Për muaj të tërë, deputetët e zgjedhur të partive politike, po dështojnë të konstituojnë Kuvendin dhe kontributi i tyre i vetëm është paraqitja prej disa minutave në seanca, çdo të dytën ditë.
Megjithatë, pa kryer asnjë punë, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës dhe asistentët e tyre po i kushtojnë buxhetit të shtetit qindra mijëra euro.
Tashmë, kanë dështuar gjithsej 45 përpjekje për të konstituar Kuvendi.
E në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur profesori Eshref Ymeri.
Si fillim, ai u shpreh se bllokada në Kuvend është e turpshme, madje u tregua kritikë me deputetët dhe mos reagimin e elitës intelektual të vendit për gjithë këtë situatë të krijuar.
“Situata “e ngrirë” në Kuvend është sa e turpshme, aq edhe revoltuese. Deputetët e atij Kuvendi janë parazitë të neveritshëm mbi shpatullat e popullit dardan. Ata parazitë kanë më shumë se katër muaj që po vjedhin buxhetin e shtetit me rrogat e majme që marrin, duke u ngrohur në diell. Është për t’u habitur se si ka mundësi që heshtin elitat intelektuale të Republikës së Dardanisë, heshtin profesorati i Universitetit të Prishtinës dhe rinia studentore, hesht shoqëria civile, heshtin familjet e dëshmorëve, heshtin mjetet e informimit masiv?”
Krahas kësaj, Ymeri vlerëson se situata është alarmante dhe do ketë pasoja të mëdha për shtetin.
Madje, tha se një gjendje e tillë nuk është parë më parë, derisa kritikoi “parazitizmin” e deputetëvë shqiptarë.
“Në asnjë vend të botës nuk është vënë re kurrë një situatë e tillë. Gjendja është sa alarmante, aq edhe skanadaloze. Kjo eshtë pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së aftësive vetorganizuese të popullit dardan. Përderisa krerët kryesorë të udhëheqjes së shtetit nuk janë të aftë ta “shkrijnë” këtë situatë të ngrirë në Kuvend, atëherë elitat politike me vetëdije të lartë kombëtare duhet të marrin situatën në dorë për t’i dhënë fund kësaj marrëzie.
Një problem shqetësues, jo vetëm pë Republikën e Dardanisë, por edhe për Republikën e Shqipërisë, përbën edhe diçka tjetër, që lidhet me parazitizmin e deputetëve të të dy Kuvendeve”, shpjegoi ai.
Ndër të tjera, profesori përmendi edhe faktin se si ka kaq shumë deputetë të kuvendet shqiptare, atë të Kosovës dhe Shqipërisë, ndonëse numri i popullësisë nuk ëshë edhe aq i madh.
Në këtë pikë, këtë gjë e krahasoi me shtetin izraelit.
“Për dijeninë e lexuesve të nderuar, duhet theksuar se Izraeli ka një popullsi prej pak më shumë se 7 milionë banorë dhe parlamenti (kneseti) i tij përbëhet prej 120 deputetësh. Ndërkohë, Republika e Dardanisë dhe Republika e Shqipërisë i kanë a s’i kanë të pranishëm nga 1,5 mln banorë secila. Por, çuditërisht, Kuvendi i Dardanisë ka 120 deputetë, kurse Kuvendi i Shqipërisë, çka është edhe më e çuditshme, ka 140 deputetë!!!
Por çudia vazhdon: në Shqipëri, listat e votuesve harton mbi bazën e të dhënave të Gjendjes Civile dhe jo mbi bazën e regjistrimit të banorëve të pranishëm në vend. Prandaj të gjithë shqiptarët e emigruar përgjithmonë figurojnë në ato lista dhe popullsia e Shqipërisë na del para zgjedhjeve me një numër prej 3,2 ose 3,5 mln banorë. Dhe pikërisht mbi bazën e kësaj shifre, llogaritet numri i mandateve të deputetëve parazitë. Skandal e shkuar skandalit të parazitzmit të deputetëve që përfaqësojnë “frymë të vdekura”. Unë, me pjesëtarët e familjes sime - qytetarë amerikanë prej më shumë se 20 dhe 30 vjetësh, figuronim në listat zgjedhore para zgjedhjeve të 11 majit”, përmbylli Eshref Ymeri për “Bota sot”.