Trump rikthen vëmendjen në Ballkan – vizita e Hanrahan në Kosovë, sinjal i mbështetjes strategjike

Politika

Trump rikthen vëmendjen në Ballkan – vizita e Hanrahan në Kosovë, sinjal i mbështetjes strategjike

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 12 korrik 2025 Në ora: 08:02
Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit amerikan

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka rikthyer vëmendjen e saj diplomatik në Ballkan, duke dërguar një zyrtar të lartë për një vizitë zyrtare në tri shtete kyçe të rajonit – Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë.

Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit amerikan, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social X nisjen e tij drejt Ballkanit pas bisedimeve të zhvilluara në Dayton dhe Uashington.

“Është një përvjetor i rëndësishëm dhe një kohë vendimtare për Ballkanin Perëndimor. Me padurim pres të forcojmë lidhjet mes SHBA-së dhe vendeve të rajonit,” ka shkruar Hanrahan.

Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, do të vizitojë sot Kosovën.

Hollësi tjera për vizitën nuk janë bërë të ditura.

Hanrahan është takuar disa ditë më parë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në zyrën e Departamentit të Shtetit në Uashington.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se bashkë me diplomatin amerikan kanë diskutuar për "thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.

“Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyç si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë”, është thënë në postimin e Osmanit.

Kjo vizitë e diplomatit Hanrahan, vjen në një moment kur SHBA-ja synon të rigjallërojë bashkëpunimin dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit, në një kohë kur sfidat politike dhe ekonomike vazhdojnë të jenë të pranishme.

Mirëpo, se çka do të thotë kjo vizitë për Kosovën, folën njohësit.

Azemi: Kosova ka shumë nevojë për mbështetje të gjithanshme amerikane

Së pari, në një bashkëbisedim me “Bota sot” për këtë temë dhe vlerësimet e tij publicisti Emin Azemi.

Sipas tij, kjo tregon se pavarësisht situatave emergjente në pika të ndryshme të globit, bashkëpunimi SHBA-Kosovë po vazhdon.

“Para se ta vizitoj Kosovën, Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, është takuar në Ëashington me Presidenten Vjosa Osmani. Kjo e fundit me këtë rast ka deklaruar: “Pres me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve në rajon”. Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se bashkë me diplomatin amerikan kanë diskutuar për "thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.

Siç mund të shihet, bashkëpunimi me SHBA-të, po vazhdon pavarësisht situatave emergjente që po shfaqen në pika të ndryshme të globit. Kam përshtypje se ky bashkëpunim nuk është vetëm formal, pasi që bëhet fjalë për një partnertitet të mbështetur në interesa reciproke, dhe mbi të gjitha në dinamika që përcaktohen nga gjeopollitka rajonale, ku Kosova luan një rol të qenësishëm”, deklaroi ai.

Image
Emin Azemi

Gjithashtu, Azemi potenoi faktin se Kosova ka nevojë për mbështetje amerikane, për këtë shpreson që edhe në axhendën e vizitës së Hanrahan të dominojnë temat me rëndësi për qytetarët tanë.

"Edhe në takimin e Presidentes Osmani me diplomatin e lartë amerikan Brendan Hanrahan theksohet rëndësiaia e bashkëpunimit me SHBA, ku Kosova gjithsesi ka përfitime të shuma nga ky bashkëpunim, duke filluar nga mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë.

Shpresoj që një frymë e tillë do të dominojë edhe në axhendën e vizitës së pritshme të zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan.

Kosova ka shumë nevojë për mbështetje të gjithanshme amerikane dhe është në interes të saj që këtë mbështetje ta arsyetoj me politika konstruktive dhe me qasje racionale.”

Duhanaj: Ajo çfarë Presidenti Trump ka arritur për këtë kohë të shkurtër, nuk e kanë bërë të tjerët as për një mandat të plotë

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj tha se presidenti Trump duket qartë që qëllim ka shuarjen e konfliktve dhe ruajtjen e paqes.

Sipas tij, Trump ka qasjen dhe instrumentet e duhura për ruajtjen e paqes globale, ndonëse këtë disa e kanë parë me skepticizëm.

“Sipas performancës së deritanishme të administratës, gjegjësisht Presidentit Trump, duket qartë se fokusi kryesor i tij është te shuarja e konflikteve, luftërave, respektivisht sjellja dhe ruajtja e paqes.

Njerëzit ndoshta mund ta kenë pritur me skepticizëm ardhjen e tij në pushtet.

Ndoshta edhe qasja e tij shihet me skepticizëm, duke aluduar se po e synon çmimin Nobel për Paqe.

Por, për mendimin tim, ajo çfarë Presidenti Trump ka arritur për këtë kohë të shkurtër, nuk e kanë bërë të tjerët as për një mandat të plotë.

Duket qartë se Presidenti Trump ka synim sjelljen dhe ruajtjen e paqes globale dhe, për ta arritur këtë, duket se ka edhe qasjen e duhur, por edhe instrumentet e duhura.

Aty ku kërkohet diplomaci, ai vepron me diplomaci. Aty ku kërkohet forcë, vepron me forcë – dhe për mendimin tim, kjo është qasja me të cilën duhet vepruar”, nënvizoi ai.

Image
Leon Duhanaj

Krahas kësaj, Duhanaj përmendi qasjen e presidentit amerikan ndaj çështjes Kosovë-Serbi, derisa tha se ka sinjal që e ka fokusin ende në shtetin tonë.

“Duke pasur parasysh këtë situatë dhe duke pasur parasysh se marrëveshja e arritur në mandatin e parë të Presidentit Trump, në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë – marrëveshje e cila nuk u respektua nga palët – ndoshta e ka prekur edhe emocionalisht.

Për këtë, jam i bindur se Presidenti Trump do ta ketë fokusin drejt Kosovës.

Ajo çfarë është shqetësuese qëndron te fakti që kemi një qeveri në dorëheqje, e cila nuk ka respekt as për Presidentin Trump, por as për shtetin e Kosovës.

Si e tillë, është bërë edhe pengesa kryesore e ngërçit politik të krijuar në muajt e fundit”.

Në fund, ai shtoi se duhet të arrijmë unitet politik e kombëtar, pasi nëse vazhdojmë me përçarje do kemi probleme si shtet.

“Pra, që të jemi më të sigurt përballë zhvillimeve të ardhshme gjeopolitike në sferën globale, për shqiptarët do të duhej të vlente slogani: "Unitet Kombëtar".

Në qoftë se nuk arrijmë dot drejt unitetit dhe si kundërpeshë vazhdojmë përçarjet, atdhetar, vaj halli për ne.

Shanset të cilat i kemi shpërdoruar nuk do të na përsëriten për një kohë të gjatë – dhe nëse…?” – përrmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat