Trump parandaloi konfliktin Kosovë-Serbi, veprimtari shqiptaro-amerikan zbërthen prapaskenat – përmend Grenellin

Politika

Trump parandaloi konfliktin Kosovë-Serbi, veprimtari shqiptaro-amerikan zbërthen prapaskenat – përmend Grenellin

Nga: A.M. Më: 13 korrik 2025 Në ora: 13:03
Donald Trump

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konfirmoi deklarimet që presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë kohëve të fundit, ku kishte bërë të ditur se ka parandaluar një sulm të Kosovës nga Serbia.

Presidentja e Kosovës tha se bëhet fjalët për diçka të kohëve të fundit.

“Presidenti Trump e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm së fundi. S’po flasim për vitin 2023 apo 2020. Po flasim për zhvillimet shumë të fundit. Por KFOR-i është aty dhe ne po bëjmë punë të mrekullueshme në parandalim e mbrojtje”, ka thënë Osmani në diskutimin e ndodhur në Universitetin Johns Hopkins në Uashington.

E për këtë temë dhe rëndësinë që SHBA ka për Kosovën dhe sigurinë e saj, për “Bota sot” foli veprimtari shqiptaro-amerikan, Agim Aliçkaj.

Së pari, ai tha se deklaratat e Trump kanë domethënie të dyfishtë.

Image
Agim Aliçkaj.

Sipas tij, ai po mundohet të ndalojë konfliktet më të rrezikshme, si dhe Trump nuk e mbështet dhunën dhe nuk do lejojë diçka të tillë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Deklaratat e shumta të Presidentit Trump kohëve të fundit për parandalimin e një konflikti të dhunshëm midis Serbisë dhe Kosovës kanë domethënie të dyfishtë.

Ai dëshiron që veten dhe Amerikën ti tregojë si faktorë stabiliteti dhe paqëje në botë duke e synuar edhe çmimin Nobel për paqe. Për këtë ai i numroi edhe disa konflikte të tjera botërore në të cilat kishte ndikim të ndalohen. Ai po përpiqet të ndalojë konfliktet më të rrezikshme midis Rusisë dhe Ukrainës, Izraelit dhe Palestinës.

Nga ana tjetër, nuk duhet të jetë për t'u habitur që Serbia, përmes kanaleve të veta dhe përkrahësve të saj në Amerikë, siç është ish-emisari për Ballkanin Perëndimor Richard Grenell, ja ka bërë të ditur z. Trump se është e interesuar të ripushtojë Kosovën. Dihet mirë se hegjemonistët dhe fashistët serbë i kishin varur të gjitha shpresat e tyre për realizimin e kësaj ëndrre të sëmurë te zgjedhja e tij president.

Ata nuk e kuptuan se një shumicë e madhe e shqiptaro-amerikanëve votuan gjithashtu për Presidentin Trump. Pastaj, qetësimi dhe vënia nën kontroll e veriut të Kosovës me mjete legjitime shtetërore nga qeveria Kurti e la regjimin serb pa mundësi reale. Tani, ata e kanë të vështirë ta bindin zotin Trump se ndërhyrja në Kosovë është e nevojshme. Ai nuk është interesuar të krijojë probleme aty ku nuk ka. Ai e ka bërë publike se nuk e mbështet dhunën”, nënvizoi drejtori i LSHQA.

Po ashtu, Aliçkaj tha se serbët nuk do dërzohen lehtë, madje vlerëson se do kërkojnë të marrin diçka dhe ta binidin Trump për ta pranuar krijimin e Asociacionit.

Megjithatë, nuk beson se presidenti amerikan do bie në kurthin e serbëve.

“Deklaratat e fundit të Presidentit Trump dëshmojnë se ai e ka hedhur poshtë mundësinë e një konflikti të dhunshëm. Por serbët nuk dorëzohen lehtë. Ata kërkojnë shumë për të marrë diçka. Ata do të paraqiten si shumë "konstruktivë" dhe "të bindur" ndaj Trump dhe do t'i kërkojnë atij si shpërblim të ushtrojë presion mbi Kosovën që të pranojë krijimin e asociacionit serb.

Nuk besoj se Trump do të bjerë në kurthin e serbëve, por Kosova duhet të jetë e gatshme ta bindë atë me forcën e argumenteve të bazuara në fakte se një gjë e tillë është e pamundur, e rrezikshme dhe se do të shkaktonte probleme të mëdha për të gjithë në të ardhmen. Kjo është një detyrë prioritare e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, si dhe e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti në takimet e tyre me zyrtarët amerikanë”.

Tutje, veprimtari shqiptaro-amerikan përmendi edhe takimet dhe vizitat e presidentes Osmani në SHBA.

AI tha se këto vizita janë sinjale pozitive për Kosovën, ngjashëm si mosangazhimi i Grenellit në Ballkan.

“Presidentja Osmani pati një vizitë shumë të suksesshme në SHBA, me takime të rëndësishme, veçanërisht në Departamentin e Shtetit. Me rëndësi të veçantë ishte takimi i saj me z. Brendan Hanrahan, Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, i cili, në kuadër të vizitës së tij në Ballkan, u takua me KM Kurti në Ambasadën Amerikane.

Interesi në rritje i Administratës Trump për Kosovën dhe mosangazhimi i ish-Ambasadorit Grenell në Ballkan janë lajme shpresëdhënëse për Kosovën”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, tha se deklarata e Osmanit që Trump e ka parandaluar një konflikt të dhunshëm të Serbisë ndaj Kosovës, duhet të merret seriozisht.

“Fjalët e Presidentit Trump, si dhe deklarata e fundit e Presidentes Osmani se ka "informacion të besueshëm" se Presidenti Donald Trump "kohët e fundit ka parandaluar" një konflikt të dhunshëm, edhe pse shovinisti Vuçiç e mohoi këtë, duhen marrë seriozisht. Kosova duhet të jetë e përgatitur t'i rezistojë agresionit serb në çdo kohë dhe në çdo mënyrë. Formula është e njohur mirë: Amerika, mbrojtja dhe siguria, zhvilllimi ekonomik.”, përfundoi Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat