyrisht që ka zgjidhje dhe ajo qëndron tek ligjet dhe rregullat e demokracisë.  Rregulla dhe ligje për të cilat Kurti as nuk do t'ia di fare.

Prandaj, kërkohet vendim i qartë i Gjykatës Kushtetuese, e pastaj edhe reagim adekuat nga strukturat e zbatimit të ligjshmërisë në vend, duke i sanksionuar të gjithë ata që me vetëdije shkelin ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Në shoqëritë e emancipuara, një situatë të tillë, do ta zgjidhnin qytetarët vetë, përmes protestave masive, por këtu tek ne ,nuk ndodhë një gjë e tillë.

Zgjidhja me e lehtë kishte me qenë respektimi i rregullave të demokracisë, qoftë duke e negociuar formimin e shumicës parlamentare  për t'i zgjedhur me pastaj Kryetaren/in, kryesinë dhe Qeverinë.

Ose edhe duke gjetur konsensus për të shkurt prapë në zgjedhje.

Pra zgjidhje ka por kërkohet përgjegjësi, e kur mungon përgjegjësia, duhen të gjende forma të tjera të cilat do t'ia bënin të qartë shkelësit se kështu ma nuk shkon”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat