“Kuvendi do të konstituohet para datës 26 korrik, është koha për përgjegjësi”

Politika

“Kuvendi do të konstituohet para datës 26 korrik, është koha për përgjegjësi”

Nga: H.O. Më: 18 korrik 2025 Në ora: 22:02
Kuvendi i Kosovës

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë afat deputetëve të Kosovës që deri më datën 26 korrik të konsistuohet Kuvendi i Kosovës. Deri më tani kanë dështuar të gjitha seancat duke mos arritur të zgjedhet kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Albulena Haxhiu e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrinë të marr votat e mjaftueshme. Opozita nuk po e voton Haxhiun si kryeparlamentare.

Kësisoj, Kuvendi ende nuk po arrinë të nxjerrë vendin nga kriza politike.

Mirëpo, ҫfarë pasoja mund të sjellë moskonsistuimi i Kuvendit deri më datën 26 korrik?

Politologu dhe njohësi i ҫështjeve politike, Fahredin Majkovci thotë se Kosova ka humbur mjaft për shkak të mungesës së konstituimit të Kuvendit edhe të formimit të Qeverisë së re.

“Seancat e njëpasnjëshme të dështuara kanë prodhuar jo vetëm bllokadë institucionale, por edhe zbehje të besimit të qytetarëve, si dhe shqetësim te partnerët ndërkombëtarë, të cilët presin stabilitet dhe përgjegjësi politike nga institucionet e Kosovës”, thotë Majkovci.

Image
Fahredin Majkovci

Në vlerësimin tim, thotë politologu Majkovci se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe, së fundmi, vendimi i Gjykatës Supreme lidhur me vlefshmërinë e mandatit të deputetit në rastet e ushtrimit të pozitave të dyfishta, janë dy zhvillime të rëndësishme që pritet të ndikojnë pozitivisht në zgjidhjen e ngërçit politik. Këto vendime kanë sjellë qartësi më të madhe sa i përket ndarjes së kompetencave dhe përgjegjësive brenda sistemit politik.

“Në rrjedhojë, jam optimist se Kuvendi do të konstituohet para datës 26 korrik 2025. Kjo është edhe përgjegjësi direkte e deputetëve të zgjedhur të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe të rivendosin funksionalitetin institucional.  Në të kundërtën, pasojat i bartin të gjithë deputetët, të cilët me mosveprimin e tyre rrezikojnë jo vetëm mandatin e dhënë nga qytetarët, por edhe vetë funksionalitetin e shtetit. Qytetarët e Kosovës kanë votuar për institucione që punojnë, jo për kalkulime të pafundme politike dhe bllokim të jetës demokratike. Është koha për përgjegjësi”, vlerëson Majkovci për ‘Bota sot’.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat