Makolli flet për ngërçin politik – ka një mesazh të fuqishëm për partitë politike, përmend rolin vendimtar të SHBA-ve!

Politika

Makolli flet për ngërçin politik – ka një mesazh të fuqishëm për partitë politike, përmend rolin vendimtar të SHBA-ve!

Nga: M.Haziri Më: 16 korrik 2025 Në ora: 07:58
Avni Dehari

Për të 47-ën herë me radhë, përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa sukses më 15 korrik.

Edhe kësaj radhe, mbledhja e deputetëve të zgjedhur nuk solli ndonjë ndryshim në ngërçin politik që po zgjat tash e tre muaj.

Një zgjidhje nuk po arrihet ani pse thirrjet nga ndërkombëtarët këto ditë kanë qenë të mëdha.

Në vizitat e ambasadorëve ndërkombëtarë është bërë thirrje në vazhdimësi që të lihen një anë inatet politike dhe të ketë konstituim të Kuvendit, kështu të hapen rrugët për arenën ndërkombëtare.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi për çështje politike, Vesel Makolli.

Makolli thekson se inatet politike, interesat personale e klanore dhe mungesa e pjekurisë shtetformuese po e pengojnë rëndë ndërtimin e institucioneve legjitime në Kosovë.

Ai paralajmëron se kjo situatë, e lënë pa ndërhyrjen e aleatëve tradicionalë si SHBA, përbën rrezik serioz për shtetësinë dhe orientimin perëndimor të vendit.

“Inatet politike, interesat individuale dhe klanore, folklorizmi, populizmi dhe jo vetëm, janë atavizma historikë që gjithmonë na kanë ngulfatur dhe kanë qenë barriera në rrugën tonë drejt civilizimit perëndimor dhe ecjes në hap me kohën.

"Cirku" në Kuvend, me episode që nuk po u shihet fundi dhe që po e zvarrisin krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve nacionale, është më shumë se një ngërç politik – është rrezikim i vetë shtetësisë sonë. Sidomos është e frikshme mospërfshirja e "nunit" tonë të pavarësisë – Ambasadës së SHBA-së – për të ndihmuar si zakonisht deri më tani në situata të ngjashme në të kaluarën, të cilat kanë mundur të përfundojnë në komedi të dëmshme si kjo e sotmja.

Përveç institucionit të Presidencës, sot Kosova nuk ka institucione legjitime ekzekutive dhe legjislative. Në këtë kohë të zhvillimeve dinamike në Evropë dhe më gjerë, kur edhe orët mund të jenë vendimtare, ta lësh vendin në pozitë të ngrirë, pa institucione, për shkaqe egoiste dhe për inate e interesa individuale dhe partiake, është më shumë se nonsens – madje mund të konsiderohet edhe si veprim antishtetëror”, u shpreh ai.

Image
Vesel Makolli

Tutje, njohësi Makolli thekson se paaftësia e liderëve kosovarë për të koordinuar veprimet me aleatët ndërkombëtarë ka përkeqësuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, dhe zgjidhja e krizës aktuale mbetet e pamundur pa ndërhyrjen dhe ndërmjetësimin e SHBA-së dhe partnerëve tjerë perëndimorë.

“Rejtingu i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar nuk ka qenë asnjëherë më i ulët; ne ende po i vuajmë sanksionet nga Bashkimi Evropian, të cilat i kemi “fituar” me fajin tonë, për shkak të mospërputhjeve e mospërgjegjësisë në veprimet politike, të pa koordinuara me miqtë tanë ndërkombëtarë – me ata që na sollën lirinë.

Kemi pasur situata të ngjashme edhe në të kaluarën, dhe asnjëherë nuk kemi mundur të merremi vesh pa ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Prandaj, edhe tash vlen e njëjta gjë – dhe, siç duket, pa ndërmjetësimin e miqve tanë, nuk do të ketë zgjidhje. Në këtë kontekst, vizita e diplomatit amerikan Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë në Zyrën për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike në Departamentin e Shtetit, ishte një dritë në fund të tunelit për zgjidhjen e ngërçit tonë politik”, shpjegoi njohësi.

Makolli nënvizon se reagimi i SHBA-ve përmes takimeve në Ambasadë është një paralajmërim serioz ndaj klasës politike për pasojat e bllokadës institucionale dhe mungesës së koordinimit me aleatët.

Ai thekson se pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, veçanërisht SHBA-së, Kosova vështirë se do ta kalojë krizën politike dhe do ta finalizojë shtetësinë e saj.

“Takimi i tij me kryeministrin e Kosovës dhe me liderët e partive opozitare u zhvillua në ambientet e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, dhe ky ishte një sinjal i qartë për liderët tanë se "nuni" ynë i pavarësisë – SHBA-të – janë të zhgënjyer me veprimet tona kundërproduktive, që kanë sjellë në mosfunksionimin e institucioneve shtetërore në Kosovë. Kjo është edhe një shenjë që tregon se Kosova aktualisht nuk ka një adresë zyrtare të legjitimitetit institucional.

Çdo ngjarje që organizohet nga miqtë tanë – siç është rasti i djeshëm në Ambasadën Franceze në Kosovë, ku z. Olivier Guerot organizoi një pritje solemne me rastin e Ditës Kombëtare të Francës – është një mundësi e mirë për të nxitur dialog të kulturuar ndërmjet aktorëve politikë vendorë dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët për tejkalimin e krizës institucionale

Faktori ndërkombëtar, në veçanti SHBA-të, me autoritetin e tyre të pakontestueshëm, mund të ndikojnë te liderët tanë politikë që urgjentisht ta vendosin interesin e shtetit përpara interesave individuale dhe partiake, dhe sa më parë të krijojnë institucionet shtetërore të Kosovës, për të shtyrë përpara proceset që çojnë drejt finalizimit të shtetësisë sonë”, përfundoi Makolli për “Bota sot”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat