Një kërcënim me bombë i drejtuar ndaj Kuvendit të Kosovës ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe institucionet e sigurisë, duke ngritur dyshime të forta se mund të jetë pjesë e një skeme më të gjerë të luftës hibride. Kërcënimi thuhet se ka ardhur nga një numër i rrjetit serb MTS, që operon në Kosovë si degë e Telekom Srbija. Ky zhvillim ka ringjallur debatin mbi rolin e kësaj kompanie në vend dhe ndikimin e saj në proceset e brendshme të sigurisë dhe stabilitetit. Autoritetet po hetojnë rrethanat e incidentit, ndërsa ekspertët e sigurisë paralajmërojnë për rritjen e kërcënimeve asimetrike ndaj institucioneve shtetërore.
Dr. Gurakuç Kuçi, Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor në Kolegjin Universum, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës po shihet si më shumë se një incident i izoluar.
Sipas tij, ai bart elemente të një akti të luftës hibride nga Serbia, pasi mesazhi kërcënues ka ardhur nga një numër i rrjetit serb MTS, degë e Telekom Srbija. Kjo kompani, edhe pse e legalizuar me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015 për të vepruar në zona me shumicë serbe, ka refuzuar të zbatojë ligjet e Kosovës dhe vetë marrëveshjen.
“Kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës është shumë më tepër sesa një incident – ai përmban të gjitha elementet e një akti të luftës hibride të drejtuar nga Serbia. Numri telefonik nga i cili ka ardhur kërcënimi i përket rrjetit MTS, degë e kompanisë shtetërore serbe Telekom Srbija. Kjo kompani, e legalizuar me marrëveshjen e Brukselit më 2015 për të operuar në mënyrë të kufizuar në zonat me shumicë serbe dhe sipas ligjeve të Kosovës, nuk i është bindur asnjëherë as marrëveshjes, as ligjit”, thotë ai.
Ai nënvizon se Telekom Srbija (MTS) në Kosovë funksionon si strukturë ilegale dhe jo si pjesë e sistemit juridik të Kosovës.
Sipas Kuçit, kjo kompani ka penguar hetimet për raste të ndjeshme si vrasja e Oliver Ivanoviqit, ka fshehur të dhëna për sulmet terroriste dhe është përdorur për ndjekje dhe përgjime të gazetarëve, përfshirë përdorimin e spyware si Pegasus.
Ai e cilëson MTS-në si instrument të regjimit të Vuçiqit për ndikim rajonal dhe destabilizim të qëllimshëm, duke e konsideruar tashmë si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, jo thjesht një çështje komunikimi.
“Në vend se të integrohet në rendin juridik të Kosovës, MTS është shndërruar në një strukturë ilegale paralele, e cila jo vetëm që nuk ka bashkëpunuar me institucionet e sigurisë, por ka vepruar hapur kundër tyre. Ka fshirë dëshmi kritike për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ka kamufluar informacionet për Milan Radoiçiqin dhe grupin terrorist në Banjskë, si dhe për sulmin në objektin strategjik në Ibër Lepenc. Kjo kompani është përdorur edhe si kanal për ndjekje, përgjime dhe instalim spyware ndaj gazetarëve dhe shoqërisë civile në Serbi – përfshirë përdorimin e Pegasus dhe NoviSpy, siç ka raportuar Amnesty International.
Shtrirja e Telekom Srbija në rajon është pjesë e një strategjie të gjerë shtetërore të Serbisë për kontroll dhe ndikim përmes infrastrukturës digjitale dhe mediatike. Kompania ka monopol në zonat me shumicë serbe në Kosovë sa i përket kabllorit, ka tentuar të blejë IPKO-n dhe Telekom Albania, dhe është e pranishme në Bosnje, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Kanale të saj si Arena Sport ishin futur edhe në rrjetet kabllore shqiptare.
Telekom Srbija nuk është thjesht operator telefonik. Është një instrument shtetëror i regjimit të Vuçiqit, i përdorur për ndërlidhje të grupeve kriminale, operacione të fshehta dhe destabilizim të qëllimshëm të sigurisë në Kosovë. Ky nuk është më një problem i komunikimit, por një çështje e pastër e sigurisë kombëtare” – përfundon ai për “Bota sot”.