Ngërçi politik në Kosovë – AAK flet për krizën institucionale dhe paralajmëron zgjedhje në tetor!

Politika

Ngërçi politik në Kosovë – AAK flet për krizën institucionale dhe paralajmëron zgjedhje në tetor!

Nga: M.Haziri Më: 9 korrik 2025 Në ora: 08:07
Kuvendi i Kosovës

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës është bllokuar, duke sjellë një ngërç institucional që ka krijuar shqetësim të madh në opinionin publik dhe skenën politike.

Pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje doli fituese, mungesa e konsensusit për strukturimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit ka lënë institucionet pa funksionalitet të plotë.

Kjo situatë ka nxitur reagime nga partitë opozitare, të cilat po kërkojnë veprim konkret për zhbllokimin e situatës dhe shmangien e krizës politike.

Në këtë kontekst, në një intervistë për “Bota sot”, ndër shumë tema të tjera ka folur për situatën aktuale anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj.

Ai ka kërkuar përgjegjësi nga të gjitha palët, veçanërisht nga partia fituese duke u shprehur që zgjidhja nga ky ngërç duhet të jetë sa më shpejt pasi është përgjegjësi para popullit dhe elektoratit.

Image
Shemsedin Dreshaj

“Bllokimi i konstituimit të strukturave të Kuvendit është i papranueshëm, një papërgjegjësi e të përzgjedhurve të popullit. Nga kjo përgjegjësi nuk përjashtohet askush, e në veçanti partia fituese e zgjedhjeve të fundit, VV. Zgjedhja është në duart e partisë shumicë; VV duhet të bëjë hapin e parë drejt zhbllokimit të vendit. Kjo është përgjegjësi para popullit dhe elektoratit”, u shpreh ai.

Duke komentuar mundësinë e zgjedhjeve të reja, ai shton se pret që më 12 tetor të ketë zgjedhje lokale dhe qendrore.

“Lidhur me zgjedhjet e reja, unë jam prononcuar edhe më parë. Përserisë se Albin Kurti synon të udhëheqë fushatën zgjedhore si Kryeministër në detyrë. Prandaj, pres që më 12 tetor të kemi zgjedhje të përbashkëta – lokale dhe qendrore. Rezultati final nuk do të ndryshojë shumë nga përfaqësimi aktual i partive në Kuvend”,tha ndër të tjera Dreshaj.

Intervistën e plotë me anëtarin Dreshaj do të mund ta lexoni gjatë ditës në portalin “Bota Sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat