Bllokada politike po i kushton ekonomikisht Kosovës: Investitorët ikin, fondet ngelen pezull

Politika

Bllokada politike po i kushton ekonomikisht Kosovës: Investitorët ikin, fondet ngelen pezull

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 8 korrik 2025 Në ora: 20:03
Foto ilustrim

Kosova është në një bllokdaë politike që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Vendi, përveç politikisht, po e vuan edhe financiarisht, mos konstituimin e Kuvendit.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që seanca konstituive të përfundojë brenda 30 ditësh, megjithatë partitë politike ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje sa i përket zhbllokimit të Kuvendit dhe secila prej tyre po vazhdon me qëndrimet e njëjta.

E në mungesë të një Kuvendi funksional dhe mungesës së ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me Bankën Botërore, Kosova është duke rrezikuar humbjen e 230 milionë eurove.

Një pjesë e marrëveshjeve, në vlerë të 130 milionë eurove, janë zvarritur prej vitit 2024, ndërsa tjerat, në vlerë të 100 milionë eurove, janë ujdi të reja.

Përveç kësaj, Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të BE-së, dhe kështu nuk ka qasje në ndihmën financiare nga paratë e paraanëtarësimit (IPA).

Në krizë është edhe ekonomia e vendit me rritje të çmimeve të treg, e të cilat veçse po ua vështirësojnë më shumë jetën qytetarëve.

Kësisoj, ekspertët e ekonomisë treguan mbi pasojat që po ia sjell ngërçi në Kuvend, ekonomisë së vendit.

Bellaqa: Destabiliteti politik krijon një imazh negativ në aspektin ekonomik

Njoësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli mbi ndikimin e bllokadës në Kuvend në ekonominë e vendit.

Ai tha se ky ngërç politik krijon mosbesim tek investitorët e brendshëm dhe të jashtëm, ku theksoi se për shkak të mosmiratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare vendi ka humbur fonde rreth 900 milionë euro.

“Destabiliteti politik/ bllokada e mosformimit të institucioneve tash e sa muaj shkakton edhe destabilitet ekonomik dhe social, dhe krijon një imazh negativ në aspektin ekonomik sepse krijohet mosbesim ndaj institucioneve nga investitorët e jashtëm dhe të brendshëm. Dhe mosformimi institucioneve ka ndikuar që të mos miratohen marrëveshjet ndërkombëtare që janë të destinuar fondet e BE-së, diku rreth 900 milonë euro që kanë mbetur nga mosmiratimi i legjistraturës së kaluar”, nënvizoi ai.

Image
Jakup Bellaqa

Krahas kësaj, Bellaqa vlerëson se ngërçi politike ka shkaktuar edhe vështirësi ekonomike e sociale, ku ndër të tjera përmendi edhe disa aspekte të tjera negative.

Kësisoj, përmendi edhe çmimet e larta në treg, përfshi atë të energjisë elektrike.

“Gjithashtu konstatoj se mosformimi institucioneve tjera ekzekutive tregu dhe proceset ekonomike kanë dalur nga shtrati i vetë/ nga rrjedhat normale sepse çmimet jo elastike/ bazike jetësore, po rriten për çdo ditë gjithashtu në anën tjetër inflacioni po ndikon/ dhe po e vështirëson jetën e qytetarit të Kosovës.  Konstatoj se një faktor tjetër që po ndikon negativisht është rritja e çmimit të energjisë elektrike prej 16.10% ku ka ndikuar sidomos te kategoritë me të hyra të ulëta si tek ato me asistencë sociale dhe te kategoritë pensional. Ngërçi politike ka shkaktuar edhe përkeqësim të ambientit ekonomik dhe vështirësi ekonomike dhe sociale/ dhe bllokim të fondeve të BE-së, nuk ka rritje ekonomike dhe rritje të produktivitetit ekonomik pa formimin e institucioneve”, përfundoi Jakup Bellaqa për “Bota sot”.

Muhaxheri: Kjo gjendje ul motivimin e investitorëve të huaj, sepse askush nuk dëshiron të investojë në një shtet ku ka pasiguri politike

Kurse, edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Arton Muhaxheri vlerëson se bllokada në Kuvend, po i kushton shumë Kosovës edhe ekonomikisht.

Ai tregoi se kur nuk funksionojnë siç duhet institucionet, fondet dhe projektet zhvillimore mbeten në pasiguri.

“Bllokada institucionale që po zgjat me muaj po i kushton Kosovës jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht.

Kur nuk ka funksionim normal të institucioneve, bllokohen vendimet për projekte zhvillimore, ndahen me vonesë fondet për investime publike dhe sektori privat mbetet në pasiguri”.

Image
Arton Muhaxheri

Po ashtu, Muhaxheri tha se situata e krijuar ‘largon’ investitorët e huaj, pasi nuk dëshiron askush të investoj në një shtet që ka kriza politike e ligjore.

Ndër të tjera, ai bëri thirrje për zgjidhje të këtij ngërçi, pasi tha se këtë bllokadë nuk e paguajnë politikanët, por qytetarët.

“Kjo gjendje ul motivimin e investitorëve të huaj, sepse askush nuk dëshiron të investojë në një shtet ku ka pasiguri politike dhe ligjore. Për më tepër, partnerët ndërkombëtarë nuk mund të jenë të gatshëm të japin donacione apo ndihma nëse nuk ka institucione stabile që garantojnë zbatimin korrekt të tyre. Kjo bllokadë, në vend që të zgjidhet me përgjegjësi politike, po i rëndon më shumë qytetarët, të cilët përballen me papunësi, rritje çmimesh dhe mungesë perspektive. Në fund, çmimin më të madh për këtë ngërç politik nuk e paguajnë politikanët, por qytetarët”, përfundoi Arton Muhaxheri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat