Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 26 qershor vendosi se deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.
Mirëpo pavarësisht këtij vendimi nga Kushtetuesja nga deputetët nuk kemi asnjë lëvizje.
E thirrjet nga ndërkombëtarët për të dal nga ky ngërç politik janë të shumta.
Së fundmi është Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë që ka kërkuar nga partitë politikë që të respektohet afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, i cili është përcaktuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Ambasada amerikane ka vlerësuar se ky afat po ofron.
“Vërejmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka rekomanduar që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga vendimi i saj, dhe kjo datë po afrohet”, ka vlerësuar ambasada e ShBA-së.
Kjo ambasadë ka theksuar konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e lidershipit politik.
A pritet që pas thirrjes së Ambasadës Amerikane mund të ketë më shumë seriozitet dhe përgjegjësi nga partitë politike për ta çuar përpara konstituimin e Kuvendit?
Voca: Mbështetja ndërkombëtare kërkon përgjegjësi të brendshme
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori për marrëdhënie ndërkombëtare, Mirsad Voca.
Ai thekson se Kosova duhet të veprojë në përputhje me rendin kushtetues dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke e tejkaluar bllokadën politike përmes përgjegjësisë së partive, në mënyrë që të sigurohet funksionimi normal i institucioneve, stabiliteti demokratik dhe besimi i qytetarëve në shtetin ligjor.
“Reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara është një kujtesë e qartë për nevojën që Kosova të veprojë ne përputhje me rendin kushtetues dhe afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese. Në një shtet demokratik, funksionimi i institucioneve nuk mund të jetë peng i krizave politike apo interesave partiake, prandaj ky mesazh duhet të merret seriozisht.
Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e partive politike që t’i japin fund kësaj bllokade dhe të garantojnë një konstituim të rregullt të Kuvendit, për të ruajtur stabilitetin institucional dhe besimin e qytetarëve në demokracinë tonë. Nuk është vetëm çështje teknike, është çështje e legjitimitetit dhe funksionalitetit të shtetit”, u shpreh ai.
Tutje, doktori për çështje ndërkombëtare shton se thirrja e Ambasadës Amerikane duhet të shërbejë si nxitje për rikthimin e seriozitetit politik, duke kujtuar se mbështetja ndërkombëtare kërkon respekt për parimet demokratike dhe funksionimin e institucioneve, dhe se tani është detyrim kushtetues, jo më zgjedhje politike, që partitë të veprojnë me përgjegjësi për të garantuar stabilitetin dhe vazhdimësinë e shtetit.
“Thirrja e Ambasadës Amerikane mund dhe duhet të shërbejë si katalizator për kthimin e seriozitetit dhe përgjegjësisë politike. Kosova ka partnerë ndërkombëtarë të gatshëm ta mbështesin, por kjo mbështetje nënkupton edhe respekt të ndërsjellë për parimet demokratike dhe për funksionimin e rregullt institucional. Ne nuk mund të kërkojmë përkrahje ndërkombëtare, ndërsa i lëmë institucionet pa funksion..
Nëse do të ketë më shumë seriozitet dhe përgjegjësi pas thirrjes së Ambasadës Amerikane, kjo varet ende nga vullneti politik i partive. Por tani kemi kaluar një prag ku vullneti i tyre nuk mund të jetë më kriteri kryesor. Është obligim shtetëror dhe kushtetues që partitë të vendosin mbi interesin e përgjithshëm, përtej kalkulimeve të ngushta të tyre. Prioritetet nuk mund të jenë më zgjedhje taktike por nevojë e menjëhershme për stabilitet institucional dhe për vazhdimin e funksionimit të shtetit. Kjo është një përgjegjësi historike që nuk toleron më shtyrje”, foli Voca për “Bota sot”.
Haziri: Propozimi nuk do të thotë imponim
Ndërsa analisti politik, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thekson se reagimi i Ambasadës Amerikane është një thirrje e qartë që Lëvizja Vetëvendosje të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të ndërmarrë hapa konkretë për zhbllokimin e konstituimit të Kuvendit përmes kompromisit dhe marrëveshjes politike.
“Reagimi i Ambasadës Amerikane vjen në një moment vendimtar, kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në skadimin e afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe nuk kemi parë ndonjë përparim nga partitë politike në drejtim të një kompromisi – që është i domosdoshëm për zhbllokimin e situatës.
Ajo që duhet theksuar është se ky reagim duhet të merret seriozisht, në radhë të parë nga partia me numrin më të madh të deputetëve, pra Lëvizja Vetëvendosje. Kjo parti duhet të sillet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të heqë dorë nga bllokimi i konstituimit të Kuvendit, duke respektuar procedurat e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit përmes votimit të hapur. Po ashtu, duhet të shqyrtojë ndërrimin e kandidatit dhe të mbështetet në një marrëveshje politike me subjektet e tjera”, potencon analisti.
Analisti thekson se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të imponojë kandidatin për kryetar të Kuvendit pa shumicë parlamentare, dhe se reagimi i Ambasadës Amerikane është një presion i nevojshëm ndaj z. Kurti për të pranuar kompromis dhe marrëveshje politike, në mënyrë që të zhbllokohet situata dhe Kosova t’i kthehet funksionimit normal institucional.
“E drejta që i takon LVV-së për të propozuar kryetarin e Kuvendit nuk nënkupton të drejtën për ta imponuar atë, pa pasur shumicën parlamentare që e bën të realizueshëm këtë propozim. Këtu shihet qartë – dhe këtë e ka vërejtur edhe Ambasada Amerikane – se z. Kurti nuk po tregon gatishmëri për ndarjen e pushtetit apo ndërtimin e një partneriteti qeverisës, por kërkon vetëm mbështetje të njëanshme që i siguron shumicën, jo vetëm për konstituimin e Kuvendit, por edhe për formimin e qeverisë.
Prandaj, reagimi i Ambasadës Amerikane vjen në kohën e duhur, si një presion i qartë dhe i drejtpërdrejtë ndaj LVV-së. Z. Kurti duhet të reflektojë dhe të hapë rrugë për marrëveshje politike që do të çojnë drejt formimit të institucioneve të reja. Vetëm në këtë mënyrë Kosova mund t’i kthehet funksionimit normal dhe të dalë nga kjo situatë absurde dhe e dëmshme – politikisht, diplomatikisht, ekonomikisht dhe socialisht. Vazhdimi i kësaj bllokade vetëm do ta rëndojë më tej pozicionin e Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.